FB

May 4, 2023 | 9:05

Nga Edlira Çepani / Çfarë mund të bëj unë?

Na ndodh shpesh që në komunitetin ku bëjmë pjesë, dëgjojmë lajme në lidhje me dhunën në familje dhe përjetojmë goditje të forta emocionale, veçanërisht kur ka ngjarje të cilat përfundojnë më humbjen e jetës së viktimave, ashtu siç kemi parë rëndom kohët e fundit. Përballemi me një realitet që duket po aq i frikshëm, sa dhe surreal për kohët kur jetojmë. Përballemi me një realitet i cili, ndonëse duket i pabesueshëm në shekullin e 21-të, na shfaqet dhunshëm dhe në mënyrë traumatike, kur dëgjojmë për dhunë, frikë, madje dhe krime makabre brenda familjeve.

Nga Edlira Çepani

Sa herë që këto ngjarje bëhen pjesë e lajmeve të ditës, duke parë edhe shpesh një situatë thuajse neglizhente, edhe nga ana e komunitetit, edhe nga ana e strukturave përgjegjëse, gjendemi të tronditur dhe të pashpresë përballë faktit të kryer. Gjëja e parë që vëmë re në diskutime të ndryshme, qoftë në media, rrjete sociale apo në takime mes miqsh, është në të shumtën e rasteve nevoja për më shumë përgjegjshmëri nga ana e institucioneve e më rrallë përgjegjësia e komunitetit dhe ajo që mund të bëjë gjithsecili për t ’i parandaluar këto fatkeqësi. Me të drejtë presim që në këto raste të jenë institucionet të cilat parandalojnë, trajtojnë dhe sanksionojnë, por harrojmë se shpesh, është vetë komuniteti, apo jemi vetë ne që mund ta bëjmë një ndryshim sado të vogël, i cili mund të shpëtojë një jetë.

Dhe pyetja është, çfarë mund të bëj unë personalisht kundër dhunës në familje dhe dhunës më bazë gjinore? Përgjigja është se ka shumë që mund të bëhet, por disa prej gjërave kryesore dhe më të thjeshtat mund të jenë këto:

1. Hapi i parë, nëse di një rast të dhunës në familje, është që të flasësh më dikë që mund të të ndihmojë. Përveç policisë dhe institucioneve shtetërore, ka edhe organizata që ofrojnë shërbime në këtë sektor. Nga ana tjetër, çdo Bashki në Shqipëri ka një koordinator vendor për dhunën. Në çdo shkollë ka nga një punonjës social ose psikolog dhe në çdo qytet ka njësi për mbrojtjen e fëmijëve. Mos hezito të flasësh me ta, sepse kanë njohuritë e duhura dhe përgjegjësi për t ’i ndjekur këto raste dhe për t ’u munduar t ’u japin një zgjidhje konkrete.

2. Mbështet një grua apo një fëmijë në situatë dhune. Nëse di një rast ku dikush është viktimë nga dhuna në familje, mundohu të gjesh mënyrën për ta mbështetur. Shpesh një grua nuk shkëputet dot nga dhunuesi i saj, për arsye ekonomike. 

Ndoshta duke i ofruar mbështetje, duke i gjetur një punë apo edhe thjesht duke e dëgjuar dhe duke e mbështetur psikologjikisht, mund ta ndryshosh realitetin e saj. Dhuna është një çështje për të cilën njerëzit nuk flasin, janë të mbyllur në vetvete dhe shpesh viktimat nuk kanë askënd me të cilin mund të flasin. Është e rëndësishme që të paktën ta dinë, që në moment të vështirë, ju jeni një person me të cilin mund të flasin dhe ku mund të mbështeten.

j

3. Mos u pajto me asnjë formë dhune dhe lufto fort për të kundërshtuar çdo formë të saj. Shpesh lejojmë në jetët tona bullizmin, dhunën verbale apo psikologjike, duke menduar se janë forma kalimtare të dhunës dhe që nuk kanë rrezik për t ’u zhvilluar më tej. Në fakt është e gabuar, dhuna është e gabuar dhe e rrezikshme në çdo formë të vetën. Asnjëherë dhuna nuk duhet lejuar dhe ndaj saj duhet reaguar me seriozitet edhe kur nuk jemi viktima, por edhe thjesht spektatorë.

4. Mundohu të mësosh më shumë për të drejtat e njeriut, për barazinë gjinore dhe për faktin se nuk ka njerëz që kanë më pak të drejta se të tjerët. Traditat dhe zakonet që vazhdojnë të këmbëngulin se gratë duhet të kenë më pak të drejta në familje apo në shoqëri, si dhe edukimi mbi këtë bazë, është gabim. Kjo gjë nuk duhet lejuar të na ndodhë për shkak të neglizhencës dhe forcës së zakonit. Të gjithë njerëzit kanë të drejta të barabarta dhe dhuna ndaj çdokujt është një krim. Nuk ka asnjë justifikim për këtë, nuk duhet harruar!

5. Shpesh e gjejmë veten duke përforcuar stereotipe gjinore, “tradita ” patriarkale dhe duke anashkaluar forma të ndryshme të dhunës (si bullizmi, dhuna ndaj fëmijëve, dhuna me bazë gjinore) duke menduar se janë forma të edukimit apo të një mentaliteti që nuk mund të ndryshojë. Në fakt nuk është kështu.

Shoqëritë përbëhen nga njerëzit dhe njerëzit mund të ndryshojnë. Ndaj filloje nga vetja duke mos anashkaluar gjëra që mund të duken të vogla dhe të parëndësishme, por që në fakt ushqejnë kulturën e dhunës! Ka dhe shumë gjëra të tjera që mund të bëhen, si informimi dhe vullnetarizmi në organizma të ndryshëm që merren me këtë gjë, ndërgjegjësimi në media e në rrjetet sociale, njohja më nga afër e komunitetit përreth për të kuptuar më pas dhe problematikat e tyre, etj.

E rëndësishme është të mos harrojmë se nuk ka kambanë kristali që mund të ndërtojmë rrotull vetes, duke mos u marrë me këto gjëra (për sa kohë s ’na kanë ndodhur direkt neve), pasi dhuna është një fenomen që në një mënyrë apo në tjetrën na prek të gjithëve. Ndaj është e rëndësishme që të gjithë të japim një kontribut personal sado të vogël për ta ndryshuar këtë realitet, për të tjerët, por edhe për vete. 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.179, muaji Maj

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top