Në fokus

August 8, 2017 | 14:43

Nga Dr.Klaudia Stajka: Femrat dhe paqëndrueshmëria emocionale

Temë e radhës, të cilën kam kohë që kam dashur ta trajtoj, është paqëndrueshmëria emocionale si pjesë e një çrregullimi të personalitetit kufitar. Kjo dëshirë buronte për shkak se informacioni në gjuhën tonë ishte i mangët, por edhe sepse në sytë e mi ishte një fenomen që ndihej shpesh. Më pas, duke qëndruar para laptopit kuptova se ajo kisha në mendje nuk ishte pikërisht një çrregullim mendor, por dëshira për të shpjeguar dhe justifikuar ndryshimet e shpeshta emocionale që takoja në mesin e shoqeve të mia, te mami im, te vetja ime apo për ta konkluduar më saktë adresimin tek të gjitha femrat në përgjithësi.

klaudiaPersonaliteti kufitar me paqëndrueshmëri emocionale është një status mendor që qëndron mes neurozës dhe psikozës, ndërsa ajo që ne femrat përjetojmë, është pasojë e një mendjeje që punon pareshtur dhe i një shpirti që ndoshta ndjen pak më shumë se ç’duhet. Me këtë nuk dua të nënkuptoj se femrat janë kukulla patetike që qajnë e dëshpërohen për çdo gjë, por krijesa fisnike që e kanë të pamundur t’i frenojnë lotët në momente kur jo gjithçka e kanë nën kontroll, siç janë mësuar gjithmonë.

Të jesh femër do të thotë të jesh e ndjeshme dhe të menaxhosh emocionet në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Një femër mund të duket si një e çmendur kur është e zemëruar dhe nervoze, mund të përkëdhelet njësoj si një koketë atëherë kur dëshiron, mund të rrezatojë dashuri te njerëzit e zemrës, mund të qajë e të qeshë brenda pesë minutave në ditët para ciklit menstrual, bëhet seksi në momente intime, profesioniste në punë, shefe përpara dhjetëra burrave apo burrë, nëse shtëpia nuk e ka një të tillë.

femerTë jesh femër do të thotë të shqetësohesh e të mërzitesh edhe për motive budallaqe si shtimi i disa kileve të dukshme, prerja e një balluke që nuk duket ashtu siç ajo e imagjinonte, të qenit larg shtëpisë apo të fejuarit, i dashuri nuk po sillet si zakonisht dhe nuk i jep vëmendjen që meriton, të gjithë kolegët përreth po martohen dhe vetëm ajo jo, nuk ka kohë të lirë për miqtë e i duket se mund t’i humbasë ata, jeton vetëm dhe ndonjëherë ndihet bosh, shoqja e ngushtë e tradhtoi dhe dikush në punë iu përgjigj rëndë, kohët e fundit asgjë nuk po shkon siç e kishte planifikuar, etj; e kur të gjitha këto bëhen bashkë në një ditë të vetme, ndryshimet e shpeshta të humorit nuk i dedikohen më një problemi mendor, por asaj që unë e quaj heroinë multidimensionale.

Lidhur me emocionet, shkenca ka studiuar gjatë dhe ka ballafaquar ndryshime në mekanizmat nervorë midis burrit dhe gruas. Një studim i fundit i botuar në Journal of Neuroscience konfirmon se, femrat reagojnë më mirë ndaj situatave emocionuese dhe kujtojnë detaje nga këto të fundit më mirë sesa meshkujt.

medical-work-experience-2Konkluzion tjetër i neuroshkencës moderne është se, natyra femërore rezulton të jetë më gjatë në kohë e përfshirë nga emocionet sesa meshkujt, të cilët i anashkalojnë këto më lehtë dhe aktivizojnë zona të trurit për t’i dhënë zgjidhje më praktike e më të shpejta. Studimet kanë treguar se burrat tentojnë ta cilësojnë më shpesh “fushë me lule” martesën e tyre dhe janë më të papërfshirë emocionalisht në problemet familjare sesa gratë, të cilat shprehen se kanë vështirësi dhe se i mungon dialogu. Mirëpo, ndryshime të tilla mes sekseve, e kanë zanafillën që në fëmijëri. Është parë se vetë prindërit përveç pjesës së qortimit, flasin më shumë rreth emocioneve të tyre me vajzat sesa me djemtë. Vajzat që në fëmijëri, marrin më shumë detaje rreth statusit emocional, njohin më shumë gjendje shpirtërore për t’i përshkruar dhe priren të shfrytëzojnë reagimet emocionale përballë atyre fizike; nga ana tjetër, djemtë mundohen t’i minimizojnë sa më shumë të tilla momente, dështojnë në kuptimin e shenjave joverbale dhe përpiqen të fshehin frikërat, pasiguritë dhe druajtjet e tyre.

Duke hequr përparësen e bardhë dhe duke e renditur veten në mesin e të gjitha femrave, dua të shtoj e të theksoj se është krejt normale ta shohësh njëherë të bardhë e njëherë të zezë. Intimiteti femrat i frikëson më pak, kështu që ne jemi të gatshme për të investuar emocionalisht më me shumë vrull madje edhe duke rrezikuar. Një femër emotive është njësoj si hëna, ka dy faqe: ajo e ndriçuara që është e ndjeshme dhe brishtë dhe ajo e fshehura që është e jashtëzakonshme, me forcën e një tërmeti dhe pasojat e një vullkani. Të tjerët duhet të tregohen të kujdesshëm për të marrë vetëm njërën anë apo të tregohen të kuptueshëm dhe ta lënë të kalojë ashtu siç kalon gjithmonë.

gruaNë shumicën e rasteve pak shopping, një darkë me shoqet, disa orë dedikuar kujdesit për veten, një xhiro në ajër të pastër, disa çokollata, rikthimi te shtëpia e mamit apo ndezja e radios, i bën emocionet negative të shkojnë. Edhe pa këto, rikthimi i pozitivitetit do të vijë gjithmonë, sepse femrat janë optimiste të pashërueshme. Mjafton vetëm një shenjë e vogël për t’i ngritur humorin apo për të thënë po, jeta është e vështirë, ec përpara, nuk i ke parë akoma të gjitha, ka të tjerë që po vuajnë më shumë se ti, në fund gjithçka do të shkojë mirë. Dhe nëse këto fjalë të duken të dëgjuara, me siguri ke qenë në një kafene, me shoqe, teksa njëra po kalonte paqëndrueshmëri emocionesh brenda një bisede disa minutëshe.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top