Në një shoqëri që për dekada të tëra ka operuar nën strukturat patriarkale, koncepti i gruas si leader ose ndryshe gruaja “Boss” (Boss Lady), e konceptuar si figurë udhëheqëse, e pavarur dhe autoritare, nuk është vetëm një sfidë kulturore por një tronditje ndaj vetë mënyrës se si është ndërtuar perceptimi kolektiv për rolin gjinor. Shqipëria e pas tranzicionit ka qenë dëshmitare e një rritjeje graduale të zërit, ndikimit dhe pranisë së grave në pozita vendimmarrëse, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Por a është ky realitet një normalitet i ri apo ende një përjashtim që duartrokitet si heroizëm?
Stereotipi i gruas “Boss” shpesh keqinterpretohet si sinonim i arrogancës, kontrollit të tepërt apo ambicies së pakufishme. Kjo shpesh vjen si pasojë e një kulture ku burrëria shihet si autoritet i natyrshëm, ndërsa tek gratë, e njëjta sjellje etiketohet si “tepricë”. Në realitet, koncepti i gruas “Boss” nuk ka të bëjë me dominimin, por me zotërimin e vetvetes, me faktin që ajo është në gjendje të marrë vendime, të drejtojë, të krijojë dhe të ndikojë pa kërkuar leje dhe pa u ndjerë në faj për suksesin e saj.
Në Shqipërinë e sotme, ky koncept po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë, veçanërisht tek brezi i ri i grave profesioniste, sipërmarrëse, artiste apo aktiviste që nuk frikësohen të jenë zë, jo jehonë. Por ky rrugëtim është ende i ngarkuar me sfida të ndryshme sociale, ekonomike, kulturore apo përfaqësimi.
Përtej narrativës së fuqizimit, një vështrim realist mbi realitetin shqiptar tregon se gratë në pozita drejtuese përballen me barriera të shumëfishta si, skepticizmi i kolegëve, pritshmëritë shoqërore për të qenë “nëna ideale” dhe “shefe perfekte”, e deri te vështirësitë për të ndërtuar autoritet pa u gjykuar për sjellje “mashkullore”. Madje, edhe vetë përdorimi i termit “Boss” mbart një dimension të huazuar e paksa artificial në kontekstin shqiptar, si për të nënkuptuar se gratë duhet të adoptojnë një tjetër gjuhë për t’u legjitimuar si leader.
Në politikë, ndonëse përfaqësimi gjinor është përmirësuar ndjeshëm në letër, roli real i grave në vendimmarrje shpesh mbetet simbolik. Në shumë raste, gratë lidere gjenden në pozita ku duhet të provojnë veten më shumë se burrat, duke punuar dyfish për të fituar të njëjtin pozicion.
Në një shoqëri që shpesh i përqafon ndryshimet si trende të përkohshme, është thelbësore të kuptohet se fuqizimi i grave nuk është çështje mode, por drejtësi sociale dhe përparim real. Gruaja “Boss” nuk duhet të jetë një figurë e idealizuar. Ajo duhet të jetë normë dhe një realitet i pranuar, i mbështetur dhe i integruar në çdo nivel të jetës shoqërore dhe ekonomike.
Për këtë, nevojiten politika të qëndrueshme që mbështesin pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe politikë, por edhe një edukim i ri kulturor që nxit vajzat e reja të mendojnë për veten si udhëheqëse, jo si përjashtime të suksesshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

