FB

April 1, 2026 | 17:30

Nga Edlina Losha: Fëmijët albinë, kur drita dhe bardhësia bëhet përgjegjësia jonë

 

Frymëzuar nga e bukura Deada, vajza albine e cila më mësoi se si diversiteti na jep mundësinë të mësojmë të rritemi si njerëz!

 

Një histori e vogël…

Eda bano

Në një klasë të zakonshme, një fëmijë me flokë shumë të bardhë dhe sy të ndjeshëm ndaj dritës ulet në bankën e fundit. Jo sepse do, por sepse drita e fortë e shqetëson.

Fëmijët e tjerë e shikojnë. Disa me kuriozitet, disa me habi. Njëri pyet:

“Pse ajo duket kështu?”

Mësuesja buzëqesh dhe thotë: -“Sepse është unike. Trupi i saj nuk prodhon shumë ngjyrë, por kjo nuk i heq asgjë nga ajo ç’ka është.”

Dhe pikërisht aty fillon ndryshimi, jo tek fëmija albin, por tek mënyra si e shohin të tjerët.

1000084355

Po çfarë është albinizmi?

Albinizmi është një gjendje gjenetike që ndikon në prodhimin e melaninës. Fëmijët me albinizëm kanë lëkurë shumë të çelët, flokë të bardhë ose të hapur dhe shpesh probleme me shikimin. Por ajo që bie më shumë në sy nuk është gjithmonë ajo që ka më shumë rëndësi. Por është fakti që a shihen me një sy ndryshe ata? A ekziston njëfarë paragjykimi ndaj tyre? Po, në fakt, fatkeqësisht ekziston.

Në disa vende, fëmijët me albinizëm përballen me paragjykime dhe keqkuptime, izolim social e madje edhe mite të rrezikshme dhe diskriminim. Edhe në shoqëri më të zhvilluara, “shikimi ndryshe” mund të jetë më i heshtur, një vështrim më i gjatë, një pyetje e pa menduar, një ndjesi distance. Por ndryshe nuk do të thotë më pak. Do të thotë thjesht… tjetër.

 

Si duhet të sillemi me ta? P.sh., në një kopsht fëmijësh ku midis të tjerëve është edhe një fëmijë albin?

Në një kopsht fëmijësh, çdo mëngjes është një fillim i ri. Fëmijët hyjnë me energjinë e tyre, me botët e vogla që mbajnë brenda. Disa bien në sy menjëherë, disa të tjerë duan pak më shumë kohë për t’u zbuluar. Dhe ndonjëherë, është një fëmijë që bie në sy për shkak të dritës që reflekton nga lëkura dhe flokët e tij.

 

Një fëmijë me albinizëm

Një realitet i për të cilin flitet pak në ambientet edukative.

Në përditshmërinë e tij në kopsht, tek lojërat, në shëtitjen me prindërit, një fëmijë albin nuk kërkon trajtim të veçantë; në vetvete ai kërkon kuptim.

Ai mund të zgjedhë instinktivisht një vend më larg dritës së fortë.

Mund të mbyllë apo picërrojë sytë kur të tjerët shohin lirshëm. Mund t’i nevojiten syze të errëta.

Mund të jetë më i rezervuar jo sepse është i tillë, por sepse shpesh është vëzhguar. Dhe këtu fillon roli ynë si prindër, si të rritur, e si edukatorë.

 

1000084361

Momenti që përcakton gjithçka

Ndoshta në ambientet ku fëmijë të tillë albinë janë prezent, një tjetër fëmijë pyet: “Pse duket kështu?”

Ky është një moment i artë. Një moment ku ne nuk japim thjesht një përgjigje, por formojmë një mënyrë të të menduarit.

-“Sepse është lindur kështu. Është njësoj si ne, thjesht trupi i tij ka më pak ngjyrë.”

Pa dramatizim. Pa etiketime. Vetëm e vërteta, e thjeshtë dhe e qetë. Sepse mënyra si flasim ne, bëhet mënyra si mendojnë ata.

 

A ekziston paragjykimi?

Po, dhe shpesh fillon nga padija. Edhe kur nuk shprehet me fjalë, paragjykimi ndihet në një vështrim më të gjatë, në një hezitim për t’u afruar, në një kuriozitet që nuk udhëhiqet nga mirëkuptimi. Por në një ambient të shëndetshëm edukativ, këto janë pikërisht gjërat që mund të transformohen.

 

Çfarë kërkojnë këta fëmijë nga ne?

Jo mëshirë! Jo trajtim “të veçantë” që i veçon! Por pranim të natyrshëm, mbrojtje fizike (nga dielli, nga drita e fortë), mbështetje për shikimin, forcim të vetëbesimit dhe mbi të gjitha, një ambient ku ata nuk ndihen “ndryshe”, por thjesht vetvetja.

Një mësim për të gjithë ne është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Albinizmin, më 13 qershor, që na kujton se ndërgjegjësimi nuk është një akt i madh që ndodh një herë në vit. Por është diçka që ndërtohet çdo ditë, në mënyrën si flasim, si shohim dhe si reagojmë.

Edhe në një kopsht fëmijësh, ku synimi është të rriten fëmijë të lumtur, çdo fëmijë është një univers më vete. Dhe ndoshta fëmijët me albinizëm na mësojnë diçka shumë të rëndësishme: që diversiteti nuk është një sfidë për t’u menaxhuar, por një mundësi për t’u rritur si njerëz.

Sepse në fund, nuk është e rëndësishme sa ngjyrë ka një fëmijë në lëkurë, por sa dritë i japim ne për të shkëlqyer.

1000084358

Eda Bano, CEO Çerdhe & Kopsht “Princi i lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top