Editorial

March 8, 2018 | 13:57

Nga Dorina Bilbili / Unë nuk jam jot’ ëmë!

“Të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave”. – Hillary Clinton

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas më erdhi në mendje kënga himn feminist e Jennifer Lopez “Unë s’jam nëna jote”. Çdo kornizë e videos është e ngarkuar me imazhe historike që na shëtit që nga fillimi i lëvizjes feministe e deri më sot. Por edhe pse kalendari shënon 2018, femrat ende kërkojnë barazi brenda një marrëdhënieje romantike dhe në punë.

Prej afro 2 vitesh në blogun tim “Femrat” kam lexuar qindra histori vajzash e grash shqiptare që “luten” pikërisht për këtë të drejtë.

Por çfarë mund të themi këtë 8 Mars se është arritur në këtë drejtim?

Pas Luftës së Dytë Botërore, nga gratë u kërkua që të linin rolin e tyre si krah pune dhe të rifillonin rolin e shtëpiakes. Fatkeqësisht, nga periferia në metropol, këtë fenomen e gjen aktual edhe këtë 8 Mars!!!

Prandaj cila grua ose vajzë mbeti pa e gjetur sado pak veten në këngën e Lopez?! Sapo u prezantua 2 vite shkuar, ajo u pa si një revolucion i grave. Sepse ulëret për të drejtat e grave, prek feminizmin, pabarazinë gjinore dhe rolet gjinore. Aktuale edhe sot!

Kënga shfaq një shtëpiake të viteve ‘50, e cila flak mbi të shoqin ushqimin e gatuar prej saj dhe i ulërët atij: “Nuk do të rri gjithë ditën duke gatuar, unë nuk jam mamaja jote”. Aktuale edhe sot!

Një punëtore fabrike e viteve 1980…Në çdo skenë, J. Lo shfaqet rebele kundër meshkujve që e shfrytëzojnë, por gjithashtu kërkon që çdo grua të mblidhet kundër meshkujve që i shtypin. Aktuale edhe sot!

“Nëse një mashkull mund të shkatërrojë gjithçka, pse nuk mund ta ndryshojë atë një vajzë?” – do thoshte plot forcë Malala Yousafzai. Gra dhe vajza çohuni e bëjeni realitet SOT!

Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill kulturë, thotë një shprehje. “E ndaluar të vdesësh” ishte po ashtu një tjetër këngë himn. Shqiptari Ermal Meta në Festivalin e Sanremo 2017 u prezantua me një ankesë kundër dhunës në familje. Këngë që si zjarri u përhap në një thirrje universale që u drejtohet viktimave të dhunës, qoftë fëmijëve apo grave.

Vitin e shkuar në Shqipëri pati bilanc tragjik për vrasjet dhe dhunën ndaj gruas. 8 gra humbën jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortët/(ish)partnerët e tyre.

Gratë janë lodhur nga nënvlerësimi i burrave, qoftë në shtëpi apo në vendin e punës. Ata janë lodhur që i caktohen role të kufizuara, janë të lodhura duke fituar më pak se burrat dhe mbi të gjitha janë lodhur duke mos u dëgjuar. Sipas INSTAT papunësia në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2017 u vlerësua në 13.6%. Një masë e konsiderueshme e kësaj shifre janë femra.

Femra s’duhet marrë si diçka e dhënë, të injorohet, anashkalohet, nënvlerësohet! Pra, ju e dini çfarë duhet të bëni zonja: Jo më, shumë gatim dhe pastrim për meshkujt, përveç kur dëshironi ta bëni këtë. NE NUK JEMI NËNAT E TYRE!

Ama paçka sërish mbetet shumë për tu bërë për të drejtat e grave, kemi plot arritje për të festuar. Andaj 8 Marsi lipset të miksojë si një ndjenjë të festës ashtu edhe të përgjegjësisë. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një moment për të nderuar gratë e jashtëzakonshme që kanë ndihmuar të hapin rrugën për përparim, nga Hillary Clinton në Malala Yousafzai.

Sepse nëse bën diçka, njerëzit flasin. Dhe nëse mund t’i bëjmë njerëzit të flasin dhe të angazhohen në biseda rreth barazisë së grave, atëherë biseda është çuar një hap më tej.

“Jam e vështirë, jam ambicioze dhe e di saktësisht se çfarë dua. Nëse kjo më bën një kurvë, në rregull”, do t’i vinte pikën Madonna.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top