Në jetën njerëzore asnjë nuk i do shkaqet të jenë mëkate, dhe pasojat xhelatë. Çështje ndërgjegjeje, citon filozofi gjerman Niçe, te libri i tij “Agu i Mëngjesit”. Duke u larguar nga kjo perspektivë të menduari, i afrohemi një perceptimi social bashkëkohor dhe të modernizuar. Jemi ne vërtet një shoqëri e çliruar nga hijet e së kaluarës?!
Historia na përndjek ende si një ‘xhelat’ pas disa dekadash, duke na standardizuar sjelljen, zakonet, botëkuptimin, shpeshherë edhe moralin. Morali i viktimave të regjimit nënkuptonte një ‘flijim të vetes me ngazëllim’. Dëshirat dhe pasionet groposeshin në repartet e internimit në rastin më të keq, kurse në rastin më të mirë, fshiheshin pas përçmimit të fuksave të asaj kohe.
Me kalimin e dekadave shoqëria e tyre përparoi në shoqërinë e ‘të vërtetave në shesh’. Kur them këtë, nënkuptoj larminë e fjalës dhe mendimit, mënyrën e qartë dhe të hapur të mashtrimit, por edhe për mënyrën e veshjes dhe sjelljes të këtij populli që tri dekada më parë as nuk i lejohej të qarkullonte kryeveprat botërore të letërsisë ku flitej për histori dashurie e jo më të dashuronin të lirë, apo në publik të flitej për seksin.
Vitet ‘90 jo vetëm të vështira politikisht për Shqipërinë, cilësuar nga studiuesit dhe analistët e asaj kohe si një periudhë tranzicioni politik, por unë do shtoja edhe si një periudhë e tranzicionit seksual në shoqëri. Ndrydhja e libidove sociale prej një regjimi të shthurur në vetvete, solli edhe atë pasojë që sot të gjithë nën zë apo në emisione të ndryshme televizive e quajmë shthurje sociale. Çdo reklamë apo poster demonstrues ka në fokus një imazh epshndjellës. Edhe mediat vizuale luajnë rol selektiv në programacionet apo në show të ndryshme televizive, duke i ofruar publikut një material komercial-epshor, i cili ndryshe quhet arti gllabërues i epshit social.
Duke kaluar te sfera e artit shqiptar, dua të veçoj ata artistë që bëjnë art të mirëfilltë, duke na i paraqitur libidot nëpërmjet veprave të tyre, me ndjeshmërinë dhe sensualitetin që duhet të karakterizojë shoqërinë për të përparuar e për të mos rënë prè e vulgares dhe komerciales. Si mund t’i dallojmë ata? I gjen nën hijen e të famshmëve, larg portaleve dhe medias, nëse janë pjesë e rrjeteve sociale kanë shumë pak klikime dhe pëlqime. I gjen edhe në ndonjë shesh duke pikturuar të lirë, ose duke dhënë ndonjë shfaqje për disa kacidhe ose në rastin më luksoz, në ndonjë kafene të zbrazura nga vullnetet e epshme.
Kemi artisë e shkrimtarë të shquar shqiptarë që nëpërmjet penës së tyre na përcjellin një libido sociale sensuale, të vërtetë, pa fryrje fantazish e pa deformime iluzionistësh, ashtu siç janë në të vërtetë marrëdhëniet njerëzore e specifikisht ato seksuale në shoqërinë shqiptare. Gllabërimi i epshit social që ka përfshirë çdo sferë të shoqërisë sonë degradon në kufijtë e një realiteti ende të pafavorshëm për ta menaxhuar situatën siç duhet edhe te brezat e ardhshëm.
Një shoqëri duhet t’i ketë vetë edhe pyetjet edhe përgjigjet për individët e saj. E kam fjalën për përgjigje relative sigurisht, por duke ruajtur origjinalitetin e epshëm social dhe kulturor. Në të kundërt, nuk mund të përparojmë duke i ofruar brezit të ri një përgjigje sociale fizikisht të kopjuar nga vendet e përparuara europiane dhe metafizikisht të ngecur në tabutë tradicionale shqiptare.
Brendia e përgjigjeve sociale që duhet t’i ofrohen individëve si pjesë e një strukture racionale moderne nuk ka të bëjë me fenomenin e gllabërimit të epshit social që na ka pushtuar së fundmi, sepse kjo ka pasoja deformuese në shoqërinë e së ardhmes. A do të donit të investonit sot për njerëzit e jetës së gabuar nesër? Ju lutem, lexoni letërsi të mirëfilltë nëse dëshironi të rigjeni libidot e fshehura brenda jush, investoni te vetja me libra e filma që nxisin sensualitetin dhe jo fantazitë marrëzisht të shfrenuara të epshit.
Mos u tundo nga ‘fashion fake’ alla blogerësh që për t’u evidentuar, kanë gjetur mënyrën më të thjeshtë, siç është zhveshja dhe lakuriqësia. Kushdo ka fuqinë natyrore të habisë me lakuriqësinë e tij/saj nëse zhvishet, pasi si normalitet qeniet racionale kanë perceptimin e veshjes.
Ndryshe ndodh me lakuriqësinë e kafshëve që për perceptimin njerëzor është një normalitet, d.m.th t’i shohësh kafshët lakuriq është gjendje normale, vetëm kur janë në gjendje ereksioni ato shkaktojnë habi sesi instinktet nxisin epshet, ndaj edhe lakuriqësia njerëzore shkakton gjendje habie për aq kohë sa të habiturit është një veti e njeriut, i aftë për të kapërcyer atë që kuptohet vetvetiu dhe për aq kohë sa të habiturit metafizik ia ka lënë vendin të habiturit instiktiv nga racionaliteti i munguar fatkeqësisht te disa.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.