Këshilla & Arsye

March 26, 2017 | 7:06

Nga Arjet Pervizi / Analiza e shakasë dhe lidhja e saj me të pavetëdijshmen sipas Frojdit

 

Shumë studiues e psikologë kanë bërë përcaktimet e tyre për shakanë. Frojdi ka cituar në librin e tij disa prej tyre, të cilat ai i ka menduar si më të arritura. Përkufizimi i parë vjen nga Krapelin, i cili thotë: “Shakaja është një lidhje apo bashkim i dy përfytyrimeve që konstatojnë njëri-tjetrin në ndonjëfarë mënyre, në shumicën e rasteve me ndihmën e asosacionit të të folurit”. Nuk bëhet fjalë për një kontrast të fjalëve me njëra-tjetrën brenda shakasë, por bëhet fjalë për kontrast në kuptimin që një fjalë që na duket e pakuptimtë, të dalë që ka shumë kuptim.

 

Arjet Pervizi Psikolog Klinik

Arjet Pervizi
Psikolog Klinik

Një tjetër përcaktim për shakanë, i cituar në librin e Frojdit është ai i Kantit, i cili thotë: “Një veçori e mrekullueshme e shakasë qëndron në faktin se ajo mund të na mashtrojë vetëm për një çast”. Me këtë ai shpjegon se shakaja mund të na mashtrojë dhe të na bëjë të qeshim vetëm për një moment, në momentin që e dëgjojmë, pastaj n.q.s duam, mund të kuptojmë shumë mendime të fshehura. Frojdi qe i pari studiues që bëri lidhjen e shakasë me të pavetëdijshmen. Librin e tij, ai e ndau në tre pjesë: pjesa analitike, pjesa sintetike dhe pjesa teorike.
Në pjesën e parë, atë analitike Frojdi do të fliste për teknikën dhe prirjet e shakasë.
Në pjesën e dytë, atë sintetike do të fliste për mekanizmin e kënaqësisë, psikogjenezën e shakasë dhe shakanë si proces shoqëror.
Ndërsa, në pjesën teorike Frojdi flet për marrëdhënien e shakasë me të pavetëdijshmen dhe ëndrrat.

Në pjesën e parë të librit, kur Frojdi flet për teknikat e shakasë dallon tre lloje teknikash, të cilat ndahen në metoda të ndryshme:
Teknika e parë është – “dendësim me fjalëformim të përzier”.
Teknika e dytë është – “përdorim i të njëjtit material”.
Teknika e tretë është – “shprehje me dy kuptime”.

1Teknikat e përmendura do të mundohem t’i konkretizoj me shembuj të përdorura nga Frojdi në librin e tij.
Teknika e parë: “dendësim me fjalëformim të përzier (me modifikim)”.
Shakaja e dendësuar: “Rotshild u soll me mua si me një krejtësisht të barabartë, krejtësisht familjonarisht.”
Shakaja e padendësuar: “Rotshild u soll me mua si me një krejt të barabartë, në mënyrë krejtësisht familjare, d.m.th, aq sa mund të bëjë një milioner”.
Tek shakaja e padendësuar shohim që pjesa e dytë e fjalisë – “aq sa mund të bëjë një milioner”, kufizon familjaritetin që jep fjalia e parë, por në momentin që fjalia e dytë reduktohet dhe zëvendësohet nga fjala e re, kufizimi nuk hiqet.
Neologjizmi – “familjonarisht” është formuar nga fjala familjar e fjalisë së parë (d.m.th shakasë së padendësuar) dhe rrokjet e saj të fundit janë marrë nga fjala ‘milioner’ e fjalisë së dytë. Duke zëvendësuar vetëm një pjesë përbërëse të fjalës ‘milioner’, neologjizmi zëvendëson fjalinë e dytë me fjalën ‘familjonaritet’ dhe e dendëson ne fjalinë e parë.
Kjo fjalë e përzier në ‘familjonaritet’, në vetvete e pakuptueshme, duke u bashkuar me këtë lidhje në të cilën ajo hyn, bëhet menjëherë e kuptueshme dhe plot kuptim, është bartëse e efektit të shakasë dhe na bën të qeshim. Autori, me anë të kësaj shakaje krijon edhe një shaka të dytë, por që ka kuptim vetëm në gjermanisht sepse: në gjuhën gjermane fjala është “Millionar” dhe fjala e dendësuar, po në gjermanisht del “Mellionarr” ku “nar” do të thotë “budalla”.

Teknika e dytë është: “përdorimi i të njëjtit material”.
Një nga metodat e kësaj teknike është: “të njëjtat fjalë të përdorura në kuptim të plotë dhe që kanë humbur kuptimin fillestar”.
Shakaja: Dy hebrenj takohen pranë një banje. “Ej, e more një banjë?” – e pyet njëri. “Si? – e pyet tjetri nga ana e tij, – vallë nuk mjafton një?”
Shpjegimi: Në këtë shaka, përdorimi me dy kuptime i fjalës “marr” është ai që humbet. Për njërin kjo është folje ndihmëse, ndërsa për tjetrin është folje në kuptim direkt.

Teknika e tretë është: “shprehje me dy kuptime”.
Një nga metodat e kësaj teknike është: “shprehje me dy kuptime(lojë fjalësh)”.
Shakaja: “Po, mburrjet janë një nga katër thembrat e Akilit tek ai”.
Shpjegimi: Një modifikim i vogël këtu qëndron në faktin që në vend të një thembre të Akilit, praninë e së cilës duhet pranuar, natyrisht e ka çdo hero, tek X konstatojnë katër.
Në pamje të parë shakaja tregon se X person po të mos u kushtonte vëmendje mburrjeve të tij do të ishte njeri i zgjuar, por në shaka përmenden katër thembra. Mirëpo katër thembra, pra edhe katër këmbë ka vetëm kafsha dhe në fakt del kuptimi i dytë, i cili shpreh se personi X është më shumë kafshë sesa njeri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top