Në fokus

October 4, 2018 | 12:49

Nga Anxhela Peza / Thashethemet, si të mposhtim frikën nga gjykimi!

Më the e të thashë… Papritur ti bëhesh shumë e rëndësishme, sepse njerëzit flasin për ty. Komentojnë çdo gjë të mundshme. Madje edhe sa herë ti ke pirë ujë gjatë ditës. Upss. E pse ndodh kjo? Mos ndoshta papritur ti ke njëfarë rëndësie në shoqëri dhe sulmet janë të llojeve të ndryshme? Një gjë është e sigurt, ti je MOTIVI i ditës dhe MENDIMI i natës.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Njerëzit ndihen më mirë kur flasin për dështimet ose gabimet e të tjerëve, ndihen më mirë sepse krahasojnë veten me ta dhe ndihen më të suksesshëm. Sipas psikanalizës, në pavetëdijen tonë dëshirojmë që të tjerët të vuajnë si ne. Vëmendja e theksuar te lajmet, disfatat e tjetrit, bëhet pikërisht për të plotësuar këtë dëshirë. Kur merremi me thashetheme, harrojmë problemet tona, pasi shohim se ka njerëz që vuajnë më shumë se ne. Thashethemexhinjtë përhapin një energji kaq negative deri në thithjen e mendimeve tek të tjerët.

Psikovampiri i thashethemeve, shteron energjinë e tjetrit duke i imponuar mendimin e tij. Nuk duhet të anashkalojmë rastet kur një histori duke u përgojuar shumë, merr zmadhim, dhe e vërteta është: “U bë qimja tra”.

Ka një etikë morale: Kur dikush të beson diçka, do ishte e udhës ta merrnit si vlerësim ndaj personit që ju ka besuar, dhe jo ta përdorni atë duke e thënë tek të tjerët. E më keq akoma, ta interpretoni siç doni ju, vetëm e vetëm të njollosni të tjerët.

Dobitë e thashethemeve:

Sipas studimeve të psikologëve, thashethemet për të tjerët apo lajmet e ndryshme argëtuese, bëjnë që qelizat e trurit aktivizohen për të stimuluar sekretimin e endorfinës, apo opiumi natyral i trupit, për të lehtësuar tensionin dhe dhimbjen, duke ngjallur ndjenjën e gëzimit. Kur bëjmë thashetheme, një pjesë e trurit tonë çliron dopaminë, një hormon që nxit entuziazmin. Shitja e thashethemit forcon miqësinë mes palëve. Sheshin e blejnë me “më the e të thashë”, kështu bëhen shoqe. Universiteti i Michiganit gjithashtu, ka zbuluar se për femrat thashethemet rrisin nivelin e progesteronit, hormon ky që zvogëlon ankthin dhe stresin.

Si të mundësh frikën nga gjykimi?

Jam e parimit se e vërteta del gjithmonë në shesh, dhe me kalimin e kohës, kur një njeri ka një sjellje dhe një bosht personaliteti të qëndrueshëm, nuk ka pse t’i druhet paragjykimeve që shpesh i merr era. Qëndrimet për sjelljet e caktuara të njerëzve ndryshojnë me kohën dhe sot ndryshojnë më së shumti sipas interesit të tyre.

  • Jini gjithmonë vetvetja.
  • Keni besimin brenda vetes suaj se ajo që bëni dhe mendoni është e duhura.
  • Mos u sforconi shumë për t’i pëlqyer të gjithëve. Kush është miku i të gjithëve nuk është i askujt.
  • Bëni paqe: mendimet e njerëzve janë të ndryshme.
  • Kur nuk keni brerje ndërgjegje, mos u vini në siklet për fjalë të pabaza dhe interpretime njerëzish që e kanë për zakon.
  • Merruni me gjëra që janë në dobinë tuaj, sepse sa më shumë të dëgjoni aq më tepër do mbeteni me shijen e hidhur.
  • Shumë gjëra janë gjykuar e kanë qenë tabu, por shumë shpejto janë ndryshuar.
  • Qëndroni pranë njerëzve me mendje të bukur, dhe kini dëshirën për t’i dëgjuar.
  • Kush të do të mirën, të sugjeron dhe nuk të gjykon.

Një gjë është e sigurt: njeriu që bën thashetheme është e vetmja mënyrë të jetë i rëndësishëm e të ketë “miq”.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top