Marrëdhënie

February 12, 2018 | 10:37

Nga Anisa Zaçe / Të panjohur në rrugë, të njohur në shpirt

Unë di të jem e panjohura me e mirë që ti dikur ke njohur. Di ta bëj aq mirë sa në ndonjë moment do të duash ti të më kujtosh që jemi njohur dikur, që nuk jemi kaq të panjohur dreqi ta hajë. Do të duash të më rikthesh në vëmendje që unë ti njoh sytë e ma njeh buzëqeshjen.

Di të çohem një ditë dhe të jetoj sikur nuk të njoha kurrë , e nuk të pata kurrë në sy. Mundem të trajtoj si një ‘jamais-vu’ (nuk e kam parë kurrë), çdo kujtim të përqafimeve që ruaj në zemër.

Nuk ka asgjë të pamundur në të zhdukurit ‘gjëra’ e ngjarje nga jeta. Jetohet aq shpejt dhe me aq vrull, e ndodhin aq shumë gjëra, sa është krejt e thjeshtë për t’i lënë një pjesë të mirë të gjërave ti zërë pluhuri.

Unë mund të iki, më beso. Është kaq e thjeshtë të ikësh e të largohesh. Nuk ka asgjë të vështirë në të hequrit dorë, edhe kur dhemb.

Unë mund të iki, ama përpara se ta bëj, dua të të tregoj sa bukur është të qëndrosh.

Të të tregoj që unë di të qëndroj.

Di të jem.

Di të rri.

Pavarësisht logjikës. Pavarësisht faktit që e vetmja gjë që më bën të qëndroj është aq e pakuptimtë sa as emër nuk i kam vënë dot.

E kam plotësisht të mundur të të heq rëndësinë, të të zbres nga piedestali që unë të kam hipur, thjesht nuk dua. Vërtet dhe nuk jam gati ta bëj, por ndoshta gati nuk do jem kurrë, prandaj duhet minimalisht të kem dëshirën ta bëj këtë gjë. Duhet minimalisht të kem dëshirën për mos të të pasur në jetë.

Sigurisht, në ndonjë moment tjetër, me dikë tjetër, do të kish qenë shumë e mundshme dhe rruga e mesme. Por atë nuk dua ta zgjedh. Kam qenë gjithmonë njeri i ekstremeve, e kam dashuruar dhe urryer me të njëjtin intensitet çdo gjë që m’u servir, sipas shijes që më lënë në shpirt.

E ke parë ndonjëherë me vëmendje perëndimin e diellit? Se si ulet ashtu modestisht? Ylli më i zjarrtë, burimi i jetës në tokë, vjen një moment që plot përulësi, i lë vendin yjeve të tjerë. Është kaq e madhe kjo galaksia, e megjithatë unë kam zgjedhur modestisht dhe pa asnjë arsye logjike, të të mbaj në mes të qiellit tim. Po qielli mbetet i imi gjithsesi.

Megjithatë, s’ka asgjë të papërballueshme në këtë botë. Nëse ikën ti, a largohem unë, çdo gjë do vazhdojë normalisht. Ashtu siç jeta vazhdon pas vullkanit, tërmetit, a perëndimit. Jeta është një shfaqje që do vazhdojë gjithmonë, pa reklama. Ashtu do vazhdojë jeta ime dhe e jotja dhe e çdokujt, pavarësisht kujt ikën e vjen, se dhe nëse ikën dielli e vijnë yjet, e nëse mbushet me re, qielli qëndron.

Patjetër që çdo gjë do vazhdojë dhe tani që do iki, thjesht qëndrova kaq, se kam dashur gjithmonë ta ndërtoj vet ciklin e ditës time, ta vendos vet se ku e kur do të lind e perëndojë dielli, se ku qëndron ylli polar, e sa yje të ketë në qiell. Vetëm kështu mund ti dal vetes përballë në çdo moment, dhe ti laj me të çdo llogari.

Vetëm kështu mund të shijoj çdo moment, nga cilado anë e peshores që të anojë.

Ashtu siç do shijoj dhe këtë moment.

E kam dashur gjithmonë jetën, dhe kur ti ishe thjesht një i panjohur. Do e dua dhe tani që do jem një e panjohur unë për ty. Një e panjohur, që për ca kohë të lejoi timonin e rrahjeve në kraharor, do të të buzëqeshë sikur asgjë s’ka ndodhur, se në të vërtetë asgjë s’ka ndodhur.

Ndonjëherë duhet të njihesh, për të kuptuar vërtet sa të panjohur jeni.

Do shkëmbehemi patjetër një ditë si dy të panjohur, me ndjesinë që shpirtrat dikur na  janë njohur.

Kaq e lehtë dhe e thjeshtë është të zhdukesh e të shumëzosh me zero sa kërkoi gjithë vendosmërinë e një zemre kokëfortë si e imja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top