Ridimensionimi i vlerave dhe sfida e reformimit demokratik
Në dekadën e fundit, politika shqiptare ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku dinamika mes institucioneve dhe brezit të ri po merr një formë më të artikuluar dhe më substanciale. Rezistenca e të rinjve ndaj modeleve tradicionale të angazhimit politik shihet si një shprehje e natyrshme e pjekurisë demokratike dhe e kërkesës për modernizim të vazhdueshëm institucional. Të rinjtë nuk po qëndrojnë në periferi të politikës por po ndikojnë përmes një qasje më kritike, më profesionale dhe më të orientuar drejt rezultateve.

Një nga arritjet më domethënëse të këtij cikli politik duhet të jetë ridimensionimi i vlerave demokratike në funksion të standardeve bashkëkohore të qeverisjes. Parime si meritokracia, transparenca dhe llogaridhënia nuk duhet të mbeten më koncepte teorike por të kthehen në objektiva konkrete reformash. Në këtë proces, roli i të rinjve si katalizator i përmirësimit të politikave publike është thelbësor. Qeverisja moderne kërkon dialog të vazhdueshëm me brezat e rinj dhe ky dialog është bërë më i strukturuar përmes mekanizmave konsultativë, platformave digjitale dhe përfshirjes së të rinjve në administratë dhe vendimmarrje. Reformat politike nuk janë procese të menjëhershme por kërkojnë stabilitet, kohë dhe konsensus shoqëror. Në këtë kuadër, rezistenca e të rinjve duhet parë si pjesë e një procesi konstruktiv që ndihmon institucionet të identifikojnë mangësitë dhe të përmirësojnë performancën e tyre. Përmes reformave strukturore dhe hapjes graduale të proceseve politikbërëse duhet treguar vullnet për ta kanalizuar energjinë rinore në forma produktive dhe afatgjata. Kjo qasje shmang radikalizmin dhe garanton vazhdimësinë e reformave pa cenuar stabilitetin institucional dhe politik.
Viti 2026 paraqitet si një moment konsolidimi, duke prodhuar rezultate të një procesi reformues të ndërtuar mbi dialogun mes institucioneve dhe shoqërisë, veçanërisht brezit të ri. Nëse angazhimi i të rinjve, shndërrohet në forcë stabilizuese dhe inovative, do të tregojë edhe aftësinë e sistemit politik shqiptar për t’u rinovuar nga brenda, duke ruajtur koherencën dhe vizionin afatgjatë të zhvillimit demokratik. Fillimi i ri nuk vjen nga përmbysja e strukturave ekzistuese por nga përmirësimi i tyre i vazhdueshëm. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida e politikës shqiptare; të ndërtojë një demokraci që rritet bashkë me brezat që vijnë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

