Nuk ka strategji më të mirë sesa të veprojmë me urtësi dhe qetësi, të ecim me shikimin drejtë dhe zemrën e qetë, duke e ditur që ka situata apo njerëz që nuk ja vlen “Barra qiranë” për të menduar për shumë kohë. Fitorja më e madhe është ti buzëqeshim urrejtjes, të mbysim zemërimin dhe ti tregojmë të gjithëve që mund të jemi të lumtur.
Hakmarrja na tërheq, dhe nganjëherë e justifikojmë. Por cilat janë ato procese psikologjike, pjesë e hakmarrjes?
Shumica prej nesh, në një moment të jetës tonë, jemi ndjerë të lënduar, të fyer apo të pakënaqur në atë masë saqë kemi menduar se si të marrim hak ndaj atyre personave që na kanë bërë të ndihemi në atë mënyrë. Në këtë pikë pjesa jonë morale humbet në dhimbje dhe fillon të përfytyrojë situata në të cilat dhimbja që ndiejmë ti rikthehet personit që na e ka shkaktuar atë.
Ajo që duhet theksuar është fakti që hakmarrja nuk ka asgjë të përbashkët me moralin. Hakmarrja është një impuls i cili shkarkon zemërimin dhe urrejtjen.
Mund ta kuptojmë më mire tek krimet, më shumë se gjysma e tyre kryhen nga mllefi që grumbullohet ndaj dikujt dhe dëshirën e shprehur për të kryer një hakmarrje. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se hakmarrja më e mirë nuk ekziston, sepse përtej rezultateve që ne mund të arrijmë me të, ne kthehemi në agresor duke marrë të njëjtat cilësi morale si të atyre që na kanë shkaktuar dhimbjen.
A keni menduar ndonjëherë se çfarë i shtyn njerëzit të përdorin vazhdimisht hakmarrjen?
Tiparet e njerëzve hakmarrës
- Një person i cili reagon ndaj çdo vepre të madhe ose të vogël, në një formë hakmarrëse, paraqet një menaxhim të keq emocional dhe një aftësi të dobët për të njohur njëri-tjetrin
- Janë persona që besojnë se ata posedojnë të vërtetën absolute ose universale. Ata janë ligji dhe drejtësia, shembulli i qartë i asaj që çdo person duhet të jetë.
- Ata gjithashtu paraqesin një mendim të dyfishtë: ose qëndroni me mua ose kundër meje, gjërat bëhen ose të mira ose të këqija.
- Ata zakonisht kanë një shkallë shumë të ulët të ndjeshmërisë ndaj personave të tjerë.
- Ata nuk falin dhe nuk harrojnë, ata jetojnë nën vartësinë e të kaluarës së tyre dhe me mllef.
Siç e shohim, si nga pikëpamja psikologjike ashtu dhe emocionale, hakmarrja nuk na sjell asnjë dobi. Ky impuls konsumon integritetin, kufizon gjykimin tonë dhe gjithashtu mundësinë për të ecur përpara si person dhe për të ndërtuar një jetë pozitive dhe të lumtur.
Ne mund të ndjehemi të tërhequr nga hakmarrja. Por, ajo nuk fsheh asgjë tjetër, përveç vuajtjes dhe vetmisë. Hakmarrja më e mirë, pra, do të mbetet gjithmonë “Të mos kthyerit me të njëjtën monedhë”. Të jetojmë në harmoni dhe të lumtur është pa dyshim hakmarrja më e mirë për të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.