Pika referimi

November 9, 2018 | 9:30

Nga Dorina Hoxha / Koordinatat e vetes

Nuk u desh shumë nga zgjimi i mëngjesit, i vrullshëm, ku krevati prej disa ditësh ka të njëjtën pamje, çarçafë të zhubrosur dhe një mori rrobash të palara. Akrepat lëvizin marrëzisht, dhe unë po bëhesha gati për të dalë nga shtëpia, dhe ajo çka më preokuponte para së gjithash ishin moria e çelësave që mbaja gjithnjë me vete.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Përditshmëria të rrëmben vrullin e mendimeve. Supozohet duhet të dilnin jashtë meje, por qëndrojnë në heshtje të zbulohen pak nga pak. Ishte vetmia që po mbyste hapësirat e mia shpirtërore apo mjedisi përreth?!… enët e palara të darkës?!…

Çdo ditë mendimet tona vdesin. Vdes një ide e palindur, e në të njëjtën kohë vdes edhe shpirti ynë. Marrëdhëniet njerëzore janë aq të komplikuara ndonjëherë, saqë vështirë t’i gjesh një shkak apo pasojë. Por e rëndësishme është të dimë si i ndërtojmë këto marrëdhënie pa cenuar lirinë dhe integritetin social të tjetrit. 

Shpeshherë na ndodh të jemi të ftuar diku, të jemi të rrethuar nga shumë njerëz dhe në fund arrijmë të nxjerrim përfundimin se u ndjemë të vetmuar. Jo të gjitha komunikimet arrijnë të depërtojnë në skutat e errëta të të pandërgjegjshmes sonë, sepse jo të gjithë kanë aftësinë të krijojnë marrëveshje të vogla, duke rreshtuar prioritete dhe dëshira haptazi, pa asnjë brengosje apo frikë.

Sidoqoftë, ndodh edhe kur arrihet kjo e mesme e artë në komunikimin ndërveprues, të ketë heshtje brenda qenies tënde, një heshtje që vret pak nga pak emocionet e tua, mendime qorrsokake që të bëjnë të reflektosh mbi fenomene e për çështje të mëdha jetësore, siç janë vdekja, dashuria, ekzistenca. Pas kësaj kupton që nuk është vetmia, por kthimi në vetvete, ai që na trazon mendimet, përqasja e dëshirave, realizimeve dhe e epsheve të fshehura, që sipas gjuhës Frojdiane mund ta përkufizojmë si, përqasjen e uneve dhe mbiuneve njerëzore.

Lindim të vetëm në këtë jetë, vdesim po vetëm. Ajo që do të na shoqëroj përgjatë ekzistencës në këtë botë si një hije, janë veprat tona. Mënyra se si kemi reaguar ndaj sprovave, ndaj situatave të vështira dhe të lehta njerëzore. A përputhen veprimet tona me kodin moral, që çdo kush beson në forma dhe mënyra të ndryshme?!… 

Një autosugjestion, një gjykatës, rregullator, humbës, triumfues, pikëllues, një dëshirë e shfrenuar jemi po vetë ne, nuk është vetmia, nuk është tjetri. Jam unë vetë, është kthimi im në vetvete dhe pasiguritë e tij për t’iu përqasur universit!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top