Mirëqenie

July 11, 2018 | 9:27

Nga Edlina Bano Losha / A i rrihni fëmijët? Refleksion mbi riskun dhe rolin e edukatoreve

A i rrihni fëmijët? Është kjo pyetja që më së shumti më “përplaset” veçanërisht këto dy-tri vitet e fundit, dhe jo vetëm në zyrë, kur prindërit vijnë për regjistrim. Në fillim mërzitesha shumë. Aq shumë sa më priheshin krahët dhe nuk kisha motiv për të punuar. Pasi të gjitha përpjekjet e mia dhe të stafit tim shkriheshin dhe përmblidheshin në një pyetje të vetme: A i rrihni fëmijët? D.m.th se ai veprimi i Anjeza Shabanit, u ngulit në memorien e shqiptarëve më keq se Miss-i i parë shqiptar! Por nëse dikush, diku, bëri një veprim, pse kjo duhet të përgjithësohet?

Edlina Bano Losha, Administratore Kopshti

Edlina Bano Losha, Administratore Kopshti

Dhe si për ironi të fatit, diskriminimi i punës sonë nuk mbaronte këtu! Vijonte bashkë me vijueshmërinë e frekuentimit të fëmijës në kopsht. Prindër dyshues, që kalonin në sitë, me lupë në dorë çdo veprim të edukatores. Marrje në pyetje “si në hetuesi” dhe duke gjykuar çdo fjalë dhe veprim të tyre. Mos të harrojmë një gjë. Edhe edukatoret, njerëz janë dhe detyrimisht, të vëna në presione të tilla, si mundet të punojnë të qeta? E kam analizuar gjerë e gjatë këtë fenomen. Duke e vrarë mendjen me ditë të tëra se përse ka pasur raste skandale me sjelljet e edukatoreve ndaj fëmijëve. Unë në fakt kam dalë në përfundime të cilat dua t’i ndaj me lexuesit.

Edukatoret më së shumti në Shqipëri janë pa nivelin e duhur arsimor. Edhe vetë kur kërkoja edukatore për punë, jo rrallë më vinin gra që kur i pyesja për përvojën në punë, më thoshin: Kam rritur dy fëmijët e mi. Nuk të duket përvojë kjo?! Dhe, mërziteshin e largoheshin të revoltuara (dhe me dy-tre fjalë sharëse nga mbrapa) kur unë nuk i merrja për këtë arsye në punë. Por ato e kishin ndarë mendjen, do bëheshin edukatore sepse kjo ju dukej puna më e përshtatshme dhe më “e lehtë”. Brenda katër faqeve të mureve, qetë fare, me ca fëmijë aty, mund të pinin dhe ndonjë kafe turke dhe t’ia kërcisnin muhabetit me shoqet duke kthyer filxhanë. 

Sepse, pavarësisht se psikologët thonë që, faza më e rëndësishme e rritjes së fëmijëve është mosha 0-12 vjeç, ajo fazë kur brumoset karakteri dhe çdo njeri lë gjurmë në jetën e tij, profesioni i edukatores është më i nënvlerësuari. (Janë profesorët e mëdhenj të fakulteteve ata që marrin lëvdatat më të mëdha për rezultatet e studentëve, ndërkohë që studenti është i formuar tashmë). Dhe, në përputhje me këtë që thashë më lart, vjen edhe pagesa e edukatoreve. Duke qenë më të persekutuarat në profesion, ato të tilla janë edhe në pagesë. 

Për këtë arsye kam punuar shumë që në kopshtin tim të shmang fenomenin e “rrahjes” së fëmijëve. Duke u kujdesur për stafin si nga ana emocionale, të jenë të qeta dhe të gëzuara, por dhe nga ana e pagesës, që të mos u dhembë koka nga faturat e papaguara! Për mua ky është çelësi që duhet të përdoret në çdo kopsht, kudo! Edukatore të ngritura profesionalisht (siç janë edukatoret që unë i trajnoj), por edhe të mirëpaguara. Edhe prindërit luajnë rol kyç! Dhe kurrë më nuk do më pyesin atë pyetjen e llahtarshme “A i rrihni fëmijët?” Por, ne i porosisim edhe nënat që të jenë të duruara dhe të kujdesshme ne fëmijët e tyre, sepse edhe ato nga vrulli i punës, e humbin jo rrallë durimin me fëmijët e tyre. 

Përveç faktit që fëmijët qëndrojnë në kopsht 8-9 orë dhe nganjëherë 10 orë, a nuk është një hark i gjatë kohe ky? A mos fëmijët, prindërit dhe gjyshërit në shtëpi për 10 orë rresht i kalojnë të gjitha orët në qetësi dhe me “ruaj qetësinë”?! 

Pra, logjikoj që në një hark të tillë kohor edhe nëpër familjet tona, secili nga ne i kalon të gjitha fazat: qeshim, luajmë, këndojmë, kërcejmë, por edhe zihemi, pajtohemi, zihemi përsëri. Janë fazat e ditës që fundja krijojnë edhe veçantinë e saj. Prindi vetë nuk ka bërë të njëjtën gjë sapo ka dalë nga dera e kopshtit kur ka marrë makinën në parkim? Por, më e rëndësishmja për mua është gjetkë fare!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top