Në fokus

September 17, 2018 | 9:29

Nga Dorina Bilbili / Celulari në klasë? Ç’duhet të dimë për “sherrin” në emër të fëmijëve me Iphone 1 mln lekësh dhe vëmendje zero

 

Keqpërdorimi i teknologjisë dhe pasojat e tij janë një debat që hapet periodikisht në botë për shkak të dëmeve që mund të shkaktojnë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Në mjediset familjare, arsimore dhe të punës është e qartë se përdorimi ekstrem i këtyre pajisjeve mund të shkaktojë vështirësi.

Ky vit shkollor nisi sot me risi pasi nxënësit dhe mësuesit nga cikli fillor deri tek ai i mesëm nuk do të lejohen të përdorin celularë gjatë procesit mësimor. Urdhri i firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla parashikon që nxënësit do i dorëzojnë celularët në nisje të mësimit. Rasti shqiptar s’ është i izoluar sepse ka vende që kufizojnë me ligj përdorimin e celularëve në institucione arsimore. Ndërkohë që Italia, Kanadaja, Argjentina dhe New Yorku i kanë tërhequr këto ndalesa, këtë shtator edhe nxënësit francezë, nën moshën 15 vjeç, nuk do të jenë në gjendje të përdorin celularë në shkollë. Franca bëhet e para që ndalon krejtësisht celularët nga shkolla fillore deri në shkollën e mesme. Atje ky ligj vjen si një përgjigje ndaj shumë prindërve, të shqetësuar se fëmijët e tyre kalojnë orë në celular dhe rritjen e rasteve të ngacmimeve përmes internetit.

Por pse fëmijët nuk duhet të përdorin celularë në shkollë? Kjo është një temë debati midis prindërve dhe profesionistëve. Disa argumentojnë se nxënësit duhet të kenë celularë në klasë sepse duhet të jenë të përgatitur për jetën e të rriturve dhe prandaj duhet të mësojnë të jetojnë me një celular si të rriturit. 

Por realiteti i parë nga ana psikologjike flet se fëmijët nuk duhet të përdorin celular në shkollë. Sipas psikologëve kur një fëmijë studion, ai duhet të shmangë çdo lloj shpërqendrimi. Studimi është koha e përqendrimit dhe një celular, me gjithçka që mund të bëni me të sot, është më shumë një lojë për një fëmijë sesa një mjet komunikimi. Të mos harrojmë se sot kompanitë telefonike krijojnë celularë për fëmijët që të marrin vëmendjen e tyre dhe të rrisin shitjet.

Shumë mësues ankohen për mungesën e disiplinës në klasë për shkak se nxënësit kanë në duar celularin. Duke mos i kushtuar vëmendje asaj çfarë po ndodh në klasë, përqendrimi i tyre nuk është aty ku duhet të jetë. Mos harrojmë se duke pasur një celular më të mirë për fëmijët fillon të jetë një simbol i statusit (kur është më modern, elegant …) dhe rrit prestigjin midis nxënësve. Ata mund të prodhojnë ndryshime të padëshirueshme në stilin e tyre të jetesës dhe në marrëdhëniet e tyre me të tjerët.

Në kohën e pushimit, në vend që të luajnë aktivitete krijuese ose të promovojnë hobi, ata preferojnë të ulen në telefon, gjë që është shumë e dëmshme për jetën e tyre shoqërore, si dhe për një jetë aktive. Ekziston mundësia e keqpërdorimit të telefonit, pasi përmes tij nxënësit dërgojnë dhe marrin mesazhe, foto ose video që janë vulgare dhe madje edhe lënduese. Përveç kësaj, fëmijët mund të kenë qasje në faqet e internetit për të rriturit me përmbajtje të papërshtatshme. Është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë të vetëdijshëm për gjithë këtë. Ata duhet të marrin masa për të siguruar fëmijët në mënyrë që këta të fundit të paralajmërohen dhe të mbrohen në mënyrë që të jenë në dijeni të rreziqeve që kanë celularët, përdorimin e tyre (me avantazhet dhe mangësitë) dhe të vendosin standarde të qarta për përdorimin e tyre. Pavarësisht nga e mësipërmja, kuptohet se përdorimi i celularit do të lejohet gjithmonë në rast emergjence.

Shumica e të rinjve sot nuk e dinë se çfarë është të jetohet pa celular. “Deseret News National” shkruan se fëmijët amerikanë marrin celularin e tyre të parë mesatarisht në moshën 6-vjeçare. Në Shqipëri pamja e një nxënësi të fillores me një “smartphone” (telefon i mençur) në dorë është bërë prej vitesh e zakonshme…

Debati rreth rolit të celularëve në klasë vazhdon të provokojë polemika. Së fundmi studiuesit nga Universiteti Shtetëror i Luizianës dhe Universiteti i Teksasit dolën në përfundimin se kur shkollat vendosnin një ndalim të celularit brenda objekteve të tyre, rezultatet në provime të nxënësve ishin u rritën në 6%. “Zbuluam se ndikimi i ndalimit të celularit për këta nxënës ishte ekuivalent me 1 orë shtesë në javë në shkollë, ose duke shtuar 5 ditë në vitin shkollor”, thanë autorët e studimit.

Është e rëndësishme që para se dikush të marrë celularin në klasë duhet që institucioni të jetë i sigurt dhe të ketë zbatuar politika për sigurinë në mediat digjitale dhe mësuesit të jenë të trajnuar se si të përdorin pajisjet të tilla për të përmirësuar kurrikulën. Ata që mbrojnë përdorimin e celularit në shkollë thonë se me rregulla të qarta telefoni mund të jetë i dobishëm në arsim, sepse mësuesit dhe nxënësit mund të përfitojnë nga mjetet në dispozicion dhe aplikimet për të mësuar gjuhë, përdorur makinë llogaritëse, apo edhe të kërkojnë për imazhe ose informacion mbi një temë që po diskutohet në klasë. “Ideali me teknologjitë e reja është integrimi i tyre dhe jo margjinalizimi”, thonë në një zë ekspertë të ndryshëm të IT. Kujtojmë se në Shqipëri, përmes filmimeve të bëra me celular nga nxënësit gjatë mësimit, janë denoncuar në media abuzime nga mësuesit tek fëmijët dhe forma të tjera të abuzimeve brenda shkollës.

Por sipas psikologes Danielle Einstein aplikacionet dhe mesazhet sjellin menjëherë lirimin e dopamines, duke krijuar varësi. Thjesht prania e telefonit e konsumon vëmendjen edhe kur ai nuk kontrollohet. Futja e smartphone-ve ka çuar në një rënie në aftësinë e njerëzve për të përballuar pasigurinë. Sipas saj përdorimi i smartphone-ve është i lidhur me epideminë aktuale të ankthit dhe depresionit. Einstein apelon se disa mund të konsiderojnë ndalimin e përdorimit të telefonave të mençur në shkolla si një masë e tepruar, por varësia në rritje e fëmijëve në mediat digjitale tregon drejt një qëndrimi të ndryshëm brenda disa dekadave. 

Një shkak i rëndësishëm për shqetësim është se zhvillimi i trurit mund të preket negativisht. Sistemi i shpërblimit të trurit stimulohet në mënyrë të ngjashme nga celulari si stimulimi nga nikotina, alkooli dhe droga. Përdorimi i tepërt i celularit ka një lidhje të dëshmuar me shëndetin psikologjik, jo më pak në mesin e vajzave. Mungesa e afirmimit çon në stres dhe përkeqësohet vetëvlerësimi. Zhvilluesit e celularëve i dizajnojnë lojërat e tyre për të maksimizuar varësinë dhe për ta mbajtur varësinë. 

Po ashtu është dokumentuar mirë se rritja e përdorimit të mediave digjitale zvogëlon vëmendjen dhe aftësinë për të mësuar. Studimet kanë treguar se nxënësit e shkollave që marrin shënime duke përdorur ekranet kanë rezultate më të dobëta se ata që përdorin një stilolaps dhe letër. Varësia nga mediat digjitale mund të shkaktojë mungesë ndjeshmërie. Kontakti i drejtpërdrejtë i syrit nuk mund të zëvendësohet nga komunikimi përmes mediave sociale. Mungesa e gjumit dhe problemet psikologjike në veçanti janë rritur në mesin e të rinjve që kur telefoni i zgjuar u fut në vitin 2007.

Kur shkoni në një shkollë gjatë një pushimi të madh ju mund të shihni se shumë fëmijë merren me celularët e tyre në vend që të dalin jashtë klasës dhe të luajnë. Çdo gjë sugjeron që përdorimi i medias digjitale nga fëmijët duhet të kufizohet. Ekranet po vjedhin kohë të rëndësishme për zhvillim në realitet. Për arsyet e mësipërme, telefoni celular nuk ka vend në shkolla. Të gjitha shkollat duhet të kenë një politikë me rregulla të thjeshta dhe të qarta për përdorimin e teknologjisë në mjediset e tyre.

Fëmijët nuk janë të pjekur sa të marrin përgjegjësi ose të shohin pasojat e këtij lloj vendimi. Prandaj është përgjegjësi e të rriturve për të ndihmuar fëmijët tanë. Pas disa kohësh shkollat do të ndihen shumë më mirë në sajë të paqes dhe qetësisë. Stresi i lidhur me ekranin do të zvogëlohej. Nxënësit do ta kishin më të lehtë të përqendroheshin dhe të shoqëroheshin dhe kjo do t’i bënte më aktiv.

Dhe e kemi të qartë situatën që na shfaqet me përdorimin e celularëve/tabletave nga fëmijët jashtë klasave në Shqipëri…Mjafton të hedhësh vështrimin në restorante, bare apo mjedise të tjera për të kuptuar se ndërkohë që prindërit bisedojnë, fëmijët “zhyten” në aparatet celularë dhe e anasjellta. Fëmijë vetëm 8 vjeç me iPhone 1 milionë lekësh në duar…Duke shikuar në ekranin tuaj të telefonit ose në tablet ose duke iu përgjigjur një telefonate shpesh nënkupton ndërprerjen e çfarëdo detyre që po bëni në atë moment. 

Edhe pse prindërit/fëmijët shpesh besojnë se e kanë vëmendjen tek njeri-tjetri, kjo nuk mbështetet nga shumica e studimeve laboratorike. Në fakt, shumica dërrmuese e njerëzve që përdorin teknologjinë mobile tregojnë probleme të theksuara vëmendjeje që mund të zvogëlojnë efektivitetin e tyre të përgjithshëm në një gamë të gjerë të detyrave. Kjo është arsyeja pse shumica e juridiksioneve ndalojnë përdorimin e teknologjisë së lëvizshme gjatë ngarjes së makinës duke pasur parasysh rreziqet për aksident që mund të vijnë nga ndarja e vëmendjes midis një ekrani celulari dhe mbajtjes së shikimit në rrugë.

Disa studime të kohëve të fundit tregojnë dëmin që prindërit mund të shkaktojnë kur ata janë fizikisht të pranishëm, por të hutuar dhe më pak të përgjegjshëm sepse janë në celular. Në një studim të madh ndërkombëtar të 6 mijë fëmijëve të moshës 8-13 vjeç, 32% kanë raportuar se ndihen “të parëndësishëm” kur prindërit e tyre përdorin celularin gjatë ngrënies, bisedave apo momenteve të tjera në familje. Fëmijët raportuan se konkurrojnë me teknologjinë për vëmendjen e prindërve. Mbi gjysma e fëmijëve në studim thanë se prindërit shpenzojnë shumë kohë në celular. 

Një studim amerikan ka vlerësuar prevalencën e kësaj sjelljeje në Fast Food-e. Shumë prindër nxorën një celular/tabletë menjëherë pasi u ulën në tavolinë. Shumica e përdorën atë gjatë vakteve, shpesh më të përqendruar tek celulari sesa tek fëmijët e tyre. Këta studiues zbuluan se fëmijët prindërit e të cilëve ishin të “zhytur” në celularin e tyre kanë më shumë gjasa të veprojnë pa kuptim ose të jenë të zhurmshëm. Shumë prindër që ishin me celular në dorë ishin nervozë dhe të paduruar, gjë që çoi vetëm në sjellje më të keqe të fëmijës. Fëmijët “mësojnë” duke na shikuar si realizojmë një bisedë, si lexojmë shprehjet e fytyrës së njerëzve të tjerë dhe nëse kjo nuk po ndodh, fëmijët humbasin momente të rëndësishme të zhvillimit. Sipas psikologëve “fëmijët ndihen të pikëlluar, të zemëruar dhe të vetmuar kur prindërit përdorin celularin. Fëmijët lulëzojnë kur marrin një vëmendje të qëndrueshme, të besueshme, të fokusuar dhe të dashur”.

“Telefoni celular duhet të hyjë në klasë vetëm nëse i sfidon fëmijët të mësojnë”, por a është vendi ynë gati ta zbatojë këtë duke nisur që nga ky vit shkollor?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top