Nëse dyert janë mbyllur, një e vërtetë mbetet gjithmonë pas tyre, ndaj mënyra më e mirë për ta përvetësuar të vërtetën është ta prekësh atë nëpërmjet imagjinatës dhe forcës krijuese.
Vendi ku nxitet dija është si një histori që ripërtërihet sa herë një sezon i ri sjell një brez më të ri. Mbi mure shkruhen germa, të cilat po t’i lexosh ndarazi, tingëllojnë kuptime të çuditshme, e prej nga lind çudia e parë për t’u bërë i ditur. Shkollat i hapin dyert në vjeshtë dhe kjo është një habi, sepse fillimi në kërkim të dijes përkon me antagonizmin e gjendjes së shndërrimit të natyrës në stinën e vjeshtës.
A është vjeshta një metaforë që kërkuesit shkencorë e kanë përzgjedhur si ‘farin’ në kërkim të dritës së diturisë, ciklin e të cilit e quajmë shkollë, institucion arsimor, universitet etj.? Janë muret e këtyre ndërtesave, të cilat marrin kuptime metafizike nga nxënësit, nga çdo bisedë apo diskutim që lë fryma e tyre mbi sipërfaqet e mureve. Ju qëllon të riktheheni pas shumë vitesh në shkollën tuaj, nga ku vëreni se muret janë lyer dhjetëra herë dhe ju sërish të keni ndjesinë metafizike se ende brenda tyre ruhet e fosilizuar fryma dhe kujtimet e brezave.
Rruga në kërkim të dijes nuk përfundon në pragun e shkollës, ajo është vetëm metoda se si duhet ta kërkojmë, dhe sapo del jashtë atij institucioni, ke nisur rrugëtimin e kërkimit të vazhdueshëm përgjatë gjithë jetës. Konfuzioni do të jetë bashkëshoqërues shpeshherë në rrugën për të ditur, ashtu edhe siç zhgënjimi do të të devijojë idetë në karrexhata labirintesh po aq edhe vullneti do të dijë sërish të jetë busulla e ideve që tentojnë të lindin në udhëtimin e gjatë të jetës.
Në ditë me vapë zhuritëse, teksa këmbët të shpien në shkollën ku u formove dhe të ka kapluar nostalgjia, do të vëresh se brenda asaj ndërtese le kujtime që ende frymojnë brenda teje. Në ditë të tilla, pragu jashtë saj vëzhgohet nga rojtari. I vetmi njeri që zbrazëtinë e pushimit në shkollë e frymon me prezencën e tij dhe shkëmbimi i ndonjë fjalë me të, një rebus për vizitorët e rastit.
Rojtarët e dijes më dhimbsen pa masë, sepse profesioni i tyre po zhduket njësoj si rojtarët e fareve, në ndryshim prej tyre, rojet e shkollave ose siç i quaj unë ‘rojtarët e dijes’ janë më të vetmuar. Ata shohin me sytë e tyre kapërcimin e brezave, përplasjen mes tyre, i mbijetojnë dëshirës për t’u kthyer pas në kohë, në mund ta quajmë, një përpjekje për t’i shpëtuar jetëve paralele. Roja e shkollës vështronte habitshëm kur i shpreha se më dhimbsej. Menjëherë lëkundi krahun e këmishës që valëvitej bosh, dhe mendoi se aftësia e tij ndryshe ma ngjallte këtë ndjesi.
Rojtari i rebusit tim nuk e gjeti të vërtetën, që nuk fshihej në aftësinë e tij ndryshe, por në paaftësinë e tij për të kuptuar zanafillën e nostalgjisë sime si një blasfemi brezash, që më vonë mund të rezultojë një e vërtet e madhe. Të gjitha të vërtetat e mëdha për George B. Shaw fillojnë si blasfemi. Rojtarët e dijës mund të jenë ndër të vetmit që jetojnë në kohëra blasfemike dhe nuk e kuptojnë që një ditë jetuan në kohën e atyre që do të sjellin ndryshimin shoqëror.
Botuar në Revistën “Psikologjia” , Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.