“Ajo thellë-thellë e ndjente se mami i saj nuk do të shpëtonte nga ajo sëmundje, që ta merr shpirtin ngadalë dhe vuajtshëm. Atë natë, nuk donte të vishte as rrobat e zeza, sepse aq e papranueshme ishte për të mendimi i vdekjes së nënës edhe pse vetë ishte nënë e dy vajzave. Kur iu afrua shtëpisë, që dikur ishte e nënës së saj, babai i dha lajmin që ajo gjatë gjithë rrugës lutej mos ta dëgjonte. Unë si vajza e kësaj nëne, që po vajtonte nënën e saj, për herë të parë përjetova ankthin e humbjes së personit më të rëndësishëm në jetë.”
Të studiosh mbi vajzat apo gratë që kanë humbur nënën nuk është e lehtë, sepse përfshihesh emocionalisht, edhe pse objektiviteti duhet të ruhet fort siç e thonë studimet psikologjike.
Për shkrimin e këtij artikulli u bazova tek studimi i Anne Tracey (2011), marrë nga “Perpetual loss and pervasive grief”. Arsyeja pse u jepet rëndësi dhimbjes së vajzave, ndikimi që lë tek ato vdekja e nënës, është se janë vajzat ato që e shprehin, dhe e tregojnë më shumë trishtimin që po përjetojnë, ndryshe nga djemtë, të cilët e fshehin më lehtë dhimbjen. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk vuajnë për këtë humbje.
Vdekja e nënës në periudhën e fëmijërisë ndikon në:
Nivele të larta ankthi
Vetëvlerësim të ulët
Humbjen e kontrollit në përditshmëri
Ndjenjën e pashpresës, zhgënjimit, trishtimit
Rritjen e rrezikut për t’u prekur nga depresioni, etj.
Është një humbje dhe një pikëllim i përjetshëm. Gjatë gjithë kohës, fëmija do të kërkojë informacion për nënën e vet, sëmundjen e saj dhe momentin e fundit të ndarjes nga jeta.
Gjërat nuk janë më si më parë. Ato tashmë marrin një rrjedhë tjetër. Ndryshon komplet mënyra e të jetuarit. Tashmë, personi që të dha jetën, që të thotë çdo ditë “mirëmëngjes” dhe të jep çdo natë puthjen e natës së mirë, nuk ekziston më. Ndoshta, ajo rikthehet në ëndrrat e fëmijës, nga ku projekton dëshirat e saj për ta pasur nënën pranë në çdo ngjarje të lumtur, apo në momentet që ndihet e rrezikuar. Ndaj, këtu preket sensi i të qenit e pasigurtë me gjërat që të rrethojnë dhe frika e humbjes e personave të tjerë, po njësoj të dashur dhe të rëndësishëm.
Por e kaluara, që përfshin një humbje kaq të madhe, është diçka që të mëson të ecësh përpara dhe të mos dorëzohesh. Që një fëmijë të përballet më lehtë me vdekjen e nënës, duhet të dëgjohet, t’i ofrohet mbështetje dhe të lihet të shprehë pikëllimin, sepse shtypja e emocioneve ka pasoja më të mëdha në vitet në vazhdim.
Prindin tjetër, babai në këtë rast, nuk duhet të fshehë trishtimin e tij në sytë fëmijës. Padashur, ai i mëson fëmijës se dhe vetë ajo nuk duhet të shfaqi emocionet e veta. Shfaqja dhe diskutimi mbi zemërimin, trishtimin apo çfarëdolloj ndjenje tjetër që lidhen me këtë humbje, duhet të bëhet bashkë baba-fëmijë. Përkujdesja dhe mbështetja e prindit tjetër, e bën më të lehtë përjetimin e humbjes së nënës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.