Marrëdhënie

January 26, 2018 | 10:59

Nga Anisa Zaçe: Jeta është shumë e shkurtër për ta analizuar kaq gjatë! Eja duhemi!

1

Ti erdhe për të më shpëtuar jetën.

Nga Anisa Zaçe Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Po, po, pikërisht kështu. Ti erdhe në jetën time, në momentin e duhur. Erdhe për të shpëtuar përrallën, ëndrrën, magjinë brenda saj. Erdhe pikërisht kur unë isha duke ndezur të gjithë mekanizmat mbrojtës, të gjithë armaturat, duke ngritur muret e duke forcuar mbrojtjen.

Aty ku më së paku e prisja, në një ditë krejt te zakontë hyre në jetën time, për të zënë një vend që unë as që e dija që kisha qënë duke e ruajtur për ty. Dhe do vazhdoja të mos e mendoja të tillë, nëse nuk do duhej të vinte momenti të të përqafoja. Nëse nuk do duhej të ndjeja se si më tërhoqe brenda krahëve të tu. Dukej sikur gjithë forca e gravitetit më tërhoqi drejt teje. Ishte sikur krahët e mij shkuan drejt e në vendin e tyre.

E të kam tashmë një mendim konstant në kokë. Të kam kudo.

Kam një mendim që sa herë niset për tek ty vjen plot erë ‘ti’. Sikur të mos mjaftonte gjithë kaosi që fal edhe vëtëm emri yt, edhe kjo na duhej, aroma jote.

Shpesh, ajo që na mungon më së shumti është pikërisht aroma e njerëzve që duam, se atë nuk kemi si e ruajmë. Atë që na mbetet në hundë, e që na shkon deri në shpirt pas çdo përqafimi, nuk e ruajmë dot. Por ja, ti edhe këtë ma vështirson. Edhe atje ku mund të të humb, ti vjen.

Qëndron bindshëm e paprekshëm në vendin tënd. Edhe kur jeta ime vazhdon rrjedhën e saj. Kur e zë vrulli. Kur nis vrapi. Je aty. Vjen edhe kur të përzë. Qëndron në atë vendin tënd, ndërkohë që unë vazhdoj krejt normalisht përditshmërinë time.

Është shumë e çuditshme si mund të mos ikësh asnjëherë edhe kur nuk je aspak prezent?! Të kam tani me vete gjithë kohës, se të kam në sy, të kam në mendim, e mbi të gjitha të kam e më ke shpirtin.

Edhe sot mund të konfirmoj sërish sa e mundur është të jetoj pa ty. Nuk ka asgjë tragjike në mungesën tënde. Mund të jetohet më së miri pa ty, madje besoj do isha edhe e lumtur. Ndryshe e lumtur, jo si me ty, por gjithsesi mund ta gjej lumturinë. Por, ashtu siç e ke thënë edhe ti, unë jam kokëfortë, nuk heq dorë pa shkuar gjërat atje ku i dua unë. Nervi im, i mbledhur i gjithi në ballë,që ti arrin ta ledhatosh me një puthje, thjesht nuk do lumturi tjetër që nuk je ti.

A e di ti sa shumë kam pritur unë për të takuar dikë si ty? A e di sa shumë ka rënduar mungesa jote?

Dikë që ma njeh shpirtin, dikë që mi lexon sytë. Dikë që pavarësisht çfarë them me gojë, kupton se për çfarë më ka nevojë zemra e vjen e ma sjell.

Koha ka një mënyrë të mrekullueshme për të na treguar atë që vërtet ka rëndësi. Nuk ka rëndësi sa herë refuzova e shtyva mendimin tënd, gjete gjithmonë një mënyrë për të ardhur sërish.

Të kam aromën në kokë e kur s’ta kam në hundë, të kam shpirtin në kraharor e kur s’të kam në përqafim. Sepse nuk ka rëndësi sa shumë nerv më mblidhet në ballë me ty, ka gjithmonë më shumë dashuri mbledhur në sy për ty.

Jeta është shumë e gjatë për të mos ja lënë shpirtit në dorë udhëheqjen, e jeta është shumë e shkurtër për ta analizuar kaq gjatë!
Hajde duhemi!

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com