Editorial

February 5, 2024 | 7:15

Nga Arsejda Gjyli: Eksperimenti social dhe shpalosja e natyrës njerëzore

Shpeshherë i ngremë pyetje vetes sesi do të reagonim nëse do të ishim pjesë e një eksperimenti social të çfarëdoshëm, sesi do të komportoheshim, cilat strategji do të ndiqnim, cilat do të ishin pikat tona të forta apo të dobëta?!

arsejda-gjyli

Po ashtu, është një mister i natyrës njerëzore për të aluduar rreth limitit që ne si qenie njerëzore kemi përballë sfidave të cilat përfundojnë me një shpërblim qoftë ai monetar apo pushteti. Në ç’pikë mund të arrijë njeriu përballë urrejtjes, neverisë apo edhe nëpërkëmbjes si efekt i një loje apo eksperiment? Një pikëpyetje e madhe është edhe fakti se deri ku mund të arrijmë ne si njerëz nëse na jepet liri për të bërë çfarë të duam me të tjerët, për t’u hakmarrë, për të nxjerrë komplekset tona apo edhe thjesht për të çliruar të keqen brenda vetes? A është liria në vetvete anarkia më e madhe për qeniet njerëzore?

Artistja dhe performuesja e famshme serbe Marina Abramović, arriti të konceptojë një eksperiment social i cili quhej Ritmi zero. Ky eksperiment vinte një turmë njerëzisht, të cilët nuk monitoroheshin nga kamera të ushtronin çfarëdo aktiviteti në trupin e artistes, me 74 objekte që ajo kishte vendosur në tavolinë duke filluar nga një trëndafil, pendë, parfum, mjaltë, bukë, rrush, verë, gërshërë, një bisturi, gozhdë, një shufër metalike dhe një armë të mbushur me një plumb, etj.

Njerëzit u rreshtuan përballë saj dhe filluan shumë ngadalë, duke vendosur trëndafil dhe parfum në trupin e saj, por në vijim, duke kaluar në vandalizëm teksa kryenin akte me ngjyrime seksuale, një prej tyre arriti ta printe në trup dhe t’i pinte gjakun, e në fund njëri prej tyre vendosi armën e mbushur me një plumb dhe me gishtin e saj në armë tentojë ta shkrepte atë, deri sa turma e rebeluar kaloi në përleshje brenda tyre.

Në këtë kontekst, ajo që testohet është limiti njerëzor, deri në çfarë pike mund të arrijë natyra njerëzore nëse iu jepet liria dhe leja për të bërë gjithçka me një individ të dorëzuar. Sa njerëz jemi, sa të aftë jemi të lëndojmë tjetrin dhe deri ku shkon kolapsi dhe çmenduria e psikologjisë njerëzore? Në këtë eksperiment arrijmë të kuptojmë se njerëzit kanë instinkte shumë të errëta brenda vetes, të cilat për efekt të të tjerëve apo dukjes i shtypin çdo ditë këto instinkte, por arrijnë të lëndojnë të tjerët në momentin që ata janë të pambrojtur dhe vulnerabël. Sa më i mbuluar të jetë identiteti i dikujt, aq më i predispozuar është ai për të ndërmarrë vendime të errëta, për të thënë të vërtetat apo edhe për të bërë keq. Sa më hapur të merren vendimet aq më të predispozuar janë njerëzit për t’u veshur me hipokrizi.

Eksperimente të tilla sociale janë parë gjithmonë në shoqëri, rasti i Big Brother, një format i cili shfaqet në media dhe pëlqehet në mënyrë të shfrenuar nga njerëzit, tregon se vetë shoqëria pëlqen lojën që bëhet me në epiqendër njerëz dhe ndjenjat apo veprimet e tyre. Këto formate tregojnë se deri në cilën pikë mund të shkojë kompromisi njerëzor për të fituar para dhe pushtet. Shfaqet gjithashtu hapur edhe fakti sesi urrejtja prodhon fobi kolektive, duke na treguar se shoqëria akoma nuk ka arritur ta tejkalojë materien dhe instinktin primar, i cili lidhet me logjikën e sundimit të më të fortit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top