Në fokus

January 11, 2020 | 8:12

Nga ditari i një psikologeje / Nëna, ky çmim për jetën!

Për shumicën e njerëzve të kësaj toke, që vrapojnë, shpesh e më shpesh pa menduar se çfarë ndodh majtas-djathtas, apo lart-poshtë, të atyre që përllogarisin vetëm paranë, pronat apo përfitimet materiale, atyre që thurin ëndrra për të ardhmen e tyre apo thurin plane dhe intriga për zhbërjen e ëndrrave të të tjerëve, në rastet kur futen në skenë fatkeqit fatalë, të gjitha përllogaritjet, skemat apo planet përmbysen sakaq, sikur të mos kishin qenë kurrë. Në ato çaste, njerëzit, ata njerëz pa njerëzillëk. Njeriu pra, ndjen përmes vdekjes praninë e ftohtë të një bote tjetër. Të një bote që të merr gjithçka të shtrenjtë, duke shpërfillur përkushtimin shumëvjeçar dhe vaditjen shumëvjeçare të jetës. Andon Zako Çajupi, e perifrazonte në një nga vargjet më hyjnore të gjuhës shqipe: “Doje Dritë o Qiell, more Dritën time!”

grua

Historia që do ju prezantoj, është e një zonje, një gruaje rome në moshën 62-vjeçare, e cila jeton në Tiranë prej disa vitesh. Ajo  tregonte me lot ne sy dhe me drithërimë shpirti për një dhimbje të madhe dhe të pafundme.

Sa fëmijë ke?

Kam 3 fëmijë, 1 vajzë dhe 2 djem. I madhi është i martuar, ka dhe fëmijë si drita, i ka edhe goca, po ashtu është me vatrën plot. (buzëqesh e përhumbur) Ndërsa djali i vogël ende jo, endet rrugëve dhe thotë nuk martohem hiç, edhe pse nuk është aspak i vogël.

Sa vjeçe ishe kur u bëre nënë për herë të parë?

Eh, isha e re fare, 15-vjeçe, madje s’dija as që isha në muajin e fundit dhe linda në shtëpi. Më dëgjuan ca aty dhe erdhën. Nuk mbaja mend asgjë mbasi linda, se me kishte rënë të fiktë. As në spital nuk më çuan, se burri tha: S’kemi lekë dhe vjehrra me kunatat që i thoshin: S’e gjen gjë. Kështu e kanë këto punë. Nuk vdiqëm ne që të vdesë kjo! Po ku dija unë si e kishin ato punë. Dija që s’mundesha të qëndroja hiç në këmbë dhe që ata as që më ndihmonin hiç, as mua, as djalin e vogël foshnjë, që qante se nuk ngopej me gji.

Po me bashkëshortin si i kishe marrëdhëniet?

Ai ishte i dhënë pas nënës dhe motrave. Nuk donte shumë t’ia dinte për mua me fëmijët.

Nuk të trajtonte mirë as ty dhe as fëmijët?

Hiç fare. Mendoj që sikur t’i thoshin për mua hapur fare, vrite, besoj edhe do e bënte. As me fëmijët në vitet në vazhdim nuk ishte i përkushtuar. Nuk di ç’kishte moj ti çupë. Mesa kisha dëgjuar, kishin dashur një tjetër për nuse, por ajo kishte vdekur në një aksident dhe ky vetëm se duhet të martohej me një. Më mori mua, por as më llogariste fare.

Po me njerëzit e tij, si i kishe marrëdhëniet më vonë?

Ah moj vajzë, ç’të të them. Sa do të të them, nuk mbarojnë hallet e pisllëqet e tyre. Vajtëm disa vite në Greqi, në Kretë emigruam të tërë bashkë për një jetë më të mirë. Me ne erdhi dhe vjehrra (se vjehrri kishte vdekur prej vitesh,) po ashtu edhe kunatat me burrat dhe fëmijët e tyre. Punonim ç’të na dilte. Fëmijët i linim bashkë. Se mos i shihnim ne tërë ditën, por më mirë thoja, s’ka ku të vejë, të paktën fëmijët kanë njëri-tjetrin. Po ku të ma merrte mendja mua të gjorës se ç’ndodhte. Djali i kunatës time ishte maskara. E merrte vajzën time të vogël, me vete me shokët e tij në orët që ne mungonim e ishim në punë. Ç’të të them. Kuptohet, ç’i bënin derisa unë qyqja e kuptova kur vajza villte e u bë keq. E mora vajzën më vete dhe fola më të. I thashë, më trego se nuk i them askujt. Më tha: nëse të tregoj, ata do të vrasin ty, motrën e vëllezërit. Seç pinin më tha. Dhe kur pinin, nuk donin t’ia dinin që unë isha kushërira e …. Fillova e shkulja flokët, qaja e ulërija, çora fytyrën me thonj. Kujt t’i thoja unë e zeza. Asnjë s’do e besonte. Më në fund vendosa gjithsesi t’i thoja burrit dhe thashë, po s’më besoi, do i ndreq vetë këto punë. Burri vajti e u zu e u ther me të motrën, e me ata të tërë dhe halla e gocës tha me zë të lartë që ajo, k… juaj e ka provokuar djalin se s’ka mundësi. Aty m’u err dheu e qielli. Si ka mundësi, thashë me vete, halla e vet, gjaku i saj dhe flet kështu?! Burri vajti me vrull ta rrihte të motrën dhe nipin, por kunati ia nguli thikën dhe e vrau burrin tim. E që atëherë ikëm nga Kreta e u kthyem këtej, se mirë që kishim frikë nga policia, por djali i madhe donte t’i vriste ata. Kur e dëgjova, mblodha veten dhe fëmijët, dhe ikëm. I thashë vetes, duhet të bëhem e fortë mos të humb fëmijët tani.

Ku jetoje në ato kohë që u ktheve??

Si miu në pusetë, e në skutat me të fshehta rrija. Kisha frikë, por  ata të mallkuarit s’u kthyen se dhe ata kishin frikë. Dëgjova që ato kohë kishte vdekur nga një infarkt në zemër vjehrra. Me gjithë ato që hoqi, shumë duroi edhe ajo.

Pse nuk bëre ndonjë denoncim në polici këtu kur erdhe?

Kisha frikë moj bijë, pastaj kush do na besonte neve?

Po me shtatzëninë e vajzës si u bë?

Epo ja edhe për këtë kisha frikë e llahtar se ç’të thosha. Unë qyqja që mos qofsha, çoç kisha mësuar nga gratë e dorës tonë në ato vite të fëlliqura, kur s’doja të mbaja më fëmijët që mos t’i lindja. Atë i bëra dhe gocës. Ku ta mbante fëmijën e atij shejtanit. Ndjeja një mllef e urrejtje, një llahtari, sa nuk e mendova gjatë pastaj. Ku dija unë e mjera i kujt ishte fëmija. Ai maskarai e merrte vogëlushen time  në grup dhe nga ajo që bëra me vajzën, ajo humbi shumë gjak dhe më vdiq në krahë, vogëlushja e nënës.

E mbytën të qarat. Personalisht, edhe pse u përpoqa të kisha kontroll mbi emocionet e mia, më kaploi një ndjesi e papërshkrueshme për pak kohë brenda vetes. Pa dashur, ndjeva keqardhje për këtë grua dhe rrethanat në të cilat është ndodhur, këtë qyqe kur thoshte dhe vetë ajo. Nuk doja ta shihja më në sy, se mendoja mos i hapja plagë, por siç ajo u shpreh, kuptova që me bisedën që bëri, pati si një lloj shkarkimi të mbushur prej vitesh brenda në kraharor, e cila më përfshiu dhe mua në jetën e saj, në atë gati 1 orë bisedë, bisedë që u mundova ta mbyllja sa më parë. Nuk doja më t’i gërmoja diçka që ajo vetë kishte mësuar ta s’postonte nga jeta, por jo ta harronte.

Si e përballon jetën tani?

Po ç’të bëj. Më dha Zoti forcë. Isha mësuar me vuajtje dhe me punë si kafsha. Qenka thënë për mua të vuaj gjer në vdekje. Punoj, shes rroba në zona të caktuara, sa për një copë bukë e sa të kem fuqi.

Me nipërit e mbesat kalon kohë?

Ata më japin gëzim të madh në zemër. Njërës nga mbesat i kemi vënë emrin e vajzës. E thërras dhe ndjej si ta kem përsëri pranë vetes. (qeshi dhe i shkëlqeu për pak sekonda fytyra)

Për sqarim:

Për të qenë korrekt me lexuesit, ky shkrim botohet në anonimat, për të respektuar të drejtat themelore të njeriut dhe profesionin e psikologut.

#Revista PSIKOLOGJIA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top