Pika referimi

October 8, 2018 | 8:54

Nga Dorina Hoxha / Qytetërimi i vëzhgimit

Puna është një detaj që na tregon se sa mirë ose keq jetojmë. Jetohet mirë duke punuar në mënyrë të keqe, po aq sa jetohet keq duke punuar me drejtësi. Në pamje të parë duket si një rend së prapthi që na shpie në drejtimin e gabuar të gjetjes së qëllimit për të punuar. Profesioni dhe kualifikimet na veçojnë në gjetjen e aftësisë sonë brenda shumëllojshmërisë së punëve që ekzistojnë në botë.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Puna përfshin çdo aktivitet që njeriu sforcohet të kryejë në dobi të interesit të tij si në aspektin fizik po aq edhe ekonomik. Zhvillimi i teknologjisë në shekullin e XXI ka reduktuar punën e burimeve njerëzore duke e zëvendësuar këtë me një proces të programuar elektronikisht. Zhvillimi teknologjik, shpikja e robotëve apo aparaturave elektronike janë sot një sfidë ndaj njerëzimit dhe ekonomisë. Rendi i ri elektronik përpiqet të lërë të papunë, jashtë skemës së qarkullimit të parasë miliona njerëz të kualifikuar. Zhvillimi elektronik vë në pikëpyetje vazhdimësinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore jo nga pikëpamja sasiore, por nga pikëpamja sociale dhe psikologjike.

Të ulësh koston ekonomike të shpenzimit duke nxjerrë në mënyrë deficitare qenien njerëzore, unikalitetin e saj racional do të thotë se shoqëria është në prag të një ndryshimi, erërat e të cilit nuk duken në favorin tonë. Përparimi teknologjik, si shkak-pasojë e njeriut postmodern, çdo ditë e më shumë po ecën me ritme të shpejta, po thellon problemet e shëndetit mendor dhe po na cenon në çështjet e privatësisë.

Të punosh do të thotë të veprosh, të përqendrosh dhe kontrollosh tërë potencialin racional dhe fizik në qëllimin që kërkohet të arrihet. Në ditët tona puna artizanale apo gjendje njerëzore që i përket Homo faber-it dhe që i tejkalon kufijtë e mbijetesës dhe që lidhet me aftësinë e njeriut për të prodhuar një botë sendesh që del nga duart, në ditët tona klasifikohet ndër punët e papaguara. Kjo gjendje është zëvendësuar me mjetet e zhvillimit teknologjik që krijojnë dhe imitojnë në mënyrë të përsosur këto lloj punimesh. Rënia në kurthin e zhvillimit teknologjik na ka shmangur nga origjinaliteti dhe na ka zhveshur nga vlerat morale.

Qytetërimi i vëzhgimit ka ardhur, dhe shekulli XXII do të jetë pika kulmore në bazë së cilës do të jetë i prirur të shkojnë fatet njerëzore në të ardhmen. Hapësirat publike tanimë janë shndërruar në hapësira të vëzhgimit. Në Shqipërinë e shekullit të XXI por edhe në Evropë e më gjerë çdo restorant, shërbime hotelerie, zyrë avokatie, kafene, agjenci turistike, qendra tregtare, supermarket apo çdo qendër e shkëmbimit monetar etj., kanë të instaluar kamerat e sigurisë që regjistrojnë çdo veprimtari të kryer në këto ambiente.

Qytetarët janë të cenuar të kenë një jetë apo përditshmëri private, në çdo fushë që ato operojnë. Qytetërimi i vëzhgimit dashje pa dashje na prek si në sferën private po aq edhe publike. Korporatat apo kompanitë nëpërmjet kamerave të sigurisë që janë të instaluara në çdo ndërtesë vëzhgojnë ecurinë e punës së punonjësve, madje zhvillimi ka përparuar aq shumë sa nëpërmjet programeve elektronike të instaluara brenda kompjuterëve të zyrave të arrihet vëzhgimi e përgjimi i veprimtarisë kompjuterike të punonjësve. Kompani të mëdha kanë bërë të mundur bllokimin e rrjeteve sociale brenda kompjuterëve të punës, për arsye produktiviteti dhe etike.

A mund të jetë e lirë një shoqëri nëpërmjet ‘vëzhgimit’ dhe ‘përgjimit’? Privilegji absolut i njeriut është procesi i të vepruarit dhe për Arendt, të vepruarit dhe politika janë të mundshme vetëm në liri. Qytetërimi i vëzhgimit, fatkeqësisht po na çon drejt një botëkonceptimi iluzionist të një lirie false, që na është vjedhur që në momentin kur një çip i vogël të vëzhgon nga dhomat e zhveshjes në qendrat tregtare apo edhe në dhomat e gjumit të hoteleve luksoze. Koncepti i punës ka ndryshuar aq shumë në ditët tona, të punosh nuk ka më kuptimin e lodhjes fizike siç shekuj më parë ky koncept kuptohej. Në kohët moderne koncepti i punës ka një kuptim më të gjerë që përfshin lodhjen mendore apo psikologjike. Në konceptin bashkëkohor të fjalës punë, përfshihet edhe kur vëzhgon të tjerët, ku për qëllime personale të mbrojtjes së aktivitetit privat të cenosh privatësinë e të tjerëve, e në rastin më të keq ta keqpërdorësh për qëllime përfitimi.

Zhvillimi i teknologjisë është përdorur edhe për qëllime të dëmshme, një dëshmi e tillë ka qenë shpërthimi bërthamor në Hiroshima. Pas kësaj ngjarjeje, Albert Camus u shpreh: “Ne duhet të zgjedhim, në të ardhmen e afërt, mes vetëvrasjes kolektive apo përdorimit inteligjent të arritjeve tona shkencore.”

Lexuesit e mi skeptik, ashtu siç janë mendimet e atyre që pëlqejnë të më lexojnë, qytetërimi i vëzhgimit na ka ngritur kurth të pashmangshëm. Jemi të detyruar ta mbajmë këtë peshë sociale dhe kulturore herë si gabimin e më të mençurve e herë si dëshirë për të ekspozuar dhe ‘vrarë’ sferën private me pahijen e një transparence të tepërt, deri diku të panevojshme. Qytetërimi i vëzhgimit nënkupton vetëm ekzistencën e sferës publike dhe një racionalitetin që e mbush kupën me kuptimet e saj dhe e zbraz me tentativat e mosngopjes asnjëherë me veten.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top