Nga Blerina Mema, psikologe
Kur do të përfundojnë hallet e këtij komuniteti? Për atë të romëve e kam fjalën! Duket se janë më të vuajturit e këtij vendi! Heshtja më e madhe kundrejt tyre duket se është! Të këtyre njerëzve me një mal me halle, por kaq të mirë e të ëmbël. Shpeshherë ndodh të të kujtojnë se mirësia e dashuria gjendet akoma ndër njerëz, po, po, sepse ata janë të veçantë e plot shpresë. Heronj është pak të thuhet!
Në territorin e Shqipërisë, krahas shqiptarëve banojnë edhe disa grupe të tjera etnike, si grekët, maqedonasit, malazezët, vllehët, romët dhe egjiptianët. Madhësia e këtyre grupeve është ende e paqartë. Ndërkaq, burime të pavarura thonë se këto grupe në Shqipëri përfaqësojnë rreth 5% të popullsisë (Bërxoli, 2001). Në ndryshim nga grupet e tjera etnike, romët nuk kanë një atdhe historik, nuk kanë përfaqësi diplomatike ose marrëveshje dypalëshe për mbështetje apo shkëmbime kulturore dhe ekonomike afatgjata. Duke pranuar rëndësinë e integrimit të plotë, në vitin 2008 Shqipëria u bë pjesë e Dekadës së Përfshirjes së Romëve (2005- 2015), një përpjekje 10-vjeçare për t’i përfshirë ata në gjirin e shoqërive europiane.
Origjina e tyre
Sipas burimeve historike, antropologjike dhe gjuhësore, ata e kanë origjinën nga India Veriore. Studimet tregojnë se gjuha e tyre, e quajtur romani, është një gjuhë indiane, e ngjashme me sanskritishten, gjuha nga e cila e kanë origjinën edhe gjuhët e tjera që fliten sot në Indinë Veriore (Liegeois, 2009). Romët migruan në valë të njëpasnjëshme nga India Veriore drejt Europës duke filluar që nga shekulli i 9-të (Mann, 1993) e deri në shekullin e 14 të e.s. Ndonëse nuk dihen shkaqet e këtij migrimi, rrugët e shtegtimit janë të njohura. Dokumentet e pakta historike dhe evidencat gjuhësore tregojnë se romët erdhën përmes Persisë dhe Kaukazit, përmes Perandorisë Bizantine në Ballkan dhe që andej u shpërndanë në vendet e tjera të Europës (Ringold et al., 2003).
Sipas disa burimeve kroate, disa familje rome duhet të kenë mbërritur në Ballkan rreth shekullit të 14 (Kolsti, 1991) dhe janë vendosur në territorin shqiptar rreth shekullit të 15-të. Romët në Shqipëri njihen me emra të ndryshëm. Në veri të vendit, ata njihen me emrin gabelë, në jug si arixhinj dhe në Juglindje (Korçë, etj) si kurbatë. Të gjitha këto janë diskriminuese gjithsesi!
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, thuajse gjysmë milioni romë nga vende të ndryshme të Europës u ekzekutuan ose u vranë në kampet naziste të përqendrimit (Ringold et al., 2003). Në Shqipëri, trajtimi i tyre ishte më i mirë se sa në vendet fqinje, ku përveç internimit në kampet naziste, romëve iu duhej të përballeshin edhe me spastrim etnik. Për numrin e popullsisë rome në Shqipëri nuk ka statistika të plota dhe të sakta; gjithsesi, sipas përfaqësuesve të organizatave rome në Shqipëri dhe studimeve të bëra nga institucione të pavarura, shifrat variojnë nga 90 deri 120 mijë. Shumica e minoritetit romë jeton në zonat urbane dhe në rrethinat e qyteteve.
Europa është kontinenti me numrin më të madh të komunitetit romë, një nga grupet më vulnerabël të shoqërisë.
Margjinalizimi i vazhdueshëm i romëve dëmton potencialet e Evropës.
Arsimi është çelësi për përfshirjen e romëve si qytetarë të barabartë dhe aktivë. Edhe pse ka pasur ndryshime thelbësore dhe pozitive, megjithatë ato kanë qenë të ngadalshme. Në mbarë botën, 72 milionë fëmijë të moshës 9-16 vjeç nuk shkojnë fare në shkollë dhe shumë nxënës të tjerë e braktisin shkollën pa e përmbushur ciklin e tyre edukimit.( PNUD, 2002). Mungesa e frekuentimit të rregullt dhe braktisja e shkollës janë në nivele shumë të larta. Varfëria dhe traditat, në shumicën e grupeve rome krijojnë pengesa për edukimin e fëmijëve romë.
Diskriminimi dhe paragjykimi janë shkaktarë shumë domethënës të këtij ndryshimi thelbësor në aksesin ndaj edukimit. Sistemi i edukimit i shumë vendeve, përjashton nga shoqëria fëmijët romë në moshë të hershme dhe bëhet pengesë për marrëdhëniet mes fëmijëve romë dhe atyre jo romë.
KiE lançoi në vitin 2001 një projekt për edukimin e fëmijëve romë, duke inkurajuar praktikat e mira për përfshirjen e fëmijëve romë në shkolla të përgjithshme dhe jo duke ngritur për ta klasa apo shkolla special. Kjo është tepër diskriminuese, dhe jo ashtu siç pretendohet! Ndërmarrja e veprimeve për përmirësimin e arsimit në mënyrë që të përfitojnë fëmijët romë, do t’i ndihmojë nxënësit romë të bëhen anëtarë produktivë dhe të respektuar nga komunitetet e tyre, vendet e tyre dhe nga komuniteti i madh evropian dhe shoqëritë e mëdha në të cilat ata jetojnë
Disa statistika për evolimin e arsimimit te tyre
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, romët karakterizoheshin nga një nivel shumë i lartë analfabetizmi. Tradita nomade dhe mënyra e tyre e veçantë e jetesës, varfëria dhe diskriminimi ishin disa nga faktorët që e shpjegonin këtë situatë. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, duke përshkruar nomadizmin e romëve, Hasluck (1938) vërente se ata nganjëherë “vendoseshin në një qytet për disa muaj”, por pastaj i riktheheshin përsëri “jetës së çadrës”. Në këto kushte, arsimimi i fëmijëve romë ishte diçka e vështirë. Stuart Mann (1933) vërente se “shumë nga fëmijët e tyre shkonin në shkollë”.
Niveli arsimor i romëve u përmirësua dukshëm gjatë periudhës socialiste, si pasojë e politikave arsimore dhe masave që u morën për t’i integruar ata në shoqëri. Vendosja e romëve në vendbanime të qëndrueshme gjatë viteve ‘60, punësimi i plotë dhe i garantuar, strehimi dhe përmirësimi i standardeve të jetesës u pasqyruan edhe në rritjen e nivelit arsimor të tyre (De Soto et al., 2005). Një studim i UNICEF-it (2007) tregoi se niveli i analfabetizmit për individët romë që kanë sot moshën 35-45 vjeç, domethënë që u futën në institucionet arsimore gjatë viteve 1973-1983, u ul në 30,6 %. Kurse vitet mesatare të shkollimit, për ata që vazhduan shkollën, ishin 6,6 vjet. Gjatë tranzicionit post socialist, niveli arsimor i romëve dhe egjiptianëve u përkeqësua. Papunësia e lartë dhe varfëria, diskriminimi dhe përjashtimi shoqëror, u pasqyruan në uljen e nivelit të tyre arsimor. Në vitin 2011, sipas të dhënave të anketës, 56,5% e romëve ishin analfabetë. Arsimin fillor e kanë përfunduar 25.3% e romëve, ndërsa atë 9-vjeçar e kanë përfunduar 15.9% e romëve. Një përqindje shumë e vogël e romëve (2.4%) kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë.
Disa nga shkaqet e problemeve te tyre me arsimin
Duke u bazuar në diferencat gjinore, femrat e frekuentojnë më shumë shkollën sesa nxënësit meshkuj. Sidoqoftë mbetet për t’u vlerësuar më tej!
Niveli i ulët ekonomik i romëve është nga faktorët kryesorë për mosfrekuentimin e arsimit nga ana e fëmijëve ose të braktisjes së shkollës. Kushtet e jetesës së familjeve rome i detyrojnë prindërit t’i largojnë fëmijët nga shkolla, pasi nuk arrijnë t’u plotësojnë kushtet minimale të jetesës fëmijëve të tyre si: ushqim apo veshmbathje. Nisur nga vështirësitë ekonomike, fëmijët romë shkëputen nga shkolla pasi kryejnë punë të ndryshme, duke ndihmuar prindërit e tyre në aktivitetet e ndryshme ekonomike që ata ushtrojnë. Ky fenomen që çon në braktisjen ë shkollës nga fëmijët sidomos kur përfshihen ne punë të rrezikshme, kryesisht lypja etj.
Diskriminimi në shkolla është një fenomen i cili i largon fëmijët nga shkolla, pasi nuk arrijnë të socializohen me pjesën tjetër të klasës dhe nuk gjejnë mbështetje nga mësuesit. Komuniteti luan një rol të rëndësishëm në jetën e fëmijëve romë. Jo pak herë komuniteti ushtron presion për ata fëmijë të cilët e vazhdojnë ciklin e tyre arsimor. Ky presion i vazhdueshëm kundrejt këtyre fëmijëve ndikon deri në ndërprerjen e shkollës. Edhe brenda komunitetit të tyre!
Frika për ndërprerjen e shkollës është më shumë për vajzat rome krahasuar kjo me djemtë, të cilat frekuentojnë shkollën. Kjo frikë vjen si pasojë e kulturës dhe normave të komunitetit rom.
Edhe me prindërit e tyre ka probleme…
Prindërit romë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka arsimimi i fëmijëve në jetët e tyre dhe ta shikojnë atë si zgjidhje të shumë problemeve në jetën e fëmijëve dhe jo si pengesë për ta. Padyshim që në këtë drejtim duhet punuar nga organet përkatëse. Mospërfshirja e fëmijëve ne arsim për shkak të ushtrimit të punëve të vështira së bashku me ta mbetet sigurisht një përgjegjësi e madhe e prindërve, por jo vetëm!
Fëmijët nuk duhet të përdoren nga prindërit dhe familjarët e tjerë si burime fitimi të jetesës. KJO ËSHTË E PADREJTË!
Çfarë mund ta ndihmojë këtë komunitet kaq të përvuajtur?
Duhet të sheshohen barrierat diskriminuese brenda komunitetit për fëmijët më të arsimuar, kryesisht vajzat, që kjo të mos bëhet pengesë në jetën arsimore të fëmijëve.
Të rishikohet strategjia për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom, veçanërisht strategjia për arsimimin e tyre.
Të rritet sensibilizimi i prindërve romë për rëndësinë e arsimit të fëmijëve të tyre, duke shtuar kontaktet me prindërit, duke shpërndarë informacione sensibilizuese, duke servirur modele të suksesshme.
T’u ofrohet fëmijëve romë jo vetëm një ambient jodiskriminues, por edhe i ngrohtë nëpër klasa duke i përfshirë në procesin arsimor dhe duke i afruar me fëmijët jo romë.
Evidentimi i rasteve të diskriminimit në shkolla dhe sheshimi i këtyre problemeve duhet të jetë në fokus të drejtorive të shkollave dhe e të gjithë komunitetit të romëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.