Lifestyle

March 12, 2018 | 13:30

Nga Anila Kalleshi / Përmasat ideale para plazhit

Rruga për një fizik të përsosur në plazh mund të duket e vështirë, por kur të arrini qoftë edhe gjysmën e idesë, do të ndjeni një kënaqësi të pamatë. Sigurisht që nevojitet përqendrim drejt objektivave dhe zbatim të tyre mjaft rigorozisht.

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Është mirë të mbani një regjistër të arritjeve tuaja, i cili do t’ju ndihmojë të kuptoni sesa e rëndësishme është të modifikoni regjimin tuaj dietik dhe rutinën stërvitore. Të them të drejtën, për të arritur një trup perfekt, nuk është thjesht çështje diete sesa stërvitjeje. Muskujt bëhen të dukshëm falë eliminimit të yndyrnave, e cila gjithashtu bëhet e mundur falë një regjimi të shëndetshëm dietik.

Si dhe kur duhet të merrni karbohidratet

Para së gjithash duhet t’i themi STOP të gjitha ushqimeve të shpejta dhe të lehta, të cilat zakonisht përmbajnë karbohidrate të përpunuara dhe rafinuara si: pije të gazuara dhe alkool, sidomos birrat. Të angazhohemi të konsumojmë perime çdo ditë, të minimizojmë konsumimin e sheqernave të thjeshta, dhe të shtojmë atë të karbohidrateve komplekse. Këto të fundit janë ato që kanë përmbajtje të ulët glicemike dhe ndihmojnë rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, reduktojnë oreksin dhe sigurojnë energji gjatë gjithë ditës.

Sasia dhe koha e marrjes së proteinave

Marrja në sasinë e duhur të proteinave është thelbësore për mirëmbajtjen e masës muskulore. Një konsum ditor nga 1.5 deri në 2 gramë proteina për kilogram të peshës trupore, është ideale për të ndihmuar rritjen muskulore, dhe në periudhën e dietës, për të parandaluar trupin nga djegia e masës muskulore për energji. Sa i takon zgjedhjes së burimit të proteinave, preferohen ato shtazore: pulë, ton dhe salmon. Në dietën e përditshme rekomandohet çdo 3 orë një vakt, me dozë të saktë të proteinave. Sigurisht që nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes ujin e pijshëm, gjatë gjithë ditës, në mënyrë që të hiqni toksinat.

Burimet më të mira yndyrore

Studime të shumta kanë treguar se dietat e pakta me karbohidrate janë më efektive për qëllimin e rënies në peshë. Në regjimin e kufizimit të kalorive, konsumi ditor i yndyrës duhet të jetë diku mes 1 dhe 1.5 gramë për kilogram të peshës trupore. Por jo të gjitha llojet e yndyrnave lejohen kur jeni në dietë. Disa shembuj klasikë të ushqimeve që ofrojnë këtë lloj yndyre janë: vezë, vaj ulliri, fara liri, peshk yndyror si salmoni, avokado dhe arra. Ndër burimet e yndyrnave të ngopura: vaji organik i kokosit bën përjashtim pozitiv, pasi është i përbërë kryesisht nga trigliceride, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në dobësim.

Këshilla trajnimi për një fizik plazhi

Pasi të keni zhvilluar një plan të qartë dhe të arsyetuar dietik, përqendrohuni paralel edhe te stërvitja trupore. Trajnimi konsiston në realizimin e një numri të ndryshëm lëvizjesh në kohën më të shkurtër të mundshme. Në vend që të vraponi për 20 minuta, zgjidhni ushtrime të ndryshme në seri, dhe përfundojeni në kohën më të shkurtër të mundshme, pastaj, pushoni 1-2 minuta dhe rifilloni sërish. Kështu metabolizmi ynë do të stimulohet mjaftueshëm, duke na ndihmuar të djegim yndyrnat trupore.

Aerobi në mëngjes me stomak bosh

Këto ushtrime janë një praktikë shumë e popullarizuar në mesin e sportistëve. Arsyetimi është se, trupi në mëngjes, nuk ka ngarkesa të sheqerit që janë konsumuar gjatë natës, dhe për këtë arsye, do të jetë i detyruar të aktivizojë rezervat yndyrore si energji, për të kryer ushtrimin. Sipas studimeve të kohëve të fundit, publikuar në British Journal of Nutrition, trupi mund të djegë deri në 20% yndyrë gjatë një stërvitje aerobike në mëngjes me stomak bosh.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com