Mirëqenie

March 3, 2017 | 11:00

Psikopatologjia: të njohësh veten, ta përmirësosh atë!

Studimet mbi psikopatologjinë sa vijnë e bëhen më komplekse, ndaj dhe rëndësia e tyre është tepër e nevojshme në fushën e psikologjisë. Zhvillimet në neuroshkencë po na japin një depërtim më të hollësishëm mbi dinamikat biokimike që ndodhin në trurin e të sëmurëve mendore. Krijimi i versionit të ri DSM në maj 2013 perfeksionoi klasifikimet e çrregullimeve dhe solli elementë të rinj në skenën studimore. Teori të reja sa vijnë dhe shtohen në përpjekje për të shpjeguar vuajtjen njerëzore. Ja cilat janë dy prej modeleve më të njohura teorike: ai konjitiv-bihevioral dhe psikodinamik.

sulaModeli konjitiv-bihevioral

Shkencërisht pranohet që CBT-ja është terapia më efikase dhe më rezultateve se të gjitha llojet e tjera të terapive. Por historikisht modeli i B.F.Skinner është parë si tepër mekanicist duke e transformuar individin në një qenie robotike pa marrë parasysh proceset intrapsiqike që ndodhin brenda tij. Në rast se çdo gjë është e mësuar, atëherë a janë edhe konfliktet e brendshme të mësuara? A mëson fëmija të mendojë që babai i tij e urren, apo i vjen në mënyrë të natyrshme kjo ide, duke parë sjelljen abuzive të atit kundër tij? Normalisht që parë nga ideja personale, secili nga ne përveç aspektit të vëzhgueshëm, disponon një botë të brendshme shpirtërore me dinamikat e personale. Arritjet moderne të teknologjisë po fillojnë të gjejnë mënyra për ta projektuar mendimin njerëzor në një ekran kompjuterik.  Le të shohim gjithashtu çështjen e mendimeve automatike në CBT. Ato konsiderohen si mendime që dalin në mënyrë spontane kundrejt një stimuli ose situate të caktuar. Por a janë ato produkt i të mësuarit? Sigurisht që mund të argumentohet që vijnë si rezultat i ndërveprimeve sociale ose pritshmërive të jashtme, por njëkohësisht mund të themi se truri është programuar të punojë në një mënyrë të caktuar, duke ndjekur parimin shkak-pasojë. Këtu dua të kundërshtoj teorinë “tabula rasa” duke marrë hua nga filozofia e Kantit, e cila pohon se ekzistojnë kushte të të menduarit tonë dhe njeriu nuk është thjesht një qenie prej plasteline që mund manipulohet plotësisht nga ambienti i jashtëm. Ne lindim me një potencial për të menduar në një mënyrë të caktuar. E brendshmja dhe jashtmja në këtë shkrim shihen si të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

hafizi

Modeli psikodinamik

Teoria libidinale (ndjellëse) e Frojdit, e cila na ngre pikëpyetje mbi bazat empirike me të cilat ai ngre shpjegimet e tij. Nëpërmjet arsyetimeve logjike, ne arrijmë të vërtetojmë ekzistencën e mekanizmave mbrojtës si faktorë ndikues në jetën tonë dhe sigurisht mjedisi i fëmijërisë ka influencën e vet. Truri i fëmijës është lehtësisht i ndikueshëm dhe figura e nënës dhe e babait ndikon në formimin e karakterit të tij. Por ende ka debate mbi komplekset që Frojdi propozon. Nga të dhënat studimore shohim gjithashtu se psikanaliza kritikohet për zgjatje të madhe në kohë dhe rezultate konkrete të pakta. Le të analizojmë dhe postulatin “Në rast gjendet shkaku i problemit, atëherë problemi zgjidhet automatikisht”. Sa e vërtetë është kjo? Në rast se një person e kupton që arsyeja që ka një fobi nga qentë është se në fëmijëri është sulmuar keqazi nga një i tillë, a ia largon kjo frikën që ai përjeton? Me shumë gjasë jo. Sado që ai ndërgjegjësohet, frika tashmë është asociuar me figurën e asaj kafshe. Në këtë rast themi se psikanaliza është e paaftë të jap një zgjidhje dhe rruga drejt “kurimit” është ekspozimi ndaj stimulit ose metoda sjellore. Megjithëse ndërgjegjësimi na jep një depërtim më të mirë mbi veten dhe hap rrugën e ndryshimit, është ajo çfarë bëjmë me këtë ndërgjegjësim, e cila sjell shkëputjen nga simptomat. Përsëri themi se karakteri proaktiv i CBT-së na vjen më në ndihmë për t’u përballur me mendimet dhe sjelljet e pashëndetshme automatike (ose “të pandërgjegjshme”).

Një koncept që shpesh harrohet, por që është realitet i hidhur, është që: “Njeriu ndihmon vetveten dhe asgjë nuk vjen nga hiçi”. Jam i predispozuar ndaj teknikave ekspozuese praktike të CBT-së sesa diskutimeve të tejzgjatura të psikanalizës. Kombinimi i të dyjave do ishte ideale, por secila në masën e duhur.

Rrënjët e thella të psikopatologjive gjenden te përgjigjja e frikës. Pa marrë parasysh çrregullimet me baza biologjike, shumica e sëmundjeve mendore (sidomos atyre të brendshme) vijnë nga ankthi dhe frika. Çrregullimet e humorit, ankthit, traumat, joshoqërizimi dhe psikozat, mund të përshkruhen shumë mirë si forma të mospërballjes me realitetin. Njeriu në këto raste ndihet i pafuqishëm ndaj situatave jetësore dhe nuk reagon. Depresivi mbyllet në vetvete, ankthiozi shmanget, i traumatizuari mohon, i pashoqërueshmi shkëputet nga dhimbja dhe psikotiku krijon një realitet të ri. Kjo vlen edhe për shumicën e çrregullimeve të personalitetit (përveç siç thamë, kushteve gjenetike dhe biologjike). Nevoja për të qenë i admiruar, mendimet paranoide, nevoja për vëmendje, nevoja për perfeksionizëm, varësia, shmangia, nevoja për t’u dashur dhe konfirmuar, janë elementë të këtyre personaliteteve që në bazë kanë frikën.

Në një artikull interesant të psychologytoday.com analizohet shumë mirë një shprehje nga Haruki Murakami: “Dhimbja është e paevitueshme, vuajtja është opsionale”. Biologjia e dhimbjes shpjegohet me sinjalin elektrik që përçohet drejt sistemit nervor qendror që na informon se diçka nuk është në rregull. Psikologjia e dhimbjes është interpretimi dhe kuptimi që i japin atij sinjali, pra monologët e brendshëm dhe besimet që krijojnë reagimet tona emocionale. Vuajtja është pikërisht kjo përgjigje ndaj dhimbjes. Përballja me dhimbjen na frikëson dhe prandaj zgjedhim të vuajmë.  Është e lehtë të thuhet se mjafton virtyti i kurajës si antidot ndaj vuajtjes, por është shumë vështirë të aplikohet. Mendimet frustuese, vetëfajësuese, dëshpëruese, mbulojnë ndërgjegjen dhe nuk e lejojnë individin të shohë përtej këtyre shtrembërimeve konjitive. Njeriu futet në një rreth vicioz të rrezikshëm nga ku dalja ngjan e pamundur.

Vetëvrasja tingëllon si zgjidhje e shpejtë për atë që vuan. Por ne harrojmë lirinë që njeriu ka për të zgjedhur. Viktor Frankl neurolog dhe psikiatër, i mbijetuar nga Holokausti, thotë se: “Ka një hapësirë midis stimulit dhe përgjigjes. Te kjo hapësirë gjendet fuqia jonë për të zgjedhur përgjigjen”. Në përgjithësi njeriu me arsye të shëndoshë mund të arrijë intuitivisht në këto konkluzione dhe të bëhet në njëfarë mënyre auto-terapist. Në rast të kundërt, përsëri na vijnë në skenë paradigmat e sjelljes dhe psikoanalitike. Në rastin ku njeriu nuk e kupton situatën reale të tij dhe është i mjegulluar nga mendimet negative automatike, atëherë në ndihmë na vjen ndërgjegjësimi Frojdian. Pas këtij hapi vjen ndryshimi kognitive-bihevioral (njohës i sjelljes) i Skinnerit: “Unë s’kam pse mendoj kështu. Kjo nuk reflekton realitetin. Unë mund të përmirësohem”. Pra duket edhe një herë efikasiteti dhe suksesi që mund të rezultonte nga fusioni i këtyre dy këndvështrimeve. Si përfundim mund të themi që psikopatologjia është një shkencë në zhvillim e sipër dhe studime të tjera nevojiten për të dhënë përfundime më definitive mbi pyetjet që ajo ngre.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top