Mirëqenie

December 9, 2017 | 9:20

Nga dr. Klaudia Stajka: Kultura e mjekut te fëmijët

1

Urime! U bëtë me fëmijë! Teksa në sfond dëgjohet e qara e bebit, stafi mjekësor merr sinjalin e parë se gjithçka ka shkuar mirë dhe ju do mund ta mbani fëmijën tuaj në krahë. Nisur nga ky moment, për pesë vite, me siguri do t’ju duhet ta shihni zyrën e mjekut më shpesh sesa ndoshta gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës. Vizitat mjekësore nisin një ose dy ditë pas kthimit në shtëpi dhe daljes së nënës nga materniteti. Gjatë kësaj vizite e në vazhdimësi, pediatri ka për detyrë të ekzaminojë me kujdes çdo sistem të të porsalindurit (kështu quhet deri javën e katërt); sistemin kardio-respirator për praninë e ndonjë zhurme, cianozë, pulset femorale; sistemin nervor për gjendjen e frontanelave anteriore, aktivitetin, suturat; barkun për praninë e ndonjë mase, feçet, urinën; lëkurën për ngjyra dhe shenja; kordonin umbelikal për infeksione; ushqyerjen që lidhet me qumështin respektiv me moshën, fryrje të barkut, të vjella, humbje në peshë, gjendje dehidrimi; organet gjenitale si edhe aftësinë e prindit për t’u kujdesur për fëmijën. Pas kësaj, vizitat e tjera janë të rekomanduara në javën e dytë dhe më pas në muajin e 2, 4, 6, 9, 12, 15, 18 dhe moshën dyvjeçare, duke vazhduar kështu çdo tre muaj deri në moshën pesëvjeçare (parashkollor). 

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Po përse kaq shumë vizita te mjeku?

Pesë vitet e para të jetës, fëmijët janë në një rritje të vrullshme e të pandërprerë, periudhë kjo tepër delikate dhe vendimtare në rritjen dhe zhvillimin e imunitetit të mëvonshëm. Në këtë kuptim, është e qartë se patologji të njëjta nuk mund të jenë të tilla në mosha të ndryshme dhe në individë të ndryshëm. Mjekut i duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto veçori në mënyrë që të dallojë çdo devijim nga norma, përndryshe, gabimet do të jenë të pashmangshme. Zbulimi i hershëm i pasuar nga masat përkatëse është vendimtar në shumicën e mënjanimeve të patologjive të së ardhmes. Në të njëjtën kohë, vizitat pediatrike janë të domosdoshme edhe për vaksinimin e duhur në përputhje me dozën, kohën dhe parandalimin e sëmundjeve të veçanta probabël për fëmijën. 

A po ushqehet fëmija im siç duhet?

Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që mjekut pediatër i duhet të përgjigjet. Si fillim, dua të theksoj se, ushqyerja natyrale apo me gji është më e përshtatshmja dhe e pazëvendësueshme për zhvillimin e një fëmije normal. Gjatë kësaj periudhe, fëmijës nuk duhet t’i jepet asnjë lëng shtesë, përfshirë edhe ujin apo biberonët. Megjithatë konsultimi me pediatrin gjatë vizitave është i nevojshëm lidhur me kundër indikacionet e marrjes së qumështit fiziologjik, ikterin që lidhet me marrjen e tij, rastet kur nëna është nën mjekim me barna të ndryshme apo kohën kur është e nevojshme dhënia e ushqimit të përzier. Pediatri përcakton pasurimin e nevojshëm dietik të fëmijës në përputhje me moshën si dhe të defekimit normal që përputhet me ushqimin. Kequshqyerja proteino-kalorike është një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore, ndaj nënat duhet të jenë gjithmonë të kujdesshme në këtë pikë.

A po rritet fëmija im siç duhet?

Rritja është një proces që ka të bëjë me të gjitha ndryshimet e trupit të fëmijës, në madhësi, përmasa dhe forcë. Në vitin e parë ndodh rritja më e shpejtë, gjatë së cilës pesha trefishohet dhe shtohet 50% e gjatësisë që nga lindja. Vlerësimi i rritjes mund të jetë i momentit kur merren të dhënat në ardhjen e fëmijës, por ndjekja ideale duhet bërë për një periudhë të gjatë kohore. Në matjet rutinë bëhet peshimi, matja e gjatësisë, cirkumferenca e kokës, trashësia e palës së lëkurës etj. Vlen të theksohet se një fëmijë i lindur nën peshë mund të mos jetë i barabartë në një moshë të caktuar, me fëmijë të tjerë të lindur me peshë normale, por ecuria e tij mund të jetë brenda kufijve të normës. Vlerësimi i raportit peshë/gjatësi ka vlera në përcaktimin e proporcionalit të trupit të fëmijës.

A po zhvillohet fëmija im siç duhet?

Zhvillimi është procesi që nënkupton përsosjen cilësore të indeve në rritje e sipër. Rritja dhe zhvillimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, si edhe me faktorët mjedisorë, hormonalë, gjenetikë etj. Në çdo vizitë pediatrike, mjekut i duhet të ekzaminojë me hollësi gjendjen e kafkës, të gjymtyrëve, umbilikusin, aftësitë motore si dhe ecurinë e gjumit, të folurin, aktivitetin në lojëra dhe ndërveprimin me fëmijët e tjerë. Për një zhvillim sa më të mirë të fëmijës, më duhet t’i lutem e të inkurajoj të gjithë prindërit që të fillojnë t’u lexojnë e t’u flasin fëmijëve të tyre sa më herët të jetë e mundur. Leximi dhe komunikimi me fëmijët tuaj është thelbësor dhe shumë më i rëndësishëm nga sa mund ta imagjinoni në zhvillimin e intelektit të tyre.

A duhet t’ia bëj fëmijës vaksinat?

Kjo është një tjetër pyetje e shpeshtë nga nënat që nuk duhet të ketë vend për dyshim. Përgjigjja është padyshim po. Çdo vend ka kalendarët e vet respektiv të imunizimit, të detyruara të zbatohen në të gjithë grupmoshat pediatrike, ku vaksinat janë të indikuara. Vaksinat nga momenti i lindjes e deri në moshën 14-vjeçare janë të detyrueshme dhe aplikohen falas në të gjithë vendin tonë. Është pjesë e vizitave mjekësore dhe e drejtë prindërore informimi nga ana e mjekut lidhur me kalendarët e imunizimit dhe përfitimet e tyre. Bazuar në përvojën praktike mjekësore, pacienti i vërtetë në këto vizita është mami dhe jo bebi. Janë nënat ato që venë re çdo ndryshim në fizik dhe në sjellje të fëmijës, hedhin dyshimet e para për devijimet nga ajo çfarë i duket normale, referojnë çdo shqetësim sipas rendit kronologjik lidhur me mënyrën e fillimit të shqetësimit, kohën e zgjatjes, qetësimin, çfarë është tepër e rëndësishme në përpilimin e diagnozës. Për këtë arsye, kultivimi i kulturës mjekësore është përparësor te nënat, kujdestarët e fëmijëve e që më vonë këta do t’ua trashëgojnë fëmijëve të tyre. Pavarësisht takimeve të planifikuara me mjekun, prindërit nuk duhet të ngurojnë asnjëherë të komunikojnë me pediatrin lidhur me çdo pyetje, në çdo kohë. Nisur nga referencat tuaja, derisa fëmija të jetë në gjendje të shprehë çfarë e shqetëson, mjeku do të kryejë ekzaminimet e nevojshme për të sqaruar çdo shqetësim si edhe për të nisur trajtimin kur është e nevojshme. Dallimi dhe trajtimi sa më i hershëm i çdo problemi është çelësi i një jete të gjatë për pasardhësit tuaj. Mos harroni se është më e lehtë të rrisësh një fëmijë të shëndetshëm sesa të shërosh një të rritur të sëmurë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top