Në fokus

April 12, 2018 | 11:38

Nga Dorina Bilbili / Për Marijen në arë e Marion në metropol, kush mban përgjegjësi për ta?

Ndërsa kërkoni hakmarrje, gërmoni dy varre, një për vete. Douglas Horton

Ishte viti 2012 kur 17-vjeçarja Marie Qukaj së bashku me gjyshin e saj mbetën të vrarë për gjakmarrje në një arë në Dukagjin. Adoleshentja u vra pas shpine, e motivi i hasmërisë me një tjetër fis ishte bërë një burim uji.

Fatkeqësisht 6 vite pas vrasjes së Marijes, kronika duket e dëgjuar…

Prill 2018, Mario Majollari ekzekutohet për gjakmarrje pranë banesës në Tiranë. I ati i Marios ka vrarë në vitin 2000 vëllain e autorit të dyshuar të vrasjes së të riut.

Fqinjët e Marios thanë se 28-vjeçari ishte aq djalë i mirë sa “fëmijët e donin shumë”. Madje fqinjët derdhën lot për të…nuk e besonin sepse sipas tyre Mario nuk i kishte bërë keq askujt! Mario kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi atje i ishte refuzuar azili me pretendimin se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. I riu thuhet se dilte lirisht me shpresën që krimi, për të cilin i ati po vuan dënimin (Mario asokohe kishte qenë vetëm 10 vjeç) s’do shkarkohej mbi të.

Mario vritet për gjak! As Mario, e as Maria nuk patën faj! Jeta e tyre u ndërpre, për krimet e tjetërkujt!!!

Krimet e gjakmarrjes vijojnë të shfaqen në tipin e hakmarrjes, vritet kushdo e kurdo.

Gjakmarrja fillon sepse njëra palë (në mënyrë korrekte ose jo) e percepton veten se është sulmuar, fyer ose dëmtuar nga një tjetër. Mosmarrëveshja më pas nxitet nga një cikël afatgjatë i dhunës hakmarrëse. Ky cikël i vazhdueshëm i provokimit dhe hakmarrjes e bën jashtëzakonisht të vështirë për t’i dhënë fund gjakmarrjes në mënyrë paqësore. Ndëshkimet shpesh përfshijnë anëtarët e familjes dhe / ose bashkëpunëtorët e palëve. Ato mund të zgjasin për breza dhe mund të rezultojnë në aktet ekstreme të dhunës. Në fazat e hershme të proceseve demokratike në vendin tonë, në fillim të viteve ‘90, u vu re një rritje e menjëhershme e gjakmarrjes dhe krimeve hakmarrëse. U riaktivizua “institucionalizimi” i kanunit të Lekë Dukagjinit.

As ashpërsimi i dënimit të krimit të gjakmarrjes e as kleri nuk po ndalin keqinterpretimin e Kanunit. Sepse kur Shqipëria doli nga komunizmi, një shtet i dobët dhe korrupsioni i gjerë gjyqësor bënë që më shumë njerëz t’i drejtohen kanunit dhe interpretimeve më ekstreme dhe abuzive të këtij kodi Mesjetar, që asokohe përdorej për të sjellë paqe.

Fisher do të shkruante: “Pas rënies së komunizmit, lloji modern i gjakmarrjes u shfaq përveç gjakmarrjes klasike. Për shkak të vështirësive ekonomike, shqiptarët e veriut u zhvendosën në pjesë të tjera të vendit dhe më pas transplantuan traditat e tyre diku tjetër. Në këtë mënyrë, rregullat dhe traditat e marrjes së gjakut evoluan dhe ndryshuan. Në gjakmarrjet moderne, njerëzit nuk i përmbahen më së miri rregullave strikte të tilla si kërkesa minimale e moshës prej 16 vjetësh për t’u përfshirë. Një tipar tjetër i gjakmarrjes moderne është se gratë, tradicionalisht të përjashtuara nga gjakmarrja, janë bërë objekt i vrasjeve”.

Sipas Fisherit, individët e interpretojnë kanunin në mënyra të reja dhe, për shembull, marrin dy ose tre jetë për një jetë të marrë. Kanuni gjithashtu është përdorur për të justifikuar aktet e hakmarrjes përtej gjakmarrjes tradicionale, siç janë rastet e kriminalitetit.

Sipas raportit të Operazione Colomba, korpusi i jo-dhunës, ka pasur 550 raste të gjakmarrjes dhe hakmarrjes nga viti 2011-2017 në Shqipëri, kryesisht të shkaktuara nga çështjet e pronësisë, mosmarrëveshjet e mëparshme apo çështjet e nderit. Numri më i madh i gjakmarrjes dhe hakmarrjes ndodh në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Lezhë. Këto janë raste plagosje, vrasje në tentativë, vrasje për shkak të hakmarrjes e gjakmarrjes. Viktimat? Pjesa më e madhe janë të gjinisë mashkullore, nga 550 raste, 508 janë meshkuj. 

As zgjidhja e as justifikimi nuk duhen kërkuar në Kanun! Shqiptari nuk mund të qëndrojë më në mëshirë të fatit. Shoqëria e shteti lipset të ndërhyjë njëherë e mirë për të parandaluar kronika të paralajmëruara të marrjes së hakut me gjak.  Ekspertët thonë me të drejtë se edhe pse Kodi Penal ka ndryshuar, legjislacioni i sistemit social dhe arsimor duhet të rishikohet.

Po si arrihet kjo? Psikologët thonë se falja është çelësi. Sipas tyre hakmarrja është e padobishme, sepse nuk e kthen objektin e thyer, por e shkatërron edhe më shumë. E anasjellta, fëmijët dhe të rriturit të cilët janë në gjendje të çlirohen nga ndjenjat e zemërimit kur u është bërë padrejtësi përjetojnë mirëqenie psikologjike më të madhe. “Zemërimi është si kanceri”, tha poetja Maya Angelou në një intervistë.

Loren Toussaint, eksperte e psikologjisë thotë se falje nuk do të thotë t’i thuash tjetrit: Më fal! Ajo thjesht do të thotë që po lëshon ndjenjat e zemërimit dhe hakmarrjes. “Ju jeni duke rifokusuar mendimet tuaja mbi emocionet pozitive; ndoshta edhe ndjenjat e mirëkuptimit, ndjeshmërisë dhe dhembshurisë ndaj personit që ju lëndon”.

E “të falësh” mund dhe duhet të mësohet që në fëmijëri. Kur fëmijët janë të padrejtë dhe nuk falin, ata mbeten “të mbërthyer” në situatën traumatike kur u ndjenë të viktimizuar. Fëmijët që mësojnë si të falin gjithashtu fitojnë një avantazh në aspektin akademik.

Po ashtu një studim i kryer nga Enright zbuloi se këshillimet e dedikuara për mësimin e faljes kishin përfitime të rëndësishme akademike për adoleshentët në rrezik.

Nga ana tjetër OJQ-të thonë se qeveria ka bërë shumë pak për të shmangur hakmarrjet ose për të ndihmuar familjet e prekura prej saj. Andaj lipset të forcohet sistemi i zgjidhjes së konflikteve që kanë tendencë të përfundojnë me plagosje dhe vrasje.

Tani, sot! Në mënyrë që të mos kemi të tjerë Marije e Mario…!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top