Studim

December 13, 2025 | 19:00

Nga Edlira Çepani: Dhimbja që kthehet në forcë…

 

Dhimbja është diçka të cilën shpesh kemi tendencë ta luftojmë. Jemi të frikësuar nga dhimbja, e konsiderojmë si diçka negative, si diçka që duhet ta largojmë menjëherë nga vetja, si një mallkim që na ndjek pas, të cilin duhet patjetër ta heqim… 

edlira-cepani

Dhimbja na përplas fort në mure të panjohura, na fut në labirinte mendore që nuk i njihnim, na prish çdo plan që kishim për të tashmen e për të ardhmen. Çdo herë e më shumë fillojmë ta urrejmë, ta shtyjmë, ndonjëherë edhe ta injorojmë, të mundohemi ta anashkalojmë sikur asgjë nuk po ndodh. Në fakt, kur nuk jemi përmes dhimbjes dhe kemi mundësi të reflektojmë pak më qetë, kuptojmë shumë gjëra për dhimbjen, që ndoshta na bëjnë ta shohim ndryshe.

Dhimbja fizike është sinjali i parë i trupit tonë se ka diçka që nuk shkon. Pa të, nuk do të dinim se kemi një problem dhe nuk do të arrinim të kuroheshim në kohë. Dhimbja na paralajmëron se duhet të marrim masa për të bërë që, jo ajo, por problemi që shkakton dhimbje, të zgjidhet. Sado qetësues që të marrim për të lehtësuar dhimbjen, nëse nuk e zgjidhim problemin e vërtetë që e shkakton, ajo do të qëndrojë aty, do të rikthehet çdoherë e më kokëfortë si një lajmërim i zëshëm se diçka nuk shkon! E në këtë rast, ajo që dhemb, edhe na ndihmon.

Ndërkohë që dhimbja fizike është më e lehtë për t’u adresuar e për t’u zgjidhur, dhimbja shpirtërore tejkalon çdo përmasë të saj, duke na shtypur fort dhe duke na shtyrë egër si dallga në shkëmbinj të thepisur, nga të cilët na duket sikur nuk shpëtojmë dot! Dhimbja shpirtërore nuk ka rrugëdalje aq të lehta sa ajo fizike, është një proces i gjatë përplasjesh, rëniesh, ringritjesh dhe force që mund ta gjejmë veç brenda vetes. Sado të kemi ndihmë nga jashtë, dhimbja shpirtërore është një rrugëtim që bëhet vetëm. Është një proces shërimi i gjatë, por i cili duhet të ndodhë, me hapa të vegjël që marrim çdo ditë e mbi të gjitha me vendime të vogla për të ecur drejt pranimit dhe më pas shërimit. Dhimbja shpirtërore peshon shumë me tepër se qindra tonë beton mbi shpatullat tona dhe fshihet në abise të thella të shpirtit, me të cilat duhet të përballemi një nga një, për të shkuar në fund të labirinteve në të cilat jemi përplasur fort dhe për të dalë aty ku ka pakëz dritë që na ndihmon të ecim përpara. Dhimbja shpirtërore është më e fuqishme se çdo lloj tjetër dhimbje fizike, por nëse arrin të dalësh prej saj, ke përvetësuar një forcë që nuk e ka askush, një mbifuqi që të ndihmon të ecësh përpara, me shumë plagë, por me një forcë të re që nuk e ke patur kurrë më parë.

Në fundvit kur reflektojmë mbi muajt që kanë shkuar e mbi jetën në përgjithësi, duhet të fillojmë të shohim edhe në një këndvështrim tjetër, me pak më shumë vëmendje edhe ato gjëra të cilat i luftojmë instinktivisht, por që janë procese të jetës që nuk mund t’i anashkalojmë, për të cilat duhet të marrim guximin dhe të gjejmë zgjidhje, të mbijetojmë mbi to dhe të ringrihemi edhe më të fortë për sfida që është e sigurt që do të vijnë sërish, në forma nga më të ndryshmet, për sfida përballë së cilave do të gjendemi edhe më të fortë. Në çdo rrugëtim që marrim, do të na ndjekë nga një sfidë e re, por kur e kemi kuptuar që dhimbja që na shkakton është diçka që mund ta kthejmë në forcë, pa e anashkaluar dhe fshehur, por duke kaluar me guxim përmes saj, atëherë dhe rruga bëhet më e lehtë. Në këtë fundvit e në çdo ditë, ndoshta duhet t’i kujtojmë vetes atë shprehjen “Ajo që nuk nga vret, na bën edhe më të fortë!” Është dhimbja, si procesi më i thellë i shërimit, të cilën ia kemi dalë ta kthejmë në forcë!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top