Në fokus

October 24, 2019 | 8:20

Nga Aurora Çeliku Minga / Sjellja sociale kundrejt moshës së tretë

Duke qenë se jeta ecën përpara vrullshëm, ne pothuajse harrojmë të fokusohemi tek ata që shtruan rrugën ku brezat më të rinj ecin, mosha e tretë. Përveç faktit si shoqëria e trajton këtë moshë, dhe ç’pozicion i jep; po individët si e trajtojnë moshën e treta?

aurora celiku

Gjatë një kërkimi statistikash, është nxjerrë në konkluzion që vendet që trajtojnë më mirë moshën e tretë janë respektivisht: Zvicra, Norvegjia, Suedia, Gjermania, Kanadaja, Irlanda, Japonia. Në këto vende ka rregulla të atilla që mosha e tretë të shihet me respekt. Na çon pas në ato kohëra kur dikur në shkollë mësonim që në autobus të ngriheshim kur shikonim një person të moshës së tretë.

Por ashtu si çdo gjë tjetër, me keqardhje duhet të pohojmë që edhe sjellja e individit ka ndryshuar. Një sekuencë për shembull është fakti që, nga një gjeneratë në tjetër, në sistemet e edukimit është gjithmonë e më pak e dukshme prania e njerëzve të moshës së tretë si persona shumë të rëndësishëm të shoqërisë. Autorët e teksteve shkollore nuk kanë pse mos kthehen e të shkruajnë për personazhe të moshës së tretë që tejçojnë mesazhe shumë të rëndësishme për jetën kaq të ngarkuar.

Në këtë mënyrë gjeneratat e reja i shohin gjyshërit e gjyshet jo vetëm për interes e si persona që dinë të kujdesen për nipërit e mbesat. Tek brezi i ri duhet të pasqyrohet që këta gjyshër e gjyshe dikur kanë qenë njerëz energjikë dhe kanë shumë përvojë. Këtu nuk duhet të harrojmë dhe punën e prindërve që të mbjellin tek fëmijët respektin për çdo person të moshës së tretë. Një fakt tjetër i përditshëm ka të bëjë me termat që vënë në dukje moshën e tretë si p.sh: Njerëz Pleq, Pleqtë, ose edhe përdorimi brenda në familje, Plaku, Plaka, qoftë kjo dhe në kuptimin jo negativ, sërish ka të bëjë me sensitivitetin ndaj kësaj moshe.

Individët duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj moshës së tretë dhe për ta realizuar këtë, thjesht ata s’duhen harruar. Ata duhen konsideruar në bisedimet e problemet familjare, të pyeten për ndonjë këshillë a sugjerim, të shpenzohet një kohë e caktuar me ta dhe pse jo, t’u thuhet edhe me fjalë respekti dhe mirënjohja. Asnjë nga ne s’duhet të harrojë se drejt asaj rruge shkojmë të gjithë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top