Këshilla & Arsye

March 27, 2017 | 8:32

Nga Arjet Pervizi / Të kuptuarit e vdekjes nga foshnjëria në adoleshencë

Mendohet se humbja e njërit prej prindërve në fëmijëri nuk çon domosdoshmërish në devijim nga sjellja normale me rritjen e fëmijës, në rast se nevojat e fëmijës plotësohen me kujdes nga një specialist, i cili zakonisht ka të njëjtën gjini me prindin e humbur. Në rastin e humbjes së njërit prind, duket se përshtatja e prindit që mbetet, luan rol kryesor në atë se si do ta kapërcejë humbjen fëmija. 

Arjet Pervizi Psikolog Klinik

Arjet Pervizi
Psikolog Klinik

Humbja e një prindi ose e një njeriu tjetër të dashur, psikologjikisht të rëndësishëm, ka një ndikim të konsiderueshëm në shëndetin mendor të fëmijës. Përveç kësaj, duke jetuar në kushte të vështira, nuk është e lehtë që fëmija ta marrë veten nga humbja e njeriut të dashur dhe dhuna e organizuar e problemet që lidhen me të, e vështirësojnë plotësimin e kërkesave psikologjike të fëmijëve.
Në mosha të ndryshme, fëmijët e përjetojnë vdekjen në përputhje me nivelin intelektual, emocional dhe shoqëror të zhvillimit. 

1Foshnjëria (mosha 0-2 vjeç)

Foshnjat nuk mund ta kuptojnë vdekjen edhe pse ato mund ta kuptojnë mungesën. Ato reagojnë kryesisht ndaj emocionet e të tjerëve. Pa të folurën, bota e tyre kuptohet nëpërmjet përvojave fizike dhe emocionale. Mungesa përjetohet nga fëmija si shkak i humbjes së kontaktit fizik dhe mungesës së pranisë së prindit. Si të mitur në këtë moshë ata mund ta kuptojnë në një farë mënyre vdekjen, por kur të rriten ata mund të kërkojnë për të kuptuar ngjarjen më mirë dhe më hollësisht.

Reagime:

  • Qajnë shumë, përjetojnë stres, ankthin e ndarjes, gjithashtu shfaqin dhe probleme të të ngrënit
  • Kërkojnë vëmendje te tepruar nga prindi ose kujdestarët
  • Çrregullime të gjumit të tilla si, ëndrra të këqija dhe makthe
  • Regresion në sjellje

Ndërhyrje të dobishme:

  • Fëmija duhet të jetë në kontakt me njerëz të cilët do të mund t’i ofrojnë dashuri
  • T’i krijohet siguria, d.m.th fëmija të ndihet i sigurt dhe t’i sigurohet mbështetje emocionale
  • Bëhuni të durueshëm
  • Siguroni shpjegime të thjeshta dhe të vërteta

Parashkollorët (Mosha 2-6 vjeç)

Parashkollorët mendojnë se vdekja është e kthyeshme, jo e përhershme. Ata e kuptojnë vdekjen, si gjumë, të vdekurit janë në gjumë dhe do të zgjohen ose ata e mendojnë vdekjen si një udhëtim, ku i  vdekuri ka shkuar në një udhëtim dhe do të kthehet. Fëmijët në këtë moshë janë egocentrik dhe ata mund mendojnë se vdekja është shkaktuar nga një dëshirë vdekje apo se zemërimi mund të shkaktojë vdekje. Ata e quajnë veten fajtor për vdekjen. Në këtë moshë ata janë pasivë dhe më tepër të pazotë për të përballuar vdekjen, ata janë të varur nga të rriturit. Ata nuk janë shumë të zotë të kuptojnë çfarë ka ndodhur, nuk janë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve në imagjinatën e tyre dhe nuk mund të mos kenë frikë, siç mund të bëjnë fëmijët më të rritur. Ata qajnë dhe nuk qetësohen dot, duke kërkuar prindin që ka vdekur dhe kjo e shton edhe më shumë frikën e tyre. Megjithatë, fakti që nuk kuptojnë, është njëkohësisht një mbrojtje për ta dhe u jep mundësi të pyesin drejtpërdrejt për vdekjen. Midis moshave dy dhe pesë vjeç fëmijët gradualisht zhvillojnë perceptimin e vdekjes, si një fenomen i përhershëm dhe përfundimtar.
Meqenëse mendimi i tyre është konkret, ata kanë nevojë për shpjegime konkrete, për t’i ndihmuar për të kuptuar vdekjen.

Reagime:

  • Sjellja agresive dhe priren të formojnë çrregullime ankthi
  • Çrregullime të gjumit
  • Frika për t’u ndarë nga prindi ose nga kujdestari

Ndërhyrje të dobishme:

  • Përdorni fjalët e duhura. Përgjigjet duhet të jenë të thjeshta dhe të ndershme
  • Dëgjoni mendimet e tyre, imazhet, dhe përvojat
  • Dëgjoni pyetjet e tyre dhe përgjigjuni në mënyrë adekuate
  • Shpjegojini pse të rriturit përreth tij po qajnë
  • Përdorni fjalët: vdekur dhe vdekje. Mos përdorni fjalë të tilla si: është duke fjetur, iku larg
  • Të jetë i hapur për të diskutuar rreth vdekjes dhe fëmija të përfshihet sa me shumë të jetë e mundur. Nuk mund ta mbrojmë fëmijën nga realitetet e vdekjes, duke e mbajtur larg bisedave

2

Shkollorët (mosha 6-12 vjeç)

Mosha shkollore është mosha që fëmijët janë në gjendje të kuptojnë më mirë vdekjen fizike. Fëmijët në këtë moshë nuk shfaqin ndonjë kuriozitet në lidhje me aspektet biologjike të vdekjes. Ata e kuptojnë dhe e pranojnë se të gjitha gjallesat duhet të vdesin. Ata bëjnë pyetje pafund. Fëmijët mund të duken të rritur mjaftueshëm, por duhen përzgjedhur mirë fjalët dhe gjuha e përdorur duhet të jetë sa më e thjeshtë, dhe e saktë. Vdekja perceptohet si përfundimtare dhe e frikshme. Vdekja personifikohet si një person i veçantë apo një shpirt. Në këtë moshë koncepti i ‘vdekjes’ bëhet një nocion abstrakt dhe fëmijët kuptojnë pasojat afatgjatë të kësaj humbjeje. Në këtë moshë vdekja mund të shkaktojë, drejtpërdrejt ose indirekt, biseda me prindërit ose me mësuesit. Nganjëherë fëmija nuk reagon menjëherë me emocione të forta. Ai pranon humbjen gradualisht. Ky është mekanizmi mbrojtës, i cili e mbron fëmijën nga vërshimi i emocioneve.

Reagime:

  • Fobi ndaj shkollës, probleme të të mësuarit, agresion, tërheqje shoqërore, probleme me gjumin
  • Djemtë zakonisht tregojnë një rritje të sjelljeve agresive dhe destruktive
  • Fëmijët në këtë moshë mund të kontrollojnë shprehjen e emocioneve
  • Faji i tepruar dhe mohimi janë të zakonshme për këtë moshë
  • Dhimbje koke, dhimbje barku, ankth

Ndërhyrje të dobishme:

  • Mbështetje emocionale
  • Përgjigjet e pyetjeve që bëjnë fëmijët duhet të jenë të ndershëm, të sakta dhe të thjeshta
  • Përfshirja në ritualet mortore, por nuk duhet detyruar fëmija të marrë pjesë, vetëm n.q.s shprehen se duan të marrin pjesë
  • Lejoni fëmijët që të flasin me ju në lidhje me vdekjen dhe mos ngurroni ta bëni sa herë që jua kërkojnë
  • Jepuni atyre leje për të qarë, të ndjehen të mërzitur, të zemëruar. Mos i pengoni të shfryjnë emocionet

3Adoleshentët (12 vjeç dhe lart)

Ata janë në gjendje për të parë vdekjen ndryshe. Ata janë në gjendje të kuptojnë aspektet biologjike të vdekjes dhe mosfunksionimin e plotë të organeve jetësore. Ashtu si të gjithë fëmijët edhe adoleshentët, në rastet e vdekjeve të të afërmve kanë nevojë për inkurajim për të ndarë dhimbjen e tyre. Për sa i përket vdekjes së tyre, ata nuk e mendojnë për arsye se vdekja konceptohet së bashku me plakjen dhe plakja ndodhet larg. Nga fundi i adoleshencës personi fillon të mendojë për vdekjen në mënyrë më të thelluar ku në qendër është vdekja personale, pra fillon të mendojë për vdekjen e tij. Në këtë kohë adoleshenti fillon të kuptojë se vdekja do të shënojë fundin e shumë gjërave, ndërveprimeve shoqërore, marrëdhënieve etj, por gjithashtu ata pranojnë se vdekja është ligj i natyrës. Sa më shumë të shkojnë drejt fundit të adoleshencës, aq më shumë brengosen shpirtërisht për vdekjen. Një studim që është bërë rreth vdekjes konsistoi në përfundime të tilla që, adoleshentët më shumë se vdekja, i shqetësonte se çfarë do të ndodhte më pas. Sipas studiuesve, në periudhën e pjekurisë, të menduarit e shumtë rreth vdekjes në konceptin që me vdekjen përfundon gjithçka shkakton problem të rënda psikologjike.

Reagime:

  • Hidhërimi i pazgjidhur mund të çojë në sjellje më të rënda të tilla
  • Abuzime me drogën dhe alkoolin
  • Depresion, tërheqje shoqërore, ankth, ndjenja faji dhe ndjenja trishtimi, ndjenja zemërimi

Ndërhyrje të dobishme:

  • Të ketë një mik të mirë, dëgjues dhe një person mbështetës te fortë
  • Inkurajimi i komunikimit
  • Duhet t’i sigurojmë mbështetje emocionale
  • Sugjerojini të bisedojnë me një mik, këshilltar, klerik fetar, nëse është e nevojshme
  • Sugjerojini të shkruajnë një kujtim, duke shkruar poezi apo shkrim në ditar
  • Ofrojini libra të përshtatshim për të lexuar

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top