Çdo fillimviti mbart me vete dëshira, aspirata, ëndrra, lutje si dhe një lumturi të pakuptueshme që s’dihet nga buron. Nën vellon e dritave shumëngjyrëshe, të gazmendit të ditëve të fundvitit mbushur duart dhe zemrat ende me dhuratat e bukura ku drekat, darkat, Krishtlindjet, fishekzjarret, urimet dhe pema e vitit të ri ishin kryefjala, fillimviti vjen më i qetë e relaksues, ndërkohë i mbruhur me reflektime dhe listë dëshirash.

Fëmijët janë më të pafajshmit, më pranuesit më të paqtit e epilogut të një fillimviti.
Më së shumti ndihen të lumtur: prindërit jua kanë blerë lodrën e tyre të preferuar, në mos prindërit, gjyshërit kanë qenë ata që ju kanë plotësuar edhe dëshirat më të vogla. Lista e plotësuesve të dëshirave pasohet nga tezet, hallat, dajat apo xhaxhallarët… dhe mos të harrojmë atë Babagjyshin e Krishtlindjeve me dhuratën e tij “surprizë” poshtë bredhit. Janë kënaqur nëpër festat me shkollat apo kopshtet, kanë shpalosur talentin para prindërve dhe janë ndierë krenarë për arritjen. Edhe nëse dikush nuk ia doli të menaxhojë ndrojtjen e të kënduarit në skenë apo pati frikë nga Gremçi, Babagjyshi apo elfët, kjo tashmë i përket të kaluarës, por një zë i thotë që tashmë e di mirë këtë dhe e ka kapërcyer si gjë.
Ritakimi mes shokësh në ditët e para të vitit bashkë me fëmijët sjell edhe rrëfimet e tyre: dikush për festa ka qenë nga gjyshërit, të tjerët në bregdet, në shtëpi, tek lodrat apo më fatlumët jashtë shtetit. Dikush ka ngrënë përsheshin me pulë të gjyshes, të tjerët flasin me gazëllim për bakllavanë, apo disa përmendin vetëm lodrat që kanë marrë nga Babagjyshi. Ah, lodrat, sa të shumta e të bukura janë ato!

Fëmijët e sotëm duket sikur janë të velur nga lodrat dhe sapo ia nxjerrin lezetin një lodre, hapin një tjetër.
Fillimviti është i thjeshtë për fëmijët! Ata s’presin shumë, ata s’bëjnë plane, ata s’mbajnë shënime apo lista të përmbushjeve. Ata thjesht janë të lumtur e të gëzuar. Sepse ashtu ndihen prindërit e tyre, sepse ashtu duken të jenë të tërë, sepse edhe janari ka ato ritualet e veta dhe kthimin në normalitet. Ama një kthim i bukur shoqëruar me copëza lumturie.
Ritualet për një fillim të mbarë në shtëpi:
Meqë dhjetori është një muaj magjik mbushur me festa e dhurata, për disa fillimi i vitit duket tejet i mërzitshëm. Për ta gjallëruar atë mjafton të bëjmë disa veprime të vogla që të shtojnë dëshirën dhe nxisin motivimin:
– Të planifikojmë bashkë me fëmijët një hartë udhëtimesh për vitin e ri që ka trokitur. P.sh: ku do i kalojmë pushimet këtë vit? Planet janë të bukura dhe i kënaqin të gjithë.
– Të planifikohen vizitat tek njerëzit e preferuar të fëmijëve. Gjyshërit apo shtëpitë e tezeve, hallave etj.
– Të planifikohen takime jashtë kopshti (shkolle) me shokët dhe prindërit e tyre në ambiente lodrash etj.
– Të caktohet një ditë ku me ceremoni hiqet pema e vitit të ri. Ajo ditë të shoqërohet me një dhuratëz “djali/ vajza më i/e mirë”.
– Të organizohen në shtëpi bashkë me prindërit “kampionate lojrash” , lojëra “mos u nxeh”, “monopoli”, “dam”, “tresh”, “shah”, etj.
– Të organizohet në shtëpi gara “pjata ime” ku bashkë me mamin, babin ose gjyshërit nëse janë në shtëpi, fëmijët bëjnë gatime të vogla si ëmbëlsira, biskota, kek, etj.
– Të hapet ekspozita e duarve të arta, ku fëmijët bashkë me prindërit bëjnë piktura dhe punime në plastelinë.
– Të organizohet përditë ora e leximit, e kërcimit dhe e këngës.
Sa më shumë aktivitete, lojëra e angazhime në familje duke kaluar orë cilësore, aq më i bukur e i lumtur bëhet fillimi i vitit, veçanërisht janari!
Edlina Bano Losha
Ceo Çerdhe dhe Kopshti “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

