Pika referimi

February 25, 2020 | 8:30

Nga Arsejda Gjyli / Egoizmi dhe individualizmi

Në një shoqëri kapitaliste të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, shpesh dëgjojmë se përgjegjësia sociale për të mirën e përbashkët gjithmonë e më shumë po zbehet, po ashtu edhe koncepti i përfitimit nga e mira e përbashkët, duke hequr dorë nga të mirat individuale.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Sot reklamohen më së shumti koncepte të tilla post-materialiste, të cilat janë prodhuar në shoqëri si pasojë e dorëheqjes nga kauzat e përbashkëta shoqërore në kurriz të përfitimit të aty për atyshëm individual. Në këto kushte, kur mirëbesimi tek politikat kolektive po bie dhe pasiguria për arritjen e suksesit dhe sigurisë ekonomike është në rritje, individi i kthehet vetes dhe forcon marrëdhëniet me ato ndjenja që e sigurojnë atë për të qenë i fortë dhe i pakonkurrueshëm në treg. Ky rregullim i individit realizohet përmes perfeksionimit të karakterit kah’ dija dhe vetëbesimi e plotësuar kjo me egoizmin dhe ambicien.

Në këto rrethana, ku nevoja për të qenë i suksesshëm është në rritje dhe dëshira për pushtet është e pakufishme, individi rrit mburojën e asaj çfarë ai ka arritur me një masë më të thellë egoizmi, e kjo jo në funksion të mbrojtjes së vetes por të aneksimit apo dëmtimit të tjetrit. Në këto rrethana dëmtohet aspekti social, familjar dhe emocional tek individi, duke e bërë atë gjithmonë e më shumë materialist dhe duke reduktuar lidhjen e tij me jetën vetëm në “më jep të jap”.

Për të kuptuar këtë qasje, e cila nuk lidhet vetëm me një element etik të egoizmit personal por edhe me një prirje shoqërore, le të analizojmë shoqërinë tonë. Na pasqyrohen dy modele, ai i kolektivizmit të familjeve shqiptare para viteve ’90 dhe atë që populli e etiketon largesë apo të ftohje të marrëdhënieve fisnore. Fillimisht, shoqëria shqiptare e diktuar tek kolektiviteti dhe marrëdhënia fisnore e jetesës së përbashkët, në vite ka prodhuar koncepte të ndrydhura të fanatizmit shoqëror apo mentalitar, konflikt ekonomik dhe mungesë pavarësie dhe lirie.

Hapja e shoqërisë, solli një prirje të individit me të cilën ai nuk ishte njohur më parë, privaten, diçka që është e jotja dhe të cilën duhet ta ruash ti e jo më shteti. Kjo ngjall një tendencë për t’u kthyer tek ajo që populli e quan largësi e njerëzve, egoizëm dhe individualizëm. Largësia nuk erdhi vetëm si një tendencë për emancipim por mbi të gjitha si një ndjenjë personale për siguri ekonomike kur nuk jemi më të barabartë mes të barabartëve.

E thënë ndryshe, mungesa e solidaritetit lidhet ngushtë me aspektin ekonomik, por edhe me elementin etik dhe mentalitar. Ulja e solidaritetit në këtë rast është element negativ për shoqërinë por largimi nga ndikimi mentalitar dhe moralist i shoqërisë kolektive përbën një hap emancipues. Egoizmi dhe individualizmi shkojnë në kurba të ndryshme me kauzat e përbashkëta shoqërore, por vlejnë si elementë të suksesit dhe emancipimit të individit në plan shoqëror dhe ekonomik.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 146

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top