Lexoja diku në një faqe rrjeti social, diskutimin gati-gati banal të disa grave, se si do i ushqejnë fëmijët (nën retorikën se të bërit fëmijë është një mision jetësor e kaq!) e për rrjedhojë, diskutimi varionte se përse disa njerëz rekomandojnë të ushqyerit e fëmijëve me produkte të atilla që disa të tjerë nuk e përballojnë dot ekonomikisht, e kësisoj, diskutimi rrjedhonte te fakti se, shumica nuk kanë bukë të hanë.
Jam dakord se të bërit fëmijë është një e drejtë legjitime që ju ofrohet si një e drejtë për riprodhim, e për të lënë pasardhës gjithsecilit, edhe në rastet kur aplikohet planifikimi familjar.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se të gjithë ne detyrimisht duhet të bëjmë fëmijë me domosdoshmëri. Në retorikën e këtyre grave, ku theksohet fakti se ne mamatë tona na kanë rritur me bukë e ujë e në mjerim, unë do doja të jepja një përgjigje të tillë, e cila më rrjedhon nga një pyetje në fakt:
Përse të bësh fëmijë kur s’ke mundësi? Që të vuajë si i pabarabartë? Të sjellësh një fëmijë në jetë është përgjegjësi, dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë aftësi e personit t’i sigurojë atij minimumin e kushteve ekonomike, sociale e kulturore. Nuk është martesa një domosdoshmëri, dhe as fëmija nuk është një lojë egoje apo trend, siç e konceptojnë meshkujt e gratë shqiptare, ‘hajde bëjmë një kalama’ dhe kaq ishte misioni jetës. E madje fëmija nuk është thjesht produkt i rastësishëm i aktit seksual, por një vendim që, nëse e merr, duhet të jesh edhe vetë i realizuar në çdo aspekt, ose në të kundërt, mos e bëj fare e të popullosh botën kot.
Praktikisht, mund të duket një përgjigje deri diku e dhimbshme, po ja që rendi global sot të vendos përballë një zgjedhjeje të tillë, kur ti në koshiencë e ndjen që nuk do jesh dot i aftë të rrisësh dhe t’i përgjigjesh (qoftë edhe vetes) një fëmije!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.