Në një prej restoranteve më në zë të Tiranës, ashtu si zakonisht, duke u munduar të konsumoj gjëra që nuk e dëmtojnë shëndetin, porosita një lëng frutash të shtrydhura. Për fatin tim të keq apo të mirë qëllova diku afër banakut. Duke biseduar me personin që kisha përballë në tryezë, po hidhja një sy sesi po shkonte procesi i lëngut tim të frutave… Molla jeshile që ishte e para, kur u pre, u duk qartë që ishte e kalbur në mes, por banakieri nuk e hoqi atë pjesë dhe e hodhi në shtrydhëse…
Mendova me vete se sado merak të kisha, pak mollë e kalbur nuk do më bënte dëm… Erdhi radha te panxhari, i cili u qërua dhe pa u shpëlarë, u hodh në shtrydhëse… Mblodha veten dhe mendova se mund të ishte larë pak më përpara dhe nuk mund të shqetësohet njeriu për kaq gjë. Më pas erdhi radha e karotës… Banakieri i preu bishtin jeshil dhe pa e qëruar, pa e larë, ashtu me dhè siç ishte, e futi drejt e në shtrydhëse! Kuptohet që unë lëngun e ktheva mbrapsht, të shoqëruar me gjendjen habitore të kamerierit, banakierit dhe manaxherit përkatës! Kushdo që e lexon deri këtu këtë artikull, mund të mendojë se, me gjithë skandalet e sigurisë ushqimore që përjetojmë e na dëgjojnë veshët, kjo historia e mësipërme është një pikë e papërfillshme në oqeanin e madh të problemeve që kemi… Dhe ashtu mund të jetë, por duke qenë se kam tendencën t’i shoh gjërat nga ana e fenomeneve sociale që i shoqërojnë, fillova të mendoja se veçanërisht skandalet me sigurinë ushqimore, por edhe këto episode jashtëzakonisht të shumta, tregojnë nja dy-tre gjëra për të cilat duhet folur. Patjetër që e para është papërgjegjshmëria. Në një vend ku skandalet me sigurinë ushqimore janë të njëpasnjëshme, por nuk marrin asnjëherë vëmendjen, trajtimin, as dënimin e duhur, është normale që papërgjegjshmëria të jetë në rritje…
E dyta, do të thoja që është mungesa e kulturës së respektimit të sigurisë ushqimore si formë përgjegjshmërie, por edhe respekti për tjetrin. Duke qenë se ndonjëherë e gjejmë veten në një shoqëri që personit tjetër kërkon veç “t’ia hedhë”, atëherë edhe kërkesa për më shumë respekt në trajtimin e klientit nga ana e sigurisë ushqimore është gjë e vështirë për t’u perceptuar…
E treta, në të gjithë botën ka problem me higjienën si kulturë, por edhe me sigurinë ushqimore. Ndryshimi në rastin tonë është që ne nuk reagojmë aq sa duhet zyrtarisht dhe institucionalisht për këtë gjë. Thuajse të gjithë e dinë që në X dyqan, apo në Y restorant, ka produkte që shpesh dalin të skaduara, apo nuk zbatohen as rregullat bazë të higjienës, por përveçse të mos shkojmë atje, nuk na shkon ndërmend asgjë tjetër. Madje-madje, dikë që reagoi me një denoncim kohët e fundit, drejtësia e fundosi më keq, jo vetëm duke mos e mbështetur, por edhe duke vendosur dëmshpërblim në favor të kompanisë…
E katërta, të luash me sigurinë ushqimore është një krim me vetëdije dhe duhet të jesh shumë matrapaz, ose njeri i keq për këtë. Më kujtohen rastet e skandaleve me ndryshimet e datave të skadencave me djathin bebe që e konsumojnë fëmijët. Si mundet që të luash me ushqimin e fëmijëve?! Duhet shumë dashakeqësi për këtë! Ndërkohë e njëjta gjë vlen dhe për ata që në prodhimin e fruta perimeve, përdorin me vetëdije elementë jashtëzakonisht të dëmshëm për shëndetin! Më kujtohet një mik që punonte dikur në një nga institucionet e kontrollit ushqimor, i cili na tregonte se shihte çudira në lidhje me përpunimin dhe ruajtjen e ushqimeve, por nuk ia përmendte njeriu, se ndryshe e largonin nga institucioni…
Tani një pyetje i kam bërë gjithmonë vetes: “Këta njerëzit që e kanë për detyrë të marrin masa institucionale që kjo gjendje të rregullohet, ku hanë për vete? Po fëmijët e tyre ku hanë?” Se në shtëpi ndoshta arrijnë të marrin ushqim të veçantë, po jashtë si ia bëjnë? Në restorante, në shkolla, në vende të ndryshme ku nuk arrijnë ta dinë (si të gjithë ne) se në cilat kushtet blihet, përpunohet, gatuhet dhe ruhet ushqimi?
Shpesh dëgjoj miq që thonë se i marrin ushqimet këtu e atje, por sërish nuk u shpëtojmë dot atyre që nuk njohim. Pikërisht prandaj, zgjidhja është që kontrolli ushqimor dhe siguria ushqimore të bëhet një sistem, i cili funksionon dhe garanton realisht cilësinë dhe sigurinë (edhe për vete, edhe për të tjerët) dhe nuk përdoret si një ganxhë për të mbledhur “qoka” poshtë e lart nëpër biznese. Për të gjitha këto çështje, zgjidhja është një bashkëpunim mes institucioneve, individëve dhe ndërgjegjes personale të atyre që punojnë në sektor, si dhe ndërgjegjësimit që, nëse pasiguria ushqimore është sistem, nga ajo nuk shpëton absolutisht askush.
Ndaj me pak fjalë… sa na vlen vëmendja ndaj pamjes së jashtme, kur nuk respektojmë organizmin tonë? Përgjigjja gjendet tek ajo shprehja “ti je ajo çka ha”!
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.180, muaji Qershor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.