Më vjen gjithmonë si një memorie e pashlyeshme koncepti i heroit, i cili prezantohej me aq zell dhe nderim nga gjyshërit e mi. Vizitat e shpeshta tek lapidari i cili ndodhej disa metra larg vendbanimit tonë. Lapidari për ne si fëmijë ishte vend gati-gati i shenjtë, ku ne shkonim edhe si një formë nderimi, dërgonim lule dhe dhuronim një dedikim për heronjtë e rënë në luftë.
Imazhi i tyre ne sytë tanë si fëmijë glorifikohej aq shumë nga gjyshërit aq sa ne i perceptonim si heronjtë e përrallave, si shpëtimtarët e fronit apo si itharët më të mëdhenj të luftës për mbrojtjen e atdheut. Nga këtu lindin edhe mitet e para mbi heroin, padyshim se këto formësime tek secili nga ne janë të ndryshme por fëmijëria për secilin është pikënisja e formimit të koncepteve mbi lavdinë, modelet dhe heronjtë që më pas do të na frymëzojnë në jetë. Në më të shumtën e rasteve, heroi i kohës sonë lidhej me atdhedashurinë, heronj ishin ata të cilët kanë rënë në luftë me qëllim mbrojtjen e atdheut, kjo duke qenë se edhe periudha komuniste por edhe ajo e viteve të para post komuniste si pikënisje të ideologjisë kishte atdhedashurinë dhe vetëflijimin për hir të dashurisë apo të mbrojtjes së atdheut në raste kur kjo gjë do të kërkohej nëse një agresor i jashtëm do t’i kanosej vendit.
Aktualiteti i luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë na vuri edhe njëherë në vëmendje se koncepti i heroit ç’mitizohet atëherë kur heronjtë e vërtetë janë vetë populli, i cili solidarizohet në mbrojtje të pakushtëzuar të vendit të tij dhe vendos të vetëflijohet me qëllim të mirën dhe lirinë e përbashkët kombëtare. Në këtë kontekst, rezistenca mbarëkombëtare ukrainase vjen si një model heroizmi i veçantë në Europë por jo unik, ajo që i bën europianët të shquajnë këto modele është afërsia territoriale e kësaj lufte. Ajo që nuk është evidentuar, është fakti se heronj të çdo kohe ka patur edhe në luftërat në Lindjen e Mesme apo edhe në vende të tjera, ndaj duhet theksuar se heronjtë dhe modelet nuk janë të ndryshëm, aktet e tyre janë të ngjashme. Ajo që i bën heronjtë të afërt me njerëzit, duke i frymëzuar ata është afërsia me historinë tyre, me kombet e tyre si dhe me perceptimin e tyre mbi heroin e që i përket, i cili në mendësinë që ata kanë është më i lavdishëm sesa heroi të cilin ata nuk e njohin.
Koha na ka treguar se heronjtë janë të lavdishëm njësoj për nga përmasat e sakrificës së tyre e cila është e njëvlershme, dhënia e jetës për liri, për pavarësi kombëtare apo edhe norma e vlera që janë jetike. E thënë ndryshe, hero i jetës së përditshme është edhe dikush që sakrifikohet për familjen e tij, fëmijën, bindjet apo besimin, moralin dhe të vërtetën e tij.
Kjo sakrificë në më të shumtën e rasteve nuk lidhet vetëm me dhënien e jetës si dimension fizik, por sakrificën e mbinjeriut që ata janë, dhimbjes që fshehin, të huajsimit për një jetë më të mirë. Këto janë modelet më të mira të realitetit, që i shërbejnë përmirësimit të jetës sonë, heronjtë e vërtetë, nënat, baballarët, gjyshërit që lartësojnë heronjtë përgjatë fëmijërisë si dhe gjithkush tjetër që frymëzon rrjedhën e jetës sonë dhe modelet që ne ndjekim.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr178, muaji Prill
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.