Editorial

February 17, 2024 | 6:17

Nga Edlira Çepani: Kosova si etalon atdhedashurie!

 

 

Në vijim të rubrikave për të mësuar pak më shumë nga popujt, ideja ishte të flisnim për popujt e tjerë, por këtë muaj e meriton këtë hapësirë një pjesë e popullit tonë, Kosova. Shkurti është muaji kur Kosova shpalli pavarësinë dhe kur i tregoi të gjithë botës se sa shumë mund të arrijnë popujt kur këmbëngulin për lirinë dhe kanë dashuri për vendin e tyre. Edhe ata popuj të vegjël që duket sikur nuk kanë fuqinë për ta ngritur zërin mjaftueshëm.

edlira-cepani

Për dekada pas ndarjes nga Shqipëria, çdo shqiptar i Kosovës ka luftuar fort për të mbajtur gjallë identitetin, kulturën, gjuhën shqipe. Këmbëngulja për pavarësinë, lufta që i madh dhe i vogël e vuajti në kurriz, i vunë vulën një kalvari vuajtesh në luftën për liri që solli shumë frymëzim dhe shpresë tek çdo shqiptar.

Sa herë që shkoj në Kosovë, kam një ndjesi shumë të fortë atdhedashurie, sepse njerëzit atje e përçojnë në ajër. Shumë shpesh, veçanërisht në këtë epokën tonë të globalizmit, por edhe të dështimeve të njëpasnjëshme të liderve tanë politikë, pjesa e patriotizmit apo koncepti i atdhedashurisë na promovohet si një mendim arkaik, i cili duket aq i dalë mode, sa ndonjeherë shoqëria gati-gati duket sikur të detyron ta fshehësh. Është interesante si ndodh shpesh që, në vend që të promovohen vlerat dhe identiteti kombëtar, si pjesë e shoqërisë apo e individit, duket sikur ka hyrë në modë krejt e kundërta. Duket sikur pjesë e të qenët modern mjaftueshëm për shoqërinë e sotme, është edhe ndjenja e një përkatësie globale përtej kufijve të identitetit kombëtar apo të familjes së lindjes.

Kjo është diçkaje pozitive në një botë që po bëhet çdo ditë e më e vogël dhe e arritshme për shkak të komunikimit dhe të shpejtësisë së lëvizjes, por nga ana tjetër duket sikur pak nga pak e shpërbën individin nga ajo pjesë e karakterit dhe e qenies që lidhet me përkatësinë që e formëson si karakter.

Çdo ekstrem që i kalon caqet bëhet shkak për efekte negative, ndaj pjesa e shpërbërjes në jetën e përditshme të atdhedashurisë si vlerë, krijon rrezik për një shoqëri e cila fillon të mos zhvillohet shëndetshëm përsa i përket investimit real dhe serioz tek vendi dhe njerëzit përkatës. Në kohën kur jetoja në Itali, gjatë luftës së Kosovës, mbaj mend qindra të rinj që vinin nga vende të ndryshme të Europës për t’u kthyer në atdhe dhe për të luftuar për vendin e tyre.

Mbaj mend pafund familje në qytete e treva të ndryshme të Shqipërisë që strehonin familje nga Kosova të cilët i kishin detyruar të largoheshin për shkak të luftës, shqiptarë nga diaspora që ndihmonin me çfarë të kishin mundësi, për të forcuar zërin e atyre që kishin marrë vendimin edhe të vdisnin për të patur mundësinë të ngrinin të lirë flamurin e tyre.

Nuk ka gjë më të bukur kur një popull bashkohet për të kërkuar më shumë, për të kërkuar liri, për të kërkuar një të ardhme më të mirë për fëmijët, për të kërkuar që të flasë gjuhën e vet, të mbajë flamurin e vet (atë më të bukurin në botë).

Këto janë emocione që nuk i gjen dot askund tjetër dhe në asnjë mënyrë, ndaj jam mirënjohëse me shpirt, sepse sa herë që shkoj në Kosovë, megjithëse lufta ka përfunduar prej vitesh, i gjej të gjalla këto emocione, këtë atdhedashuri mes njerëzve të thjeshtë, që nga ai kalimtari në rrugë, të cilit i shndërrijnë sytë kur e përshëndet shqip, e deri tek miqtë e mikeshat që ende sot ruajnë zakonin e bukur (që është kryesisht edhe në zonat e veriut të Shqipërisë) që martohen me flamurin  kombëtar, kuq e zi. Atdhedashuria është një vlerë e cila kurrë nuk ka bërë dëm, përkundrazi veç mirë u bën njerëzve dhe vendit ku jetojnë, sepse i formëson në mënyrën më të bukur për të ecur në jetë me vetëbesim, me identitet të fortë dhe me motivim për të ardhmen.

Atdhedashuria si vlerë na formëson një pjesë të rëndësishme të karakterit, e cila na bën më pas të suksesshëm edhe në çdo vend tjetër të botës.

Jam mirënjohëse për shqiptarët e Kosovës dhe për të gjithë ata shqiptarë kudo që janë, të cilët besojnë ende se shqiptaria dhe vlerat e kombit tonë, duhet të na bashkojnë përtej çdo ndasie, për të krijuar të gjithë bashkë, një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për t’u lënë atë trashëgiminë ndër breza që s’do e gjejnë dot askund tjetër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top