Marrëdhënie

January 17, 2018 | 9:30

Nga Anisa Zaçe / Dashuria, dëshira për ta përqafuar dikë deri në fund të kohës!

Kimi, elektricitet, flutura, vendosi emrin që do, në fund mbetet ajo ‘gjëja’ që vë në lëvizje të gjithë gjakun e trupit, që ndez të gjitha emocionet dhe fik logjikën. Dashuri i thonë disa, jetë më vjen mua ta quaj.

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Sepse pa të, askush nuk do besonte në magji, askush nuk do besonte që ka shumë më shumë jeta se sa thjesht të paguash fatura, se puna mbetet mjet për të kaluar kohën, dhe nuk mund të jetë kurrsesi motivi i përditshmërisë.

Ajo dëshira për ta përqafuar dikë deri në fund të kohës. Nuk ka rëndësi fare nëse mpihesh ose jo. Thjesht të qëndrosh aty, mes krahëve të tij dhe duke e shtrënguar në krahët e tu. Me kokën zhytur në qafën e tij dhe me buzët e tij në ballin tënd.

Po, po, gjatë e shumë është shkruar për këtë ndjesi. Shumë këngë i janë kënduar këtij përqafimit deri në fund të kohës, këtij përqafimit që flet, këtij përqafimit që ndjehet që në ajër.

Flitet shumë për atë ndjenjën që bashkon dy njerëz në këtë ngatërrim fizik, që ngatërron shumë më bukur zemrat se krahët.

Të gjithë flasin, kudo lexon, në çdo këngë e dëgjon, por kurrsesi askush nuk të përgatit për momentin tënd, askush nuk mundet të të përgatisë për të.

Thjesht ndodh, atëherë kur më së paku e pret e më së shumti ia ke nevojën. Thjesht, dikush vjen, hap krahët dhe të fut në perimetrin e krahëve që në atë moment mbajnë gjithë universin tënd. Atë univers që ty të rëndonte mbi supe e tashmë të bërë pupël në duart e kujt kraharorin që ndjeje bosh e mbushi me flutura.

Dikush që të shikon sikur dielli lind e perëndon në sytë e tu. Dikush që mendon që çdo buzëqeshje e jotja vendos një yll në qiell. Dikush që ndjen çdo shtrëngim të krahëve të tu si kthim në shtëpi.

Jo të gjithë kanë fatin të përjetojnë ndjenja të tilla, ama unë e ti e kemi.

Po e turpërojmë dashurinë, zemër. Na dinte më të guximshëm. Ne qëndrojmë në cepat përkatës, me sytë që ju zgjasin krahët njëri tjetrit, dhe pa minimumin e forcës për të bërë një hap para. Duhet ikur nga kjo situatë. Nuk mund të qëndrohet kështu.

Por, mos më shih ashtu!

Hiqi sytë!

Mos më shih ashtu se unë nuk mund të qëndroj gjatë me këmbët pa lëvizur nëse ti më sheh ashtu.

Boll m’i zgjate krahët me shikim, unë jam këtu dreqi ta hajë. Eja dhe përqafomë nëse do! Ose eja dhe bërtit! Ose eja dhe thjesht fol! Bëj diçka!

Por, mos më shih ashtu!

Ç’kuptim ka nëse më shikon me ata sy, dhe asgjë nuk arrin të artikulosh me fjalë.

Nuk dua të më thuash më asgjë me shikim e me heshtje.

Eja flasim. Duhet të lëvizim nga vendi. Jemi mbajtur me hatër nga universi dhe kemi fatin të shohim veten shumë më të bukur në sytë e dikujt tjetër se në tanët. Nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë. Disa njerëz kalojnë gjithë jetën në pritje të dy syve që t’ju fillojnë dhe mbarojnë botën.

Eja e nisim nga fillimi nëse do.

‘Përshëndetje lumturia e jetës time, unë jam dashuria e jetës tënde. Besoj kishte ardhur koha të njihemi!’

 

*Titulli i vendosur është redaksional, ndërsa titulli origjinal i autores është: …por, mos më shiko ashtu!

https://anniissa.wordpress.com/2017/04/25/por-mos-me-shih-ashtu/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top