Këshilla për prindërit…
Të jesh prind është kënaqësi, por nuk është e lehtë. Dhe prindërve më të mirë dhe më të dashur u ndodh që në momente të caktuara t’ju japin fëmijëve nga një dackë apo t’ju flasin më fjalë të ashpra. Situata mund të vështirësohet edhe më tepër kur dikush është prind i vetëm apo ka më shumë se një fëmijë. Por, në fund të fundit, askush s’mund të thotë me bindje të plotë se është prind i përkryer, pasi të gjithëve na ndodh të bëjmë gabime, të gjithë kemi pasur raste të kemi të vështirë t’ju shpjegojmë fëmijëve emocionet që ata përjetojnë. E rëndësishme është t’i duam fëmijët tanë dhe të punojmë për të qenë prindër sa më të mirë.
Identifikimi i stilit tuaj të prindërimit dhe teknikat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë se si fëmijët t’i njohin emocionet e tyre dhe të arrini qëllime. Psikologët e zhvillimit kanë kohë që i janë përkushtuar pyetjes se mënyra se si prindërit sillen me fëmijët e tyre, ndikon në mirëqenien afatgjatë të të vegjëlve. Në pamje të parë mund të duket e vështirë të parashikosh se si një sjellje ose një sërë veprimesh të caktuara prindërore do të përcaktojnë mënyrën e zhvillimit emocional të fëmijëve. Në të vërtetë, studime të shumta të filluara në vitet 1960 nga psikologia Diana Baumrind, tregojnë lidhje të forta midis stileve të ndryshme të prindërimit dhe efekteve që ato kanë në sjelljen dhe emocionet e fëmijëve. Në fakt, të gjitha mënyrat e mundshme të ndërveprimit prind-fëmijë mund të përmblidhen në tre stile të ndryshme prindërimi.
Stili autoritar
Prindërit që praktikojnë këtë stil prindërimi përpiqen të jenë gjithmonë në kontroll dhe ta ushtrojnë këtë kontroll mbi fëmijët. Ata vendosin rregulla të shumta dhe të ngurta dhe presin që fëmijët t’i zbatojnë ato me përpikëri, përndryshe janë të gatshëm të përdorin ndëshkimin ose të jenë shumë striktë dhe kontrollues ndaj çdo emocioni të fëmijëve. Këta prindër janë shumë kritikë ndaj fëmijëve të tyre. Për më tepër, prindërit autoritarë nuk u shpjegojnë fëmijëve se cilat janë arsyet pse duhen zbatuar rregullat dhe nuk ju japin mundësi zgjedhjeje apo vendimmarrje. Nëse një fëmijë kundërshton një rregull ose urdhër, këta prindër përgjigjen ftohtë “kështu them unë dhe mos e zgjat”. Prindërit autoritarë përqendrohen së tepërmi në sjelljen e gabuar të fëmijëve të tyre dhe kanë të ndëshkojnë verbalisht dhe fizikisht kur fëmijët nuk binden.
Stili liberal
Prindërit që zbatojnë dhe praktikojnë këtë lloj stili janë e kundërta e prindërve autoritarë. Prindërit liberalë vendosin shumë pak rregulla dhe zbatimin e tyre ua lënë në dorë fëmijëve. Ata duan që fëmijët e tyre të ndihen të lirë dhe ta gjejnë vetë rrugën në jetë, pa ndihmën e askujt. Si rrjedhojë, ata nuk vendosin kufij dhe pritshmëri për sjelljen e fëmijëve të tyre, por përpiqen t’i duan e t’i pranojnë ashtu siç janë. Këta prindër e përdorin ndëshkimin shumë rrallë dhe në mënyrë të çrregullt. Ata u japin fëmijëve shumë mundësi zgjedhjeje, edhe kur fëmija nuk është në gjendje të zgjedhë vetë mënyrën e duhur. Shpeshherë këta prindër zgjedhin të mos ndikojnë në sjelljen e fëmijëve, edhe kur kjo e fundit mund të jetë e dëmshme për zhvillimin e fëmijës apo marrëdhënies prind-fëmijë.
Stili demokratik
Prindërit demokratikë njësoj si prindërit autoritarë dhe në ndryshim nga prindërit liberalë, vendosin rregulla dhe kufij për sjelljen e fëmijëve të tyre. Por, këta prindër, ndryshe nga autoritarët marrin kohën e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve të tyre se pse rregullat duhen zbatuar. Ata gjithashtu vendosin pritshmëri të qarta për mënyrën se si fëmijët duhet të sillen dhe i ndihmojnë fëmijët t’i arrijnë këto pritshmëri. Ata përqendrohen shpesh tek sjellja pozitive e fëmijëve të tyre dhe e përforcojnë atë me dashuri. Prindërit demokratikë u japin fëmijëve mundësi të zgjedhin, por e bëjnë këtë duke pasur në mendje nivelin e zhvillimit të fëmijës së tyre. Për shembull, një fëmijë dy vjeçar, nëna mund ta pyesë me cilën lodër do të luajë, ndërsa një fëmijë më të rritur mund t’i japë mundësi të zgjedhë dhe çfarë ushqimi do të hajë.
Si ndikon stili i prindit tek emocionet dhe sjellja e fëmijës?
Studime të shumta nxjerrin në pah se, fëmijët që zhvillohen më mirë emocionalisht janë ata që kanë prindër demokratikë. Këta prindër arrijnë të balancojnë kërkesat ndaj fëmijëve, duke dhënë ngrohtësi dhe duke respektuar pavarësinë e fëmijëve. Në këtë mënyrë, fëmijët e prindërve demokratikë arrijnë jo vetëm t’i zbatojnë rregullat, por edhe t’i brendësojnë ato. Në këtë pikë, prindërit demokratikë ngjajnë me ata autoritarë, pasi të dyja palët vendosin pritshmëri të larta ndaj fëmijëve dhe kontrollojnë sjelljen e tyre. Prindërit autoritarë ama presin që fëmijët të pranojnë autoritetin prindëror pa e diskutuar atë dhe u japin fëmijëve shumë pak liri zgjedhjeje. Fëmijët e rritur me stilin autoritar, kërkojnë gjithmonë aprovim nga dikush tjetër dhe nuk janë spontanë. Në kontrast, prindërit demokratikë u japin fëmijëve një ndjesi të mjaftueshme lirie, e cila i ndihmon fëmijët të zhvillojnë pavarësinë e tyre. Prindërit liberalë nga ana tjetër vendosin shumë pak rregulla dhe pritshmëri ndaj fëmijëve të tyre, të cilët shpeshherë kanë vështirësi të kontrollojnë impulse, janë të papjekur dhe të papërgjegjshëm.
Si t’i ndihmojmë fëmijët të kontrollojnë emocionet e tyre?
Për të rritur fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm, shprehjani dashurinë fëmijëve tuaj, përqafojini dhe puthini ata çdo ditë.
Dëgjojini fëmijët kur flasin, në mënyrë që ata të ndihen të rëndësishëm për ju dhe të zhvillojnë pavarësinë e tyre dhe të menduarit. Lavdëroni sjelljen e mirë të fëmijëve tuaj dhe përforcojeni atë, në mënyrë që fëmijët të duan e ta përsërisin sa më shpesh. Shpenzoni kohë me fëmijët tuaj dhe ndërmerrni aktivitete të ndryshme si: të lexoni një libër, të luani apo të dilni shëtitje. Mos harroni! Fëmijët shpesh sillen keq për të tërhequr vëmendjen tuaj. Kujdesuni për veten tuaj. Mos harroni se, të jesh prind nuk është e lehtë dhe se juve ju duhet kohë dhe mundësi për të qenë mirë vetë. Një ditë në javë lërjani fëmijët dikujt të besuar dhe bëni një aktivitet që ju pëlqen. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.