FB

January 19, 2023 | 9:15

Nga Edlira Çepani / Kurthi i algoritmeve

Është bërë trend të gjykojmë famën e njerëzve të ndryshëm në bazë të ndjekësve që kanë në rrjetet sociale. Dëgjojmë shpesh se dikush është influencues, sepse ka disa qindra-mijëra ndjekës. Ndonjëherë në këtë epokën e rrjeteve sociale, e gjejmë edhe veten, duke konsideruar më të rëndësishëm një postim, mesazh, foto, status, etj., që ka marrë më shumë shpërndarje dhe pëlqime se sa një tjetër që nuk ka marrë.

Nga ana tjetër, qëllon shpesh që vrasim mendjen, pse një foto e jona, merr shumë më tepër vëmëndje nga miqtë (përmes pëlqimeve, shpërndarjeve, etj) se sa një status ku shtrojmë në diskutim një problematikë të rëndësishme për të gjithë. Ndonjëherë qëllon që edhe mërzitemi me ndjekësit dhe miqtë për këtë gjë… Në fakt në këtë vorbullën e pëlqimeve, ndjekësve e shumë aspekteve të tjera të lidhura me to, kemi harruar se teknologjia e rrjeteve sociale funksionon me algoritme. Mënyra se si funksionojnë algoritmet përcakton edhe mënyrën se si funksion ndërveprimi i përdoruesve në rrjetet sociale në bazë të mënyrës së përdorimit, preferencave, por edhe influencimit të tyre. Pikërisht këto algoritme përcaktojnë se çfarë na serviret nga rrjetet sociale dhe në cilën masë. Janë disa poste të miqve të cilat mund të mos i shohim fare e disa të tjera që mund të na shfaqen nga dy-tre herë.

Nga ana tjetër, preferencat që shprehim përmes klikimeve dhe vëmendjes në fusha të caktuara, pasohen nga krijimi i një realiteti virtual në të cilin ne kemi një identitet që ndikon dhe ndikohet nga algoritmet. E thënë më thjeshtë, shpesh pëlqimet e ndërveprimet në ato statuset tona kritike që pëlqehen më pak se fotot, apo fotot e videot në ndryshim nga njëra-tjetra, nuk ecin gjithmonë sipas pëlqyeshmërisë apo ndërveprimit në jetën reale, sepse jeta virtuale funksionon pak më ndryshe.

Pikërisht prandaj, e mira është gjithmonë që, përtej jetës virtuale, investimin e vërtetë ta bëjmë tek jeta reale, sepse është vetëm tek ajo që nuk biem në kurthin e algoritmeve dhe aty e kuptojmë vërtetë se sa vlerë ka ajo që themi, ajo që bëjmë dhe ajo që jemi. Ndoshta kjo mund të jetë rezoluta jonë për veten në këtë fillim viti.

 

 

 

 

Botuar Revista Psikologjia, Nr.175, muaji janar

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top