Psikofakt

May 31, 2017 | 9:38

Nga Dorina Hoxha: Monolog i pazbuluar

Sot, … është ‘tani’ që nuk ishte dje, por që nuk do jetë edhe nesër.

Mesjavë, mbizotëron dëshira për asgjë, as për të folur, as për të qeshur, as për të nuhatur, shkurtimisht mbizotëron një mos dëshirë për ngazëllim. Situata politike duket disi më e qetë se para disa javësh, megjithëse të gjithë e dëshirojmë Vettingun. Zgjedhjet janë kryefjala e jetës sociale në vend, ndonjëherë edhe në familje, ndalem këtu… familja, çmimi i së cilës nuk del asnjëherë në ankand, ama shpeshherë jemi po vetë ne, që ia dhurojmë institucioneve të drejtësisë. Përmenda fjalën drejtësi jo në perceptimin e etshëm për Vetting, por në perceptimin human të gjetjes së zgjidhjes. Kur nuk i beson vlerat e qenësishme të familjes, as nuk ke turp t’i dhurosh ato në formën më ç’njerëzore. Sa pak dashuri ka të shpërndarë në tokë, edhe ajo që manifestohet si e tillë të krijon përshtypjen e një adrenaline mishtorësh që përfundon ende pa nisur. Do ketë prej jush që do të gjykojnë këtë pasi e kanë parë nga këndvështrimi i adrenalinës mishtore, dhe do thuhet “rroftë epshi” poshtë “epshprishurit”.

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Shoh dashuri të vdekura në njerëz të gjallë po ashtu siç shoh në njerëz të vdekur dashuri të gjalla.

Jeta jashtë kësaj dritareje duket një ngazëllim pa të pyetur.

Moti duket i kthjellët, cicërimat janë e vetmja zhurmë akustike e qendrës në qytezën e vogël ku përbri saj qëndrojnë kryeneçe pishat, si një mantel jeshil i kodrës përbri. Dëshira për ngazëllim të vjen nga pak kur e vetmja zgjidhje që të ofron natyra është ligji për të ngadhënjyer mbi çdo mosdëshirë të nisur. Do nisem diku mendova, po ku? Mendja të shpie kudo, pëshpërita por problemi qëndron tek imagjinata. Për disa minuta duhet të ushtroj imagjinatën brenda mendjes dhe jashtë mendjes të jem e njëjtë.

Heshtjet të demoralizojnë ndonjëherë, sepse të pohojnë pasiguritë. A do të dëshironit që dikush t’jua aprovonte pasiguritë nëpërmjet heshtjes?! Më parë se të tjerët, jemi ne vetë që ia pohojmë pasiguritë vetvetes me heshtjen. Heshtja është flori atje ku ajo të aprovon sigurinë dhe jo atje ku ajo të aprovon pasiguritë e aprovuara më parë nga vetja.

Dështake!

dorina-foto-ilustrueseImagjinata ta vret heshtje nëse t’i përpiqesh të mos e mendosh atë, por kur përpiqesh ta largosh bëhesh rob i saj. Nisur nga kjo çështje nuk do guxoja ta quaja heshtjen flori si populli do ta quaja “ngrënëse” të fjalëve që s’thuhen, emocioneve që nuk i shprehim.

Ngazëllim, si ndjenjë që përpiqesh t’jua vrasësh heshtjen njerëzve, ku vallë frymëzohesh? Mbi cilën fjalë mbështetesh e në cilin shtrat pushon? Ngazëllim, unë po të pyes në emër të atyre që i ka mbuluar heshtja kokë e këmbë. Në emër të atyre që heshtin aq shumë sa vdekja do të ishte një lloj gjendje e njëjtë. Ngazëllim të flas sikur të ishe i mëshiruar në trupin e një qenie, se duke nisur nga vështrimi jonë si qenie, ne kurrë nuk të shohim jashtë saj, por gjithnjë në bashkëveprim me qeniet e tjera. Ngazëllim, pak nga ty mund të gjesh kudo… pak në familje, pak në shoqëri por edhe pak nga pak e secilit prej nesh. Monologu është i preferuari i të heshturit, ligjërimet mbi veten kanë korrur sukseset botërore. Shoqëria njerëzore persekuton vetveten prej shekujsh të zbulojë këto monologje heshtjeje që secili ia thotë vetes dhe asnjëri shoqërisë, madje edhe kur ia përçojnë fusin shumë nga imagjinata të cilën më sipër pohova se e vret heshtjen. Në çdo formë tentojmë t’i largohemi monologut të heshtjes edhe atëherë kur psikologjia thërret për shërim dhe filozofia për meditim. Në çdo kohë jemi monologë të pazbuluar që heshtjen e kurorëzojmë vazhdimisht me “shpresë”…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top