Mirëqenie

February 23, 2017 | 9:31

Nga Diola Malasi / Si t’i transformojmë hapat e vogla në ndryshime reale dhe afatgjata?

Padyshim që secili prej nesh ka patur mundësinë të pyesë veten të paktën një herë në jetë: “A kam arritur në x vite të jetës sime të bëhem ai/ajo që gjithmonë kam dëshiruar të jem?” Nëse besoni se keni arritur diçka të rëndësishme në jetën tuaj, hapi i radhës është ta bëni këtë arritje të zgjasë. Personalisht besoj se, të pyesësh veten për atë se çfarë ke arritur të bësh apo të jesh, do të thotë se po përjeton nevojën për të ndryshuar diçka tek vetja, diçka në marrëdhënie me të tjerët, diçka në mënyrën e jetesës, diçka në punën/profesionin, shkollën, jetën personale, diçka (edhe pse ndonjëherë diçka pa emër). Për psikologen Kelly, kur ky moment ka ardhur në jetën e dikujt, hapi i parë drejt ndryshimit apo përmirësimit është identifikimi i objektivave, ndërsa vështirësia e radhës është t’i vendosësh idetë në praktikë. Por, mbi të gjitha këto, përpjekja më e vështirë është të integrosh këto ndryshime në jetën personale për një afat të gjatë.

DiolaPra, të vazhdosh të ecësh përpara  edhe pasi dëshira për të ndryshuar të ketë filluar të “ndryshket” dhe  motivimi juaj të hasë rrezikun e venitjes. Dhe pikërisht këtu mund të flasim për diferencën midis atyre që ruajnë gjatë entuziazmin e procesit të ndryshimit dhe atyre që ndalen që në pengesën e parë. Për këta të fundit, ndryshimi është motivimi që qëndron pas objektivit që kanë përcaktuar apo identifikuar. Megjithatë, duhet të pranojmë që të nisësh të ndryshosh diçka nga vetja, nuk është proces i thjeshtë që përfundon brenda ditës. Kjo, sepse kur flasim për rëndësinë e teknikave që nxisin ndryshimin, duhet të marrim në konsideratë se, për disa prej nesh të ndryshosh do të thotë të njohësh vetveten më mirë, për disa të tjerë të ndryshosh do të thotë të sjellësh diçka të re në jetën personale, ndërsa për të tjerë do të thotë thjesht të ndryshosh.

Çfarë na motivon të ndryshojmë?

Psikologja Smith ka thënë se: për t’i bërë ndryshimet të zgjasin, çdokush nga ne duhet që në vend që të pyesë veten “Çfarë do të arrij unë nëse ndryshoj?” duhet të mendoj se: “si mund të ndryshoj jetën time?”. Rëndësia e kësaj pyetjeje qëndron në faktin se ata individë, të cilët duan të ndryshojnë për të vënë në pah aspektet e tyre më pozitive, padyshim që do të mund të përjetojnë rezultatet e ndryshimeve për një kohë shumë të gjatë se sa ata individë që mundohen të ndryshojnë diçka, thjesht sepse kërkojnë të përmbushin kërkesat e imponuara të shoqërisë. Një studim i bërë në Universitetin Bath, tregoi se, ndonjëherë frika mund të jetë një nxitës më i mirë se dëshira vetjake për të ndryshuar. Megjithatë, është tejet e rëndësishme të evidentojmë se ekziston një ndryshim midis llojit të motivuesit, i cili të nxit për të nisur një projekt dhe llojit të mendimeve që na lejojnë ta “mbajmë gjallë” atë ndryshim. Për shembull, në rastin kur dikush kërkon të lërë duhanin se nuk ndjehet mirë fizikisht, frika nga vdekja (mendimet negative) mund të jetë një motivues më i lartë se dëshira për të mos pirë cigare. Por edhe në këtë rast, sa më shumë i afrohesh objektivit që ke vendosur për të lënë duhanin, fuqia e frikës si motivuesi kryesor zbehet. Kjo sepse pas disa javësh pa pirë duhan, mendimet negative për t’u sëmurur fillojnë të humbasin fokusin e vet dhe këtu qëndron pikërisht mundësia për të gjetur një objektivë pozitive, e cila mund të shprehet kështu: “Unë dua dhe kam nevojë për mushkëri të pastra dhe të shëndetshme”. Me fjalë të tjera, në vend që të mendoni se sa e zymtë mund të ishte jeta juaj nëse vazhdoni të pini duhan, mendoni se sa mirë është kur mund të vraponi më shumë metra dhe mund të jetoni më gjatë.

diola

Mendimet perceptuale imagjinative

Të shihni veten përmes imagjinatës individuale mund të ndihmojë për t’ju mbajtur të motivuar gjatë dhe për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit. Për ta mbështetur këtë argument, në një studim në Kanada, u gjet se ata individë që imagjinuan veten se patën sukses në arritjen e objektivave të tyre, patën një performancë më të mirë dhe luhatje më të pakta gjatë procesit të ndryshimit, se sa ata pjesëmarrës që nuk përdornin imagjinatën e tyre. Pra, për të qenë dhe ju më efektiv në arritjen e objektivave të tua, mund të përdorni këtë skemë imagjinative, e cila shpesh mund të ngjasojë si përgatitja e një filmi Hollivudian. “Nisni duke krijuar një vizion të asaj se çfarë dëshironi të ndryshoni. Bëjeni këtë imazh më të qartë për veten. Fokusojeni atë në sytë dhe mendjen tuaj. Më pas, shtojini dëshirës për ndryshim detaje dhe kthehuni mbrapsht për të qartësuar veten dhe për të imagjinuar se si mundët të arrinit deri aty”. Ky ushtrim i vizualizimit apo imagjinatës së objektivit ndihmon në dy aspekte të qenësishme. 1. Ju rikujton se po punoni për diçka pozitive dhe të rëndësishme për veten. 2. Ju ndihmon për të menduar për mënyra të reja për të arritur aty ku dëshironi sa herë që po ndjeni se po dështoni.

Fleksibiliteti dhe toleranca

Me të drejtë disa prej jush mund të mendojnë se edhe me motivimin më të fortë të mundshëm dhe me teknikat më praktike, duhet të pranojmë realitetin. Spektri i larmishëm i jetës reale mund të ndërhyjë me të papriturat e saj dhe mund të shfaqë vështirësi të ndryshme që mund të pengojnë procesin e ndryshimit. Në fakt, për ne shqiptarët kjo është edhe më e vërtetë. Ne jetojmë në një shoqëri ku ndryshimet ndodhin shumë ngadalë dhe si individë të kësaj shoqërie, bëhemi tejet skeptikë dhe kemi frikë nga proceset e gjata të ndryshimeve. Pra, në njëfarë mënyre, ne harrojmë ose nuk i lejojmë vetes të gjithë kohën dhe hapësirën e domosdoshme për të përmirësuar diçka sepse jemi të etur vetëm për atë ndryshimin që mund të arrihet këtu dhe tani. Edhe pse deri diku jemi subjektivisht të justifikuar, ne nuk duhet të braktisim një projekt vetjak përpara se t’i kemi dhënë shansin për t’u prezantuar si objektiva e së ardhmes sonë. Psikologu Brown ka thënë: “Mos kini frikë të jeni thjesht fillestar në diçka, por lejojini vetes të shijojë procesin e të mësuarit dhe pse jo edhe të dështimit. Kjo, sepse diferenca midis atyre që i braktisin planet dhe atyre që i shkojnë planeve nga pas, qëndron në faktin se këta të fundit mund të pranojnë që një rrugëtim nuk mund të jetë gjithmonë i drejtë, mund të ketë hapa përpara, por edhe hapa që do t’ju çojnë mbrapa derisa mund të mbërrini në destinacionin e dëshiruar”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top