Në 8 mars 1857, në New York, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një grup i grave që punonin në një fabrikë tekstilesh u ngritën në një marshim protestë për kushtet e punës së tyre dhe më pas 8 Marsi i disa dekadave solli edhe protesta të tjera të grave dhe vajzave për të drejtat në punë. Si rezultat i këtyre protestave dhe i kësaj simbolike, pas shumë vitesh, data 8 mars u vendos nga Kombet e Bashkuara si “Dita Ndërkombëtare e Grave”, një ditë në të cilën gratë dhe vajzat kujtojnë si kanë filluar lëvizjet për të drejtat e tyre dhe vijojnë reagimin për ato shanse dhe të drejta të barabarta të cilat nuk janë garantuar ende.
Nuk është rastësi që kjo dhe shumë lëvizje të tjera për të drejtat e njeriut kanë nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtete të bashkuara nën një ëndërr të përbashkët të një vendi që respekton këdo dhe u jep mundësi të gjithë atyre që e duan vërtetë atë. Me ëndrrën amerikane, në SHBA emigruan shumë popuj, të cilët kontribuan së bashku në ndërtimin e një vendi ku njerëzit kanë mundësi, të drejta dhe liri. Amerika është qendra e shumë botëve, ku popullata përbëhet nga etni shumë të ndryshme, por është një nga vendet ku kam parë më tepër krenari dhe dashuri për atdheun se askund tjetër. Në sensin e aktivizmit dhe njohjes së të drejtave, ajo që më ka pëlqyer gjithmonë shumë tek amerikanët, është se i njohin mirë dhe janë shumë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre.
Ndër udhëtimet e shumta përtej oqeanit, dy janë momentet e lidhura me ndërgjegjen qytetare dhe aktivizmin që më kanë mbetur në mendje. I pari lidhet me një protestë për të drejtat e grave në të cilën qëllova rastësisht në New York. Në dekada të aktivizmit dhe eksperiencës në protesta, nuk isha ndjerë kurrë aq e frymëzuar sa mes turmës gjigande të njerëzve që me dinjitet dhe me një bindje të fortë te aktivizmi që sjell ndryshim, marshonin në rrugët e New York City, me pankarta nga më të ndryshmet, fëmijë, prindër, të moshuar, të rinj nga të më ndryshmit, të gjithë bashkë për një kauzë.
Një frymë vetëdije në lidhje me të drejtat dhe një frymë qytetarie e papërshkrueshme, si dhe një solidaritet përmes turmës që të bënte të ndjeheshe realisht pjesë e një lëvizje për ndryshim. Protesta nuk kishte drejtues të mirëfilltë, mungonin fjalimet, politikanët, logot e organizatave, por ishte plot me individë që kishin dalë në rrugë, sepse besonin fort se duhet të ngrinin zërin për një padrejtësi dhe për të ndryshuar gjërat. Mijëra njerëz në shesh që nuk prisnin nga askush për të ngritur zërin për ta, por kishin dalë vetë, me pankarta në duar! E megjithëse nuk kishte foni, muzikë, zhurma apo megafonë, prezenca e tyre fliste me zërin më të lartë që kisha dëgjuar ndonjëherë!
Episodi i dytë, në një ditë krejt të zakonshme në një metro të Washingtonit, një grua e moshuar afro amerikane hyn në metro, por për shkak të vendit të paktë dikush e shtyn duke e larguar disi nga vetja në mënyrë paksa diskriminuese. Zonja ndalon, e sheh në sy dhe nis një diskutim që do të zgjaste gjatë gjithë udhëtimit për disa stacione, në lidhje me diskriminimin, të drejtat e saj, luftën e vyer për barazi dhe fillon të përmendë me rradhë të gjitha konventat dhe ligjet për të drejtat e njeriut, në një diskutim në të cilin, edhe disa njerëz të pranishëm iu bashkuan zërit të saj.
Ndonëse për shumë të tjerë situata mund të dukej e sikletshme dhe e tensionuar, unë kisha ndalur çdo gjë që isha duke bërë për ta dëgjuar me ëndje, këtë njeri tërësisht të thjeshtë, që listoi menjeherë, me përpikmëri, të gjithë të drejtat e veta dhe i kërkoi ato me këmbëngulje kokëfortë, me ëndrrën se sa shumë gjëra do të ndryshonin në Shqipërinë tonë nëse do të kishte kaq shumë vetëdije, informacion dhe reagim për të drejtat.
Ëndrra amerikane nuk është vetëm mirëqënia ekonomike, por jeta në një vend ku njerëzit ndjejnë se i përkasin diçkaje më të madhe se sa përditshmëria e tyre, përditshmëri në të cilën nuk të falin asnjë shkelje të të drejtave.
Amerika është frymëzuese, jo vetëm sepse është vendi i mundësive, por sepse është vendi i njerëzve që i mbrojnë ato me këmbëngulje. Është vendi ku reagimi është pjesë e ndërgjegjes qytetare dhe vetëdija për rëndësinë e luftës për të drejtat është ende e gjallë edhe pas shumë lëvizjeve dhe revolucioneve për t’i arritur ato!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.