Marrëdhënie

April 22, 2017 | 10:12

Nga Besarta Taçi / Menopauza & andropauza

Një shekull përpara, jeta mesatare ishte rreth 48-50 vjeç. Sot njerëzimi në të njëjtën moshë, përtej angazhimeve profesionale, personale dhe sociale, përjeton një periudhë delikate të jetës, e cila ka tërhequr vëmendjen e psikoseksologëve. Ora biologjike sjell çdo femër dhe mashkull në këtë moment kaq delikat, të ashtuquajtur menopauza për femrat dhe andropauza për meshkujt. Diferenca më e rëndësishme midis dy eventeve jetësore është se, nëse për femrën menopauza shënon mbarimin e periudhës së riprodhimit, për meshkujt kjo mundësi vazhdon ende.

Besarta Taci Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Besarta Taci
Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Ky event prezantohet në çdo femër edhe pse me varësi moshe, kurse frekuenca tek meshkujt është ndryshe, (10-50%) nga 40-50 vjeç dhe përqindja rritet intensivisht pas moshës 65-70-vjeçare. Mënyra se si dy gjinitë e përjetojnë këtë event, varet nga shumë aspekte: biologjike, psikologjike, personale dhe relaksionale, ashtu si faktorët kulturorë dhe aktiviteti seksual në fazën e mëparshme.

Çfarë ndodh në trupin e një femre rreth moshës 50-vjeçare?

Shpeshherë dëgjojmë mungesë dëshire, ndjesi vape, shtim në peshë, nervozizëm, depresion, dhimbje vaginale dhe mungesë të raporteve seksuale. Një kërkim evropian ku janë përfshirë 400 çifte nga 9 shtete, tregon se në 10 gra, 4 prej tyre kanë probleme seksuale, 50% e tyre nuk i shprehet më partnerit dhe nuk kërkon ndihmë te specialisti, 80% e burrave dëshiron të informohet mbi andro dhe menopauzën. Konkretisht, rreth kësaj moshe ulet sasia e prodhimit të estrogjeneve, të cilët ushqejnë të gjitha indet vaginale dhe predisponojnë drejt plakjes strukturën e organit gjenital. Rënia e estrogjeneve ul edhe prodhimin e serotoninës, e cila shkakton efekte të drejtpërdrejta te rregullimi i gjendjes së humorit dhe zhdukjes së dëshirës seksuale. Pra, hormonet luajnë një rol themelor në ekuilibrin psikofizik tek femra, e cila në shumicën e rasteve shfaq probleme lokale si: atrofia vaginale (pakësimi i lubrifikimit të mukozave vaginale, vështirëson ose nuk lejon aspak penetrimin); humbja e fibrave elastike që rrethojnë vaginën; dobësi drejt infeksioneve. Efektet tek jeta intime dhe bashkëshortore janë të menjëhershme, sepse tek femra moslubrifikimi shkakton dhimbje, ulje të dëshirës seksuale, mungesë eksitimi, orgazëm dhe njëkohësisht, te mashkulli mund të shfaqen vështirësi erektive, ulje të dëshirës dhe eksitimit. 

114815_kakeknenekNdryshimi hormonal bashkë me përjetimin e idesë së fundit të riprodhimit, krijon terrenin e disa çrregullimeve të humorit te femra, si nervozizëm apo në raste të tjera, depresion. Këto situata e vendosin çiftin në vështirësi dhe shpeshherë në disa kriza identiteti, sepse bie në mënyrë drastike frekuenca e raporteve seksuale. Meshkujt përjetojnë një situatë analoge. Pas të 40-ve, testosteroni fillon e pëson një ulje progresive, deri në moshën 65-70-vjeçare, si dhe ulet prodhimi i androgjenëve. Sot një mashkull 50-55-vjeçar mund të shfaqë disa nga këto shenja të zakonshme: ulje të volumit dhjamor dhe forcës muskulore; përqendrim të masës dhjamore te zona abdominale; vështirësi gjumi; vështirësi në kujtesë me kohë të shkurtër; më pak densitet mineral te kockat (deri tek osteoporoza); ndryshime të gjendjes së humorit; rënie të dëshirës seksuale; ashtu si vështirësi erektive deri te shfaqja e depresionit. Pra panorama e kësaj moshe duket e vështirë, sepse hormonet luajnë një rol drejtues gjatë gjithë jetës tonë. Në këtë fazë të jetës sot, progresi shkencor ka arritur ta zgjasë jetëgjatësinë deri në 85-90 vjet. Pra, pas menopauzës ekziston një pjesë e konsiderueshme jete, e cila ka nevojë të shfrytëzohet në maksimum, sidomos me partnerin. 

Kush është terapia e këshillueshme për andropauzën dhe menopauzën?

Sigurisht që nuk mund të kemi rezultate të menjëhershme nëse nuk bëjmë një vizitë te gjinekologu, andrologu dhe urologu për të kuptuar nivelin e hormoneve në trupin tonë. Pas rezultateve të analizave hormonale, mjeku mund të vendosë për një terapi hormonale zëvendësuese dhe të nënshkruajë përdorimin e një lubrifikanti. Për disa situata zgjidhet këtu, për shumë të tjerë, vështirësitë vazhdojnë. Është e rëndësishme të kontaktojmë një psikoseksologe dhe të shprehim vështirësitë dhe ndjesitë tona në këtë periudhë. Shpeshherë ashtu si pacientët më rrëfejnë, ikja e fëmijëve nga shtëpia, tashmë të rritur, nxjerr në sipërfaqe konflikte shumë të hershme me partnerin. Fakti që seksualiteti pëson një ulje drastike për disa çifte është motiv zënkash, shumë të tjerë nuk komunikojnë dëshirën për afërsi dhe heshtin ose largohen në këtë periudhë. Çifte të tjera përjetojnë një situatë sikur të ishte “vdekja e seksualitetit” në rastet kur njëri ose të dy shfaqin shenja depresive. Në këtë periudhë çifti ka nevojë për disa ndryshime të brendshme. Në këtë fazë delikate rregullat kanë nevojë të ripërtërihen. Është e nevojshme të flisni për vështirësitë tuaja psikofizike, të tregoni se si dëshira juaj ka ndryshuar dhe se si manifestimi i ledhatimeve ndryshon perceptimin e trupit tuaj. Në këtë periudhë ku keni më shumë kohë për njëri-tjetrin, shfrytëzojeni në maksimum. Organizoni darka apo shëtitje me njëri-tjetrin, uluni dhe flisni ballë për ballë për situata që nuk i keni shprehur akoma, kërkoni ndihmën e një psikologu ekspert në terapi çifti. Nëse keni vështirësi komunikimi ose vëreni që nuk keni motivim për asnjë aktivitet me veten ose personat përreth. Jepini liri fantazive tuaja seksuale, tanimë që keni shumë vite me partnerin dhe njiheni intimisht. Mundohuni të bëni aktivitet sportiv ose ecni bashkë të paktën 30 minuta çdo ditë. Përfitimet e ecjes do t’i ndjeni në trup, mendje dhe në lidhjen në çift. Kjo është një fazë tranzicioni. Mundohuni t’i shprehni ndjesitë negative partnerit, ndoshta më shumë se kurrë do të ndjeheni të kuptuar, nga fakti se dhe ai/ ajo po kalojnë një fazë analoge. Shprehni ndjenjat që të arrini të jetoni më së miri fazat e tjera të jetës.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.110

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top