Pika referimi

August 15, 2020 | 8:06

Nga Arsejda Gjyli / Dimensionimi i personalitetit

Çdokush nga ne mbart dy dimensione në individualitetin e tij. I pari është ana profesionale, pra ajo çfarë ne zhvillojmë në profilin tonë të karrierës, e po ashtu është ana jonë personale, e cila përbëhet nga relacione dhe koncepte të marrëdhënies ndërpersonale, ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes si dhe disa aftësi të fshehura, të cilat jo më pak përbëjnë atë që ne jemi por që jo në çdo rast e prezantojmë me të tjerët.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nëse në një qasje krahasimore do të analizojmë se cili nga aspektet ndikon më shumë atë që ne jemi apo priremi të përvetësojmë në formimin e personalitetit tonë, nuk do mundeshim dot nga ana empirike të masnim ndikimin e aspektit personal dhe ndarjen nga ai profesional. Gjithsesi, duhet thënë se zhvillimi i secilit nga të dy aspektet shkon paralelisht me tjetrin, dhe po ashtu personaliteti i njeriut është gjatë gjithë jetës në ndërtim e sipër.

Ajo që vlen të analizojmë në këtë punim është fakti se aftësi të caktuara të individit duhet të zhvillohen paralelisht me profesionin e tij. Arsimimi dhe edukimi përbëjnë bazën kryesore të konkretizimit të dijeve dhe prirjeve tona profesionale. Kësisoj, shkolla përbën mjetin kryesor të identifikimit të aftësive tona si dhe konkretizon specialitetin që priremi të studiojmë dhe ndjekim në rrugëtimin tonë profesional.

Shpeshherë, duke u përpjekur për t’i orientuar prirjet tona kah ajo çfarë kërkon tregu, i cili është tejet konkurrues qoftë në plan kombëtar apo global, ne zgjedhim profesione të cilat janë jo vetëm të ndikuara nga prirja e tregut por edhe nga tendenca familjare, shoqërore apo mjedisi adekuat ku rritemi. Duke ndjekur këto profesione, të cilët realiteti socio-ekonomik na i proklamon si më me prespektivë për të ardhmen, lëmë pas një prirje apo një aftësi jo shumë të kërkuar nga tregu, por që nëpërmjet së cilës do të ndiheshim më të realizuar.

Në këtë rast, deklaratat klishe se, të gjithë duhet të ndjekim pasionet apo se heqja dorë nga ajo çfarë ti do më shumë, të bën më pak të suksesshëm, shpesh shndërrohen në utopi të jetës reale. Individi duhet të vendosë një harmoni mes profesionit të tij dhe aftësive të tjera.

Aftësitë e fshehura mund të bëhen një vlerë e shtuar dhe një aset i jashtëzakonshëm jo vetëm në formimin e përgjithshëm të një individi, por edhe në ndikimin social apo kulturor të tij. Profesioni dhe aftësi të veçanta të tilla si poezia, piktura, administrimi i një biznesi social apo edhe vullnetarizmi, ecin paralelisht pa qenë nevoja për të bërë zgjedhje të prera mes njërës apo tjetrës. Aftësitë e njeriut, energjia për të investuar dhe zhvilluar vetveten, janë shtylla kryesore e mbështetjes së profesionit dhe formimit të personalitetit me gjithë ngjyrat që atë e karakterizon. Individi është në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të perfeksionimit të qenies së tij.

Kësisoj, duke shmangur paragjykimin dhe gjykimin ndaj preferencave apo prirjeve të secilit nga ne, do i lëmë njëri-tjetrit hapësira për të qenë më të realizuar dhe po ashtu, për të mos bërë zgjedhje definitive të asaj çfarë jemi dhe çfarë duam të bëjmë në të ardhmen.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top