Darka i përket njerëzve të imagjinatës, atyre që kur ju flet i thyet në iris një shpresë. Darka u përket edhe maskarenjve, atyre që ditën e bjerrin me shpirt të shprishur, sepse nuk e gjejnë një kuptim për të nesërmen. Darka, që ne në gjuhën e së përditshmes quajmë një kohë rreth orës 20:00 deri në 21:00, pas kësaj kohe fillon bie në qiell darka e thellë, njerëzit bien të flenë dhe mendimet ngrihen për të kuvenduar me veten nën heshtjen e zgjatur të një errësire të frikshme.
Nata bie mbi qytetin e zhurmshëm. Rreth e qark ka plot dritë artificiale që ndriçon çdo pëllëmbë të atij vendi, madje edhe një grup të rinjsh metalarë. Ato kanë ndezur cigaret dhe me gotat e birrës në gjysmë, këndojnë e dëfrehen pa asnjë drojë. Nata është e gjatë, megjithëse në këtë pjesë të qytetit dita shkëputet nga nata vetëm si lodhje fizike ose pagjumësi. Pjesa tjetër ndarjen e kufirit ndërmjet ditë-natës e përjeton thellë brenda një gjumi, në një botë ku zhytemi me gjithë mbiunin tonë.
Nata për ata që përjetojnë errësirën, është gjumi, si i vetmi shpëtim nga dita e ndrydhur e subkoshiencës sonë.
Natën ka njerëz që punojnë po aq sa ditën ka njerëz që flenë. Një lëng kajsie nuk e ul tensionin e zhurmave të natës. Natën mendja bën zhurmë. Natën njerëzit vuajnë për vetvete, e ditën vuajnë për kohë.
Botë paradoksi!
Natën shkrimtarët hapin puset e tyre të mendjes e me vështirësi i ngrenë kovat e hamendësimeve e i derdhin tastave. Nata është dita në versionin e selfies. Kisha muaj që nuk shkruaja, i kisha mbyllur dyert e hamendjeve të natës.
Dita vinte e gjatë në angazhime, strukesha sidomos vetëm çasteve të pushimit të drekës të përjetoja natën time. Si një përgjumje qe, siç ndodh zgjuar pa fjetur. Mund të jesh fizikisht, po mendja përjeton një natë në të cilën sheh vetëm vetveten. Në natën e mendjes nuk sheh njerëz të tjerë, as miq, as të afërm, je i vetëm dhe lakuriq përballë ndërgjegjes. Është një dialog që kur vetja të thotë je gabim, ti ia pranon apriori qortimet dhe ndjen nevojën t’i përmirësosh, por nuk di se si as se kur. Kupton se je i pafuqishëm të ndërveprosh e për këtë fillon të urresh veten.
Kur bie nata në mendje nuk ke mëshirë për veten, ti je si një ushtar që ka detyra për të raportuar. Sa trishtim ndjej kur nata më zë çdo gjymtyrë, aty nuk ka kompromise dhe përmirësime aty ka vetëm përjashtime ekzekutive subkoshience dhe një vesë brymë që zë vullnetin për të dashur botën.
Ah, kur vullneti për të dashur botën ngrinë kemi një lëmsh të madh në artikulimin e gjësendeve përreth. Vullneti për ta dashur botën është më i thjesht seç e mendojmë, po ne njerëzit e ndërlikojmë vetë. Një botë e ngritur me analiza është nata vetë. Dita është vullneti për ta dashur botë në mënyrë të thjeshtë, për t’iu qas botës me ide të thjeshta. Ne jemi labirinti i vërtetë i këtij perceptimi mijëvjeçar.
Nëse thua: ‘nuk dua të ha mollë’ është gramatikisht dhe morfologjikisht e thjeshtë. Personit që ia dëfton dëshirën tënde ai e pret përgjigjen njësoj si pyetja. Ndërkohë nëse thua ‘unë nuk i pëlqej mollët’…. gramatikisht dhe morfologjikisht është shumë e thjeshtë, por personit që ia dëfton mendimin tënd nuk e pret njësoj përgjigjen si pyetja. Gjërat fillojnë të komplikohen kur pritshmëritë tona bien si perëndimi në detin tonë të vullnetit për të dashur.
Bota komplikohet sa herë na thyet vullneti për ta dashur atë me ndonjë fjalë, gjest apo një miratim. Në fund të fundit bota është një miratim i gjithëmëshirshëm. Zemra njeh shumë shtigje, nëpërmjet të cilave dita depërton në skutat e errëta të saj thjeshtësisht me një ‘mirëmëngjes’; ‘më fal’; ‘Mirë se vini’; ‘ Të lutem’, ‘ Bukur’; ‘Shpirt’; ‘ Flutur’.
Një lëndinë me lule të verdha duket nga të dy krahët e rrugës sime. Lëndina të gjëra e me lule të verdha, ti ku je?
Më dukej se t’i pashë krahët, të lehtë si një pendë në ajër ishe ti flutura ime e bardhë. Nuk di cilës anë të rend sepse nga do ikën unë nuk të arrij dot, vullneti për ta dashur botën është vullneti për të rendur pas teje.
Vesa e mëngjesit fluturat i fanit dhe në zgjim më mungon vullneti për ta dashur botën.
Nuk dua të lë në mesin e atyre që botën e vështirësojnë me kuptime, dua disa kuptime t’i marr me vete në fluturimin drejt teje, sepse në këtë mënyrë botën e komplikojmë më pak. Sikur të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë do ta lehtësonin realitetin nga dramat dhe ngjarjet tragjike. Në mesnatë ka vetëm natë. Nata është dita në versionin selfie, ndaj le të qeshim pakëz, ashtu si një foto e stampuar e vullnetit për të dashur ditën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.