FB

October 8, 2025 | 10:30

Nga Edlira Çepani: Bullizmi si një mënyrë jetese…

 

“Uh sa i shëmtuar që qenke! Ptuj Ptuj!” – dëgjoj një zë të lartë dhe të vetëkënaqur që vjen nga fare afër dhe pas pak një djalë të vogël që shtrëngon fort dorën e së ëmës, dukë bërë çmos për të mbajtur lotët. E ëma vijon bisedën me mikeshën e saj, e cila me një nënqeshje rrëqethëse, herë pas herë e kthen bisedën nga djali dhe e ngacmon me “shaka” të hidhura, mbi pamjen e tij: “Nuk qenke rritur dhe aq shumë, djali i tezes tënde, ta ka kaluar. Ti, aha, do ngelesh kështu i vogël dhe topolak më duket”. Mamaja duket e pashqetësuar nga abuzimi që bëhet me fëmijën e saj deri në momentin kur ai s’i mban dot lotët dhe detyrohet t’i shpjegojë se “shakatë” e tetës që e kanë ofenduar, janë thjesht “mënyra për të mos e marrë m’sysh”…

edlira-cepani

Djali duket konfuz dhe qartazi nuk arrin të kuptojë pse duhet të durojë gjithë këto fjalë e ndërkohë që dëgjon s’ia lëshon dorën së ëmës si e vetmja mënyrë mbrojtje që gjen aty për aty. Më pas hyjnë në një dyqan, unë i ndjek me sy dhe afrohem më dëshirën e madhe për ta mbrojtur, por edhe me hezitimin për të ndërhyrë në biseda të njerëzve që nuk i njoh. Në dyqan shitësja e “mirëpret” me shprehjet: “Ja ku erdhi veshllapushi im i preferuar! Te keqen teta sa i mirë je! Të ka bërë mami buçko, si një tullumbace!”. Diçka rrëshqet nga banaku dhe lëndon pak djalin e vogël. Ai shpërthen në të qara si mënyra e vetme që ka për të shkarkuar gjithë tensionin që mezi e ka mbajtur brenda. E ëma e merr objektin dhe i gjuan me shuplakë. “Ja, e rreh mami këtë që të vrau ty! Pam pam ti që ma vrave djalin! Bjeri dhe ti të keqen mami!”. Ndër lot, konfuzion dhe presion djali fillon t’i bjerë objektit që e kishte lënduar, ndërkohë që merr lavdërimet e nënës dhe shitëses. Si qershia mbi tortë, vjen dikush nga jashtë dhe e ngre djalin deri në tavan duke e shkundur. “Ça bën kështu?! Je i rritur tani! S’do qash më si bebe!”.

Kuptoj që ishte një komshi i largët që rrallë herë e shihte atë fëmijë, por që me sa duket kishte sindromën e shumë-përhapur që një fëmijë mund t’i flasë kushdo, t’i japë mend kushdo, pse jo dhe ta ngrejë papritur në ajër, sepse fëmijë është! Patjetër që durimi im në këtë rast kish marrë fund dhe u shoqërua me një leksion dashamirës, por edhe shumë të gjatë mbi ndjesitë e fëmijëve, të drejtat e tyre e shumë gjëra të tjera, pas së cilës me siguri të rriturit kanë menduar: “Uh shyqyr që mbaroi, se na rrokanisi kokën!”, por djali i vogël dukej sikur dëgjonte një version tjetër të sjelljes për herë të parë, që uroj me shpirt t’i ketë shërbyer për të mos parë vetëm një lloj versioni të sjelljes ndaj fëmijëve…

Me gjithë lajmet e kohëve të fundit, ku fëmijë e të rinj e vuajnë bullizmin nga bashkëmoshatarë të tyre, deri duke zgjedhur vetëflijimin si rrugëdalja e vetme që shohin, mendoj gjithmonë që kjo nuk është një plagë e një grupimi, moshe, apo individi…

Pa dashur, në njëfarë mënyre, duket sikur e kemi rrënjosur bullizmin thellë në deje duke filluar nga fëmijëria e më pas na duket çudi kur ata sillen, ashtu siç kanë parë modelet kur ishin të vegjël… Disa bëhen bullizues, disa të bullizuar, por janë të dyja palët viktima të një vorbulle energjish të liga, që s’bëjnë asgjë tjetër veçse të na sëmurin pak nga pak në shpirt e në mëndje të gjithëve.

Lufta ndaj bullizmit, nuk duhet bërë vetëm në shkolla, duhet bërë në familjen, në rrugë, në lagje, në mentalitet, si një domosdoshmëri për të mos rritur fëmijë me probleme të shëndetit mendor, me ankth dhe me një vizion të zymtë për jetën e sapo-nisur. Një nga shprehjet që më vjen shpesh ndërmend kur flas për bullizmin, është ajo që thotë: “Fjalët e këqija, edhe kur duken sikur janë me shaka, nuk mund të dalin kurrë nga një shpirt i mirë!”.

Njerëzit që thonë fjalët e këqija, qoftë edhe me shaka, duhen ndërprerë dhe nuk duhen lejuar të vazhdojnë më tej, kurrsesi kur kanë të bëjnë më fëmijët, por jo vetëm.

Bullizmi fillon si një shaka, një shprehje e një fjalë vreri që disa njerëz i bën çuditërisht të ndjehen më mirë me veten dhe më pas vijon si një mënyrë jetese e sëmurë, ku janë të gjitha palët, kurdoherë viktima. Cikli vicioz i bullizmit është një emergjencë që duhet të fillojë të thyhet nga secili, me çdo mundësi, para se të jetë shumë vonë për ndonjë fëmijë, të ri apo të rritur, të cilin mund ta kishim ndihmuar nga larg duke e thyer ciklin nga ana jonë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top