Në fokus

November 19, 2018 | 11:08

Nga Dorina Bilbili / Çfarë po ndodh me ne? Interneti ka padyshim gjëra më të mira, por ne thjesht nuk kërkojmë për to!

Interneti padyshim që është bërë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë. Gjenerata jonë e përdor internetin për pothuajse çdo detyrë të përditshme. Kudo që shkon, mund të shohësh dikë me “celularin e mençur” në dorë, duke luajtur, blerë ose duke kërkuar çdo lloj informacioni. Sigurisht që interneti nuk është thjesht argëtim. Ai është gjithashtu i dobishëm në shumë gjëra të tjera.

9 vite punë në media online më kanë lejuar të kuptoj atë që do publiku në rrjet. Studentët e përdorin internetin për të hulumtuar dhe përfunduar temat e tyre. Jo shumë kohë më parë, nëse dëshiroje të gjeje informacion për çdo temë, duhej të përdorje enciklopeditë ose bibliotekën për ta kërkuar atë në mesin e shumë librave, një proces që merrte shumë kohë. Por tani, me vetëm disa klikime, mund të merrni në çast çdo informacion që ju nevojitet.

E njëjta gjë ndodhi me blerjet. Sot mund të paguash faturat dhe taksat nga komoditeti i shtëpisë tënde; punësoni çdo profesionist që ju nevojitet për të pastruar, riparuar ose zgjidhur ndonjë problem që keni në shtëpi ose në biznes. Fantastike, apo jo? Por kjo nuk është e gjitha që interneti mund të bëjë për ne. Teknologjia ka modernizuar komunikimin siç nuk e kemi parë kurrë më parë dhe tani është e mundur që menjëherë të dërgoni një e-mail tek çdokush në botë dhe të bëni një video-telefonatë ku të jeni në gjendje të shihni dhe bisedoni me personin, kudo që ai është.

Ekziston vërtet një pafundësi e gjërave që interneti mund të bëjë për ne. Në fakt, shumica e njerëzve nuk mund ta imagjinojnë jetën e tyre pa këtë përparësi teknologjike. Teksa i afrohemi 30-vjetorit të përvjetorit të internetit numërohen më shumë se 600 milionë faqe online në mbarë botën. Interneti është një nga përparimet më të mira të të gjithë historisë. Problemi lind nga përdorimi i dëmshëm që mund të bëhet nga interneti. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vëren se 1 në 4 persona vuajnë nga çrregullime të sjelljes të lidhura me teknologjitë e reja. “Bussiness Insider” flet për 23 milionë kërkime me përmbajtje pornografike në muaj në internet.

Ishte mistiku indian, autori më i shitur i “New York Times”, Sadhguru që la botën gojëhapur me fjalimin për fenomenin: “Po bisedoja me dikë që është ekspert interneti dhe e pyeta se për çfarë kërkojnë njerëzit në internet? Ai tha: 70% është vetëm material pornografik. 70%…e trafikut të internetit janë materiale për të rritur…Nuk e di nëse kjo shifër është korrekte, por qoftë edhe pranë saj, pyes veten çfarë po ndodh me ne?! Kur kemi një mjet kaq të fuqishëm, me të cilin mund të komunikojmë me të gjithë botën, a s’kemi gjë më të mirë për të thënë?

Nuk po tentoj të bëj moralistin, të them që kjo është diçka e gabuar, por po them që për herë të parë në historinë e njerëzimit, ne kemi këtë aftësi që me një të lëvizje të vetme mund t’i themi diçka të gjithë botës. Më parë kjo as nuk mund të imagjinohej, apo e kam gabim? Dua të kuptoj nëse kjo aftësi po merret si e mirëqenë, gjithçka Instagram, WhatsApp, Twitter dhe E-mail? Mos i merrni si të mirëqena! Kjo është hera e parë që ne mund të komunikojmë me çdo qenie njerëzore në planet. A ju duket e parëndësishme kjo? Ne si gjeneratë nuk duhet ta lëmë që kjo mundësi të na ikë nga duart. Ne nuk duhet të lejojmë që këto maniakë të seksit, trafikantët e fëmijëve të dominojnë këtë botë. Si mund të lejojmë që njerëz që shesin fëmijë, të bëjnë gjëra të ndyra me ta? Të dominojnë këtë planet? Më thoni…! Ne po i lejojmë ata ta bëjnë këtë. Ne nuk duhet t’i luftojmë ata, sepse çdokush mendon se duhet të luftojmë. Jo, ne duhet t’i trondisim ata me gjëra pozitive”.

Në internet ka padyshim gjëra më të mira se materialet vetëm për të rritur, por ne nuk i kërkojmë ato. Sepse interneti të ofron në “pjatë të parë”, atë që ke konsumuar vazhdimisht kohët e fundit. Dhe kjo ndodh si një cikël që përsëritet, duke të ofruar gjërat ose të tjera të ngjashme me kërkimin e fundit dhe më të shpeshtë që ke bërë në internet.

Pas aktualitetit, për të mos thënë shpesh herë dhe në vend të parë, në pjesën më të madhe të mediave online në Shqipëri vendin e më të lexuarave e zënë artikujt me përmbajtje për të rritur (kur këto ofrohen). Por pse kërkimi në internet nxjerr materiale (artikuj apo foto/video) argëtues apo për të rritur kur klikojmë “X”, në vend që të na ofrojë çdo formë të literaturës brilante? Përgjigja: Ne thjesht nuk kemi kërkuar ta gjejmë atë literaturë, sepse vëmendja jonë është diku tjetër. Rregulli është i thjeshtë: Nëse shkronjën X e kemi përdorur në motorin e kërkimit në internet për materiale financiare, këto materiale do të të shfaqen sapo ta kërkosh “X”-in ditën, muajin apo vitin tjetër. Ama nëse X-in e ke lidhur me materiale për të rritur që kanë emërtime me këtë shkronjë, atëherë informacioni që do të të ofrohet i pari në telefonin apo kompjuterin tënd (sa herë që të lundrosh në internet) do të jenë faqe për të rritur.

Ne gjejmë të gjitha llojet e filmave dhe tregimeve të pista sepse ne i prioritizojmë ato duke i kërkuar. Interneti gjithashtu përmban çdo lloj zemërimi dhe shëmtie, sepse ne e prioritizojmë dhe e kërkojmë këtë. Ne jemi të mrekullueshëm në zemërim, të aftë për të nxitur njëri-tjetrin për asgjë nga ksenofobia e ashpër në përdorimin e pafalshëm të fjalës. 

Nuk është befasi që interneti, një krijimtari njerëzore kaq e fuqishme, të shfaqë zemërim dhe urrejtje dhe nuk është një surprizë që ne synojmë ta nxjerrim në pah. Por më e mira e njerëzimit është gjithashtu atje. Në një internet pothuajse të pafund, çdo gjë ekziston diku. Kjo e bën atë një motor të fuqishëm për material pornografik dhe zemëratë të çdo lloji, por është gjithashtu një motor i fuqishëm për estetikë, për dhembshuri, për tregime dhe ide. Ka tregime të mrekullueshme në internet, por thjesht po qëndrojnë diku aty duke na pritur. Ne vetëm duhet të shkojmë në kërkim të tyre!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top