Miti i gjithëkohshëm se viti i ri lidhet detyrimisht me një fillim të ri, e ka pikënisjen tek prirja njerëzore e shtyrjes së qëllimeve vetjake në të ardhmen. Shpesh, kjo çështje lidhet me mungesën e një vizioni të qartë apo me qëllimet e vagëta personale. Në këtë pikëpamje secili nga ne jeton në të ardhmen, duke i targetuar asaj arritjen e qëllimeve, sfidat me veten, ëndrrat dhe synimet, pa një ide të qartë apo një strategji konkrete për realizimin e tyre.
Nga ky këndvështrim, fillimviti, njëjtë si “të hënat”, fillimet e muajve apo çdo mit tjetër i fillimeve të reja, mbetet thellësisht obskurantist dhe gati-gati ngjan me një besëtytni, e cila pretendon ndalimin e një mëkati dhe fillimin e një jete të pastër. Kjo na ndodh shpesh me premtimet e pambajtura, të cilat ndonjëherë përfaqësojnë edhe problemet më të mëdha sociale apo individuale, të tilla si: fillimi i një diete, mospirja e cigares, e alkoolit, largimi nga një ves, ndarja nga bashkëshorti dhunues, denoncimi i një krimi apo padrejtësie publike, përmirësimi i vetvetes, fillimi i një iniciative të re, rritja e të ardhurave, etj.
Prej këtu, ajo çfarë duket si një problematikë e thjeshtë ndërpersonale shndërrohet në një çështje e cila ka një peshë të madhe shoqërore. Dëmi që ne i shkaktojmë vetvetes dhe shoqërisë lidhet me faktin se këto premtime “elektorale” krijojnë ndjenjën e iluzionit dhe vështirësisë në përmbushje si dhe jashtësimin e përgjegjësisë në çështje që kanë një impakt shumë të madh social.
Ndaj, duhet theksuar se prirjet individuale ndaj ndryshimeve dhe përmirësimit vetjak, por edhe iniciativave të reja, lidhen ngushtësisht me punën konstante për t’i realizuar, vullnetin dhe këmbënguljen ndaj atij qëllimi, progresin si dhe vendosjen e disa synimeve, të cilat vijojnë përgjatë gjithë vitit. E tërë kjo lidhur ngushtë me vetëdijësimin, se çdo vendim apo veprim personal, mund të bëhet promotor për ndryshime të caktuara sociale, duke ndikuar në disa fenomene si dhe duke ndërgjegjësuar për rëndësinë e impaktit individual në jetën shoqërore.
Si përfundim mund të themi se çdo fillim viti është një mundësi e re për secilin nga ne për të arritur objektiva të parealizuara, për t’u përmirësuar, për t’u ngritur më lart në plan personal dhe profesional por duke mbajtur në fokus intensitetin e investimit në këto qëllime për gjatë tërë vitit. Fillimviti nuk është thjesht stereotipi i mbajtjes së një shprese tek e ardhmja e pa shoqëruar me vullnetin dhe iniciativën personale, por është një mundësi e cila duhet të ndikojë në rritjen individuale dhe vetëdijësimin për rolin tonë në plan shoqëror.
Botuar tek “Revista Psikologjia”, Nr.174, muaji dhjetor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.