Pika referimi

December 25, 2019 | 8:07

Nga Arsejda Gjyli / Liria e besimit…

Ndërgjegjja si e drejta e njeriut për të qenë i lirë në besimin e tij, në vërtetësinë e tij me veten dhe krijuesin, i konsideruar si autoriteti më i lartë i ekzistencës dhe arsyes, i ndëshkimit dhe shpërblimit, i përgjigjes së lutjes dhe përplotësimit të ekzistencës së njeriut si qenie dhe si krijim. Ky është modeli më i njohur dhe i aplikuar i besimit.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Përtej kësaj, shumica e filozofëve e kanë adresuar filozofinë e tyre në kërkim të së vërtetës, krijimit, ekzistencës, misterit të jetës dhe vdekjes, si dhe Zotit. Pra, besimi na paraqitet jo vetëm si një çështje klishe dhe morali, por më tepër si një zbulim i individit brenda vetes, si një e drejtë legjitime dhe absolute e një kërkimi fizik, por edhe shpirtëror i njeriut, në themelet e qenies së tij. Ka dy forma se si njerëzit e kanë interpretuar lirinë e tyre të besimit, së pari si besëtytni dhe produkt mirëfilli moral, e së dyti si një ndjenjë intelektuale dhe filozofike në zbulim të vetvetes si dhe nevojës së një entiteti superior për krijimin dhe shpjegimin e fenomeneve mistike në jetë, botë e univers.

Në këtë logjikë, mund të themi se shoqëria shqiptare e ndodhur përballë një momenti historik të periudhës komuniste, i cili mohoi në mënyrë ekstreme deri me konstituimin e ateizmit në jetën shoqërore, mbeti dhe vazhdon të mbetet në formën e parë, atë morale të besimit. Në realitetin shqiptar 45 vite i lënë pas me lirinë e ndërgjegjes, e me një mungesë të theksuar të lirisë së përgjithshme, sot përballemi me nje boshllëk të madh të botëkuptimit të besimit e po ashtu të jetuarit jetës si i lirë. Mungesa e kësaj lirie bëri që shoqëria jonë të përballet me forma të skajshme të shfaqjes së sjelljes përkundrejt moralit e të barazimit të besimit me moralin.

Gjithsesi, paçka tërë shfaqjeve ta skajshme morale, ne shohim se në shoqërinë tonë kemi qartësisht të dallueshme tre fe monoteiste, ritet e të cilave ndiqen gjerësisht, e po ashtu një harmoni krejt të natyrshme përmes respektimit të hapësirave të secilës prej tyre. Kjo harmoni mund të shpjegohet ose përmes mungesës së theksuar të aspektit fetar në shoqëri nga ku besimi na shfaqet si një trashëgimi dhe ushtrimi i saj si një detyrë prej mungesës së kësaj lirie në të shkuarën ose shoqëria jonë ka arritur në stadin e brendësimit të besimit si gjendje personale e ndërgjegjes dhe së vërtetës, lidhur kjo me aspektin më të lartë intelektual të kërkimit të së vërtetës.

Përgjigjja në këtë rast nuk është e njëanshme. Besimi në shoqërinë tonë është produkt i trashëgimisë dhe lidhjes shpirtërore, por mbi të gjitha, besimi është një nga elementët kryesorë të bashkimit, kjo lidhur edhe me faktin se realiteti historik, politik dhe kulturor kanë prodhuar mjaftueshëm faktorë për të ngjizur përçarje brenda realitetit tonë. Besimi në këtë rast nuk është eliksiri filozofik i kërkimit të së vërtetës, por një element thelbësorë për të qenë të bashkuar dhe solidar. Shqiptarët janë besimtarë të një lloji sa tradicionalist e të trashëguar, aq edhe të emancipuar edhe modern, kjo e lidhur me përdorimin e kësaj vlere morale si element i bashkimit kombëtar dhe ndërpersonal.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top