Marrëdhënie

November 16, 2017 | 9:31

Nga Anisa Zaçe/”Po sikur…?!”

Rrallë arrijmë të kuptojmë që i humbim shumë më shumë njerëzit duke i mbajtur në largësinë e dorës me ‘gënjeshtra’ se sa duke i jetuar në të vërtetë.

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaçe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Nuk ka asgjë më të trishtë e të dhimbshme se sa: “Ajo që mund të kishte qenë… ”
“Ajo që mund të kishte ndodhur…”
Togfjalëshi më i trishtë i çdo gjuhe mbetet: “PO SIKUR?”

Sa guxim do, të arrish të dalësh mbi frikërat e tua?
E gjithmonë pyetja më e madhe mbetet: Po sikur ta çoj gjithçka në dreq?
Pyetja dhe frika më e madhe mbetet: Po sikur ta humb përgjithmonë?

Ti më ikën shpesh, e akoma më shpesh më kthehesh. Në format e tua mistike. Por mjaftueshëm, sa për të mos më lënë mua të zhdukem nga ty e të të zhduk nga unë.

Ashtu siç më ke ardhur pas kohësh heshtjeje e më je fshehur ëndrrave. Ke ardhur kur unë kisha menduar që aq ishte, nuk ishe më, ti dilje diku, dhe gjunjët e mi nuk i përgjigjeshin llogjikës. Më beso, unë e dua shumë më shumë arsyen e logjikën se ty. Jam shumë më matematikë se ty. Por, ti je ti. E para teje matematika ime hap krahun dhe logjika ime ulet e dëgjon. Përpara faktit që ti je ti, edhe unë vetë jam dorëzuar.

Mua më merr malli për ty kaq shumë, po ti je kaq larg, larg nga unë, jo në kilometra, unë ato i zgjidh, je larg në mendje e zemër. E une ato s’i zgjidh dot. Ti je ëndrra ime më e bukur, po nuk je realiteti im. Nuk je jo sepse nuk e desha unë, apo nuk e deshe ti. Nuk je sepse nuk mundëm të dilnim mbi pikëpyetjet, nuk arritëm të dilnim mbi ‘llahtarin’ që kjo përralla e ëndrra të bëhej realitet. Nuk mundëm e nuk arritëm të dilnim mbi ‘Po sikur-et’ negative duke harruar të gjithë ato ‘Po sikur-et’ pozitive. Sa pak kemi mësuar.

Gjej veten sot duke thënë fjalinë: “Unë atë do e dua ndoshta edhe duke rritur fëmijët e dikujt tjetër.”

U bëra aq me nerva me ty, sa nuk di të të them. E megjithatë nëse do më dilje përpara në ato momente sërish do dridhesha, e sërish do të të pyesja: “Si je? A je mirë? ‘
Se të kam vënë ty të parë në çdo moment e situatë, duke tejkaluar edhe veten për të ditur si je ti. Sepse ti, je ti !

Pasi gelltita nervat sot, pata frikë një moment. Se ky universi ka një sens humori edhe të shëmtuar. Më lindi një ‘Po sikur..’ i ri. Po sikur, pas 10 vjetësh, të dal nga puna e të shkoj tek kopshti për të marrë djalin edhe të të ndesh makinën tënde tek hyrja e të të shoh që del me vajzën përdore? Po sikur mua të më dridhen sërish gjunjët, e ti të më shohësh sërish me të njëjtët sy?
A do ja kemi dalë mbanë arratisjes? A do ja kemi dalë mbanë ikjes me vrap nga frika?

Hajde pra, ma thuaj ti e ma shuaj ti kuriozitetin:

‘Po sikur? Po sikur unë e ti pavarësisht që e dyshuam çdo ditë të mund të ishim marrë vesh?

Po sikur unë e ti pavarësisht që na mungoi deri në rrëzë guximi për tu parë në mëngjes, të kishim njohur shumë më mirë njëri tjetrin në dritën e diellit?

Po sikur, pavarësisht çdo statistike, çdo historie, çdo pikëpyetjeje e pikëçuditeseje, t’ja kishim dalë?’

Edhe mbi të gjitha lërmë të të pyes që pavarësisht rrezikut për t’u humbur përfundimisht (nuk e di sa të ‘fituar’ jemi tani), po sikur o zemër të kishim qënë të lumtur?

Le t’i mbajmë me shëndet e t’i gëzojmë ‘Po sikur…-et’ shpirt, se ndërkohë jeta po vazhdon para syve tanë, e mua vazhdojnë të më dridhen gjunjët e t’i vazhdon të më shohësh njëlloj.
E mbajmë veten edhe për trima palé! Ndoshta Shqipërinë s’do na e pushtonte njeri, po kësaj dashurisë nuk patëm kurrë guximin t’i japim një te vetëm shans të na pushtonte siç vetëm ajo di!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com