FB

November 17, 2025 | 10:00

Nga Edlira Çepani: E vërteta në lidhje me dhunën ndaj grave

 

 

Në muajin nëntor ka një vëmendje të veçantë në nivel botëror ndaj dhunës me bazë gjinore në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Edhe tek ne, organizatat, media dhe institucionet bëjnë herë pas here aktivitete ndërgjegjësimi në këtë kuadër, por duket sikur kalojnë pa asnjë rezultat…

edlira-cepani

Në shoqërinë tonë e kemi normalizuar aq shumë dhunën ndaj grave sa ndonjëherë na kalojnë edhe pa na bërë përshtypje, ato lajme kur një grua vritet nga bashkëshorti i saj vetëm se kërkonte divorcin, apo për arsye të tjera aq banale sa është e frikshme t’i mendosh…

Kur flasim për dhunën mendojmë shpesh se duhet ta shohim në format më të dukshme të saj, por në fakt dhuna vjen në shumë forma. A e keni menduar ndonjëherë sa të dhunuara ndjehen vajzat e një familjeje kur sapo merret vesh se do lindë një djalë, familja u thotë “lindi trashëgimtari”?! Po kur mësueset e shkollës vazhdojnë edhe sot e kësaj dite t’u thonë vajzave – “Mos u sillni e mos u vishni kështu e ashtu se jeni vajza!”, ndërkohë që djemtë mund të sillen e të vishen si të duan, se ata djem janë?! Po kur një grua kërkon të rritet në karrierë, të merret me politikë apo të garojë për një pozicion me rëndësi? Asaj i thonë gjithë kohës që “Je një nënë egoiste! Politika nuk është për gratë! Si do e balancosh rritjen e fëmijëve me punën?” – ndërkohë që asnjë shprehje e tillë nuk dëgjohet asnjëherë për burrat. A e keni menduar ndonjëherë sa të dhunuara ndjehen gratë të cilat kur sapo lindin një fëmijë, askush nuk merret me to, por vetëm me fëmijën? Shumë rrallë është dikush që i pyet si ndjehen realisht, pas 9 muajsh ndryshime në trup dhe në mendje, një proces lindje ku shpesh shihet dhe vdekja me sy, netë të gjata pa gjume e ditë të gjata përballje me realitete krejtësisht të reja… Ata e dinë mirë që bebja s’ka për t’i mbajtur mend, kurse nëna po, e megjithatë, të paktat raste kur i drejtohen nënës dhe jo fëmijës, janë ato për t’i treguar se si rritet fëmija, se si duhet të sillet një nënë e mirë, e shumë teori të tjera si këto, që në vend të ndihmojnë, krijojnë edhe më shumë presion mbi nënën! Po! Kjo është një formë dhune ndaj gruas, që ngrihet mbi perceptimin se gruaja atë detyrë ka në jetë “të bëjë fëmijë dhe t’i rrisë” s’ka pse ankohet për vuajtjet apo lodhjet në lidhje me këtë gjë! Dhunë është edhe kur gratë ndërhyjnë në një bisedë dhe burrat përkatës u thonë: “Pusho ti se s’merr vesh, ik në kuzhinë merru me drekën!”. Dhunë është edhe kur sa herë ndodh një vrasje, përdhunim, divorc apo diçka tjetër, shprehja që dëgjojmë më shpesh është: “Do e ketë patur vetë fajin!”. Dhunë është edhe kur vajzave të ditëve të sotme, u duhet edhe të mësojnë, edhe të punojnë, por edhe të durojnë faktin që shoqëria i gjykon kur duan të vendosin vetë për jetët e tyre. Dhunë është dhe fakti që gratë që vendosin të rrisin fëmijët në shtëpi, nuk kanë asnjë mbështetje apo pension. Po, dhunë është edhe kur shkojnë në në spital të marrin ilaçet për kancerin e gjirit që mungojnë, edhe kur gratë kryefamiljare, vajzat nëna, gratë e dhunuara e shumë kategori si këto, nuk marrin thuajse asnjë mbështetje nga institucionet publike që duhet të ishin aty për to…

Shumë e shumë raste të tjera dhune ndaj grave, të cilat nëse ulemi pak të reflektojmë, rezultojnë qartazi se janë baza të normalizimit të dhunës dhe përshkallëzimit të saj edhe në forma më të frikshme, nga dhuna fizike e deri tek vrasja, sikur të ishte thjesht një pronë apo një plaçkë.

E themi shpesh se dhuna nuk duhet të tolerohet në asnjë prej formave të saj, por nga ana tjetër vazhdojmë ta tolerojmë, ta nxisim (shpeshherë dhe pa vetëdije), si dhe të bëhemi edhe viktima të saj, duke mos ngritur zërin për të. E vërteta e dhunës ndaj grave është që, shumë e ushqejnë në mënyra nga më të ndryshmet dhe të gjithë e vuajmë në një mënyrë apo në një tjetër. Normalizimi i dhunës është një plagë e frikshme për familjen dhe për të gjithë shoqërinë, por ende nuk e kemi marrë aq seriozisht sa duhet për t’i dhënë fund në mënyrën e duhur. Koha është tani! Jo sepse është nëntori i 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës, por sepse askush nuk do donte të jetonte as edhe një ditë, në një shoqëri ku agresiviteti është kryefjalë dhe sidomos ai ndaj grave dhe vajzave.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top