Shpirti i vërtetë i shoqërive perëndimore është reagueshmëria. Të gjitha shoqëritë europiane dhe jo vetëm, reagojnë për çdo padrejtësi, mospëlqim apo gjithçka tjetër që bie ndesh me normat shoqërore, parimet dhe moralin, por mbi të gjitha me të drejtat e tyre. Ndryshimet më të mëdha shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike, kanë ardhur si pasojë e reagimeve masive publike, protestave, peticioneve apo revolucioneve.
Më së shumti reagimet masive vijnë nga rinia e cila është edhe grupi më energjik, reaksionar dhe idealist i shoqërisë. Megjithatë, që shoqëria të ndryshojë në terma evolucionarë, nuk kërkohet vetëm reaksioni
i rinisë për të thyer sisteme të caktuara, por mbi të gjitha shpirti i reagueshmërisë nga e tërë shoqëria. Por a është shoqëria shqiptare një shoqëri që reagon dhe i pëlqen ligjet e rregullat?
Me kohën edhe shoqëria jonë po merr një dimension ndryshe, pikë së pari e lidhur me parimet europiane të edukimit, faktin që shoqëria gjithmonë e më shumë po arsimohet, po vihet një lloj barazie gjinore por edhe të drejtave po ju vihet gjithnjë e më shumë një theks fondamental. Ajo që shihet si problematike në këtë pikë përveç këndvështrimit pozitiv dhe ndryshimeve të cilat kanë ardhur me kohën në shoqërinë tonë, është fakti se ne vazhdojmë të jemi një shoqëri e lidhur ngushtësisht me moralin dhe paragjykimin, hedhjen dhe pritjen e fajit tek tjetri dhe ankimimin përgjithësisht në struktura dhe rrjete sociale që nuk zgjidhin asgjë por bëhen produkt paragjykimi shoqëror.
Në këtë kontekst, gjykimi shoqëror për situata të caktuara nuk bazohet tek një analizë racionale e secilit nga ne mbi faktin sesi ne ndikohemi dhe influencohemi nga një politikë e caktuar, nga një ngjarje e caktuar dhe të reagojmë në rastet kur jemi të cenuar për të ndryshuar diçka por edhe të mos reagojmë në rastet kur një ndodhi nuk është në favorin tonë apo bëhet problem për target grupe apo individë të caktuar. Pra, shpeshherë nuk orientohen si duhet reagimet publike si pasojë e një papjekurie kulturore por edhe zhvillimore në shoqëri. Theksi në këtë pikë duhet të vihet tek të drejtat e njeriut, tek çështje të vendimmarrjes politike e cila afekton cilësinë e jetës sonë, në funksionimin institucional por edhe organizacional të strukturave të cilat janë përgjegjëse për të mirat publike, mënyra sesi ofrohen shërbime të caktuara. Ne nuk duhet të fokusohemi në reagimin moralist ndaj ngjarjeve të tilla si fituesi i
Eurovizionit, lojëra futbollistike ku shprehim reaksione patriotike, në reagimet të pa vlera në rrjete sociale për aspekte sentimentale apo ndërpersonale të individëve të caktuar, por ne duhet të reagojmë për çështje me interes publik dhe privat. Shoqëria shqiptare duhet të jetë vigjilente dhe e fokusuar në aspekte të rëndësishme të jetës dhe të kuptojë rolin e reagimit publik në rritjen e cilësisë së jetës individuale dhe shoqërore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.